Haradinaj: Ende nuk kemi të drejtë të mendojmë që ka ndodh më e keqja

Aktuale

Haradinaj: Ende nuk kemi të drejtë të mendojmë që ka ndodh më e keqja

Më: 29 prill 2018 Në ora: 19:15
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se do të kërkojë ndihmën e homologut të tij maqedonas Zoran Zaev që kërkimet për dy policët e zhdukur kosovarë në lumin Lepenc të bëhen edhe në anën e territorit të shtetit fqinj.

Ai këto komente i bëri sot në vendin e zhdukjes së dy policëve mbrëmë në aksidentin që ndodhi në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik, te vendi i quajtur Kulla me qeshmë.

Haradinaj: Do t’i telefonoj edhe Zaev për ndihmë në pjesën e Maqedonisë

“Tash veç u bë dita e dytë, gati 24 orë që nga aksidenti i djeshëm. Dy zyrtarë të policisë janë të humbur. Tash dhe njësitë e FSK-së janë në kërkim të tyre. Janë edhe dy kilometra lumë për kërkim, mirëpo me gjasë do të lindë nevoja për kërkim edhe në pjesën e Maqedonisë për t’u siguruar. Do ta vazhdohet me kërkim në pjesën e mbetur të Kosovës mirëpo do t’i telefonoj edhe kryeministrit Zaev për ndihmë në pjesën e Maqedonisë. Ende nuk kemi të drejtë të mendojmë që ka ndodh më e keqja që nuk janë gjallë, por gjendja po duket shumë e rëndë. Do t’i qëndrojmë afër kolegëve, policisë, familjeve në fjalë dhe shpresoj që të na befasoj ndonjë lajm i mirë, por po shihet gjendja e rëndë”, tha Haradinaj.

Për më tepër, ia ka bërë të ditur se të dy zyrtarët policorë kanë qenë në detyrë dhe për momentin nuk kanë të dhëna tjera, ndërkohë që nuk beson se do të ketë problem që edhe FSK-ja të vazhdojë kërkimet në territorin fqinj.

Haradinaj: Nuk besoj që FSK ka problem

“Herët të flasim se kemi edhe dy kilometra pa kontrolluar në pjesën e Kosovës e ato dy kilometra të mbetura janë me të qeta dhe ka mundësi që trupat nuk janë bartë në Maqedoni nëse janë në lumë. Megjithatë, po kërkojmë prej Maqedonisë që të ndodhin edhe andej kërkime bashkërisht nëse ka nevojë. Nuk besoj që FSK ka problem, sepse ne mbajmë ushtrime të përbashkëta me Maqedoninë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, sipas Policisë së Kosovës, për shkaqe ende të panjohura, vetura në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në  rrjedhën e lumit Lepenc.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat