Zhytësi më me përvojë në Kosovë: Trupat e policëve nuk ka shanse të jenë bartur në Maqedoni

Aktuale

Zhytësi më me përvojë në Kosovë: Trupat e policëve nuk ka shanse të jenë bartur në Maqedoni

Më: 1 maj 2018 Në ora: 16:01
Ismail Kasumi

Për të tretën ditë me radhë Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe qytetarë vullnetarë po zhvillojnë kërkime për dy policët e zhdukur të aksidentuar me veturë zyrtare në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik, të cilët kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Për gjetjen e policëve janë angazhuar rreth 170 persona. Por në mesin e kërkuesve mungon eksperti i zhytjes Ismail Kasumi. Ai në një deklaratë, shpreh bindjen se trupat e dy policëve të zhdukur gjenden në lumin Lepenc, në anën e Kosovës.

Nuk beson se trupat e dy policëve të cilët u aksidentuar në magjistralen Kaçanaik-Han i Elezit dhe ranë në lumin Lepenc mund të jenë bartur në pjesën maqedonase. Eksperti i zhytjes, Ismail Kasumi ka treguar se nuk është duke marrë pjesë në operacionin e kërkimit për dy policët i cili është duke vazhduar tash e tri ditë.

Ai thotë se nuk ka marrë asnjë ftesë nga organet e hetuesisë kosovare, ani pse thekson se është i vetmi zhytës që i ka pajisjet adekuate për këtë punë. Por, Kasumi, shprehet se në bazë të përvojës beson se trupat e dy policëve,  Malsorit dhe Armendit, ende gjenden në ujërat e Lepencit brenda territorit të Kosovës.

“Unë besoj që ata persona, nëse kanë ra në lum, ata nuk kanë mundur me e kaluar territorin e Kosovës. Ai lum nuk është i thellë, në rrjedhën që është ka lumi janë duke i bërë ca  gërmime, aty mund të jetë krijuar ndonjë puset. Unë kurrsesi nuk besoj që trupat janë bartur për në territorin e Maqedonisë”, thotë ai.

Ndërkohë, njeriu i cili që 50 vite ka nxjerrë afro 500 persona nga ujërat e Kosovës shpreh bindjen e tij se brenda një periudhe të shkurtër të dy policët do të gjinden. Por, ai thotë se për t’i gjetur ata, duhen njerëz profesionist.

“Unë jam njeriu i parë që e kam marrë një iniciativë dhe i kam trajnuar të gjithë ushtarët e FSK-së për zhytje. Unë tash jam kthyer në Kosovë, nuk marrë pjesë në zhytje. Mua askush nuk më ka thirr. Çështja është se tek ne nuk dinë me e respektua profesion. Jam njeri i parë që e kam sjellë aparatin e zhytjes në Kosovë. Unë po shoh plotë njerëz që po futen në ujë pa ndonjë aparat të zhytjes”, ka thënë Kasumi.

Por, ai insiston se duke marrë parasysh rrjedhën e lumit Lepenc, trupat gjenden ende në Kosovë.

“Unë me plotë vetëdije e them, se më së pari duhet ditur rrjedhën e lumit, kontaktin deri ku ka mund me i dërguar si dhe shtratin e lumit. Mua shumë keq më vjen ta them se ata nuk po duan njerëz profesionist. Nuk ka lum në Kosovë e as liqe që nuk e di rrjedhën e tij. Ata kanë qenë në uniformë policore, ata nëse kanë ra në ujë kanë mund  me u kap ndokund”, shpjegon ai.

Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe më pas vetura ka rënë nga ura e lumit Lepenc.

Kërkimet po bëhen edhe në anën e kufirit me Maqedoninë. Autoritetet atje janë në kërkim për gjetjen eventuale të trupave të dy policëve, pasi dyshimet janë që rrjedha e ujit ka mundur të bart trupat e policëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat