Kërkimi për dy policët e zhdukur, mësoni gjithçka që ka ndodhur deri më tani

Aktuale

Kërkimi për dy policët e zhdukur, mësoni gjithçka që ka ndodhur deri më tani

Nga: Bota sot Më: 2 maj 2018 Në ora: 10:56
Kërkimet për policët Armend Trena dhe Malësor Dashi

(E plotësuar) - Sapo ka përfunduar për sot kërkimi në lumin Lepenc për dy policët e zhdukur.

As dita e pestë e kërkimit për dy policët e zhdukur pas aksidentit që ndodhi të shtunën, nuk dha ndonjë rezultat.

Këto kërkime i ka përcjell për së afërmi sot edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh i pakënaqur që ende nuk janë gjetur policët.

Ndryshe, duhet cekur se për të lehtësuar në kërkimin e tyre, sot hidrocentralet në Brezovicë kanë bllokuar rrjedhën e ujit.

Ky veprim është ndërmarrë në koordinim me Policinë e Kosovës.

Image

Detajet e fundit për zhdukjen e policëve, Policia ka bërë një analizë, por ende nuk është për publikun

Zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka folur rreth aksidentit të dy policëve të zhdukur afër lumit Lepenec.

Gashi ka treguar se sot janë kryer disa kërkime edhe në disa zona në mënyrë më të detajuar, e ku kanë dyshuar se mund të jenë trupat e policëve, të zhdukur që katër ditë.

Gashi: Nuk ka ende asgjë të re

Image
Agim Gashi

“Edhe sot prej orës 9 kemi vazhdu me kërkimet dhe kanë marrë pjesë të gjitha njësitet që janë këtu, Policia, FSK, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, vullnetarë po edhe pse i kemi kry disa kërkime, më të detajuara në disa vende ku kemi dyshuar, por prapëseprapë nuk kemi gjetur diçka të re”, ka thënë ai.

Gashi më tej ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket kërkimit të trupave edhe në Maqedoni ku ka dyshime se mund të jenë bartur trupat nga lumi.

Gashi: po vazhdojmë kërkimet deri në kufi

“Sa i përket kërkimit të Maqedonisë ata janë në autoritetin e tyre ndërsa ne deri në kufi jemi duke i vazhduar hetimet dhe nuk do të humbim shpresat dhe do të vazhdojmë kërkimet dhe shpresojmë që në ditët e ardhshme do të dalim me rezultate”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Policisë nuk ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin e dy policëve meqë ka treguar se tashmë prokurori dhe hetuesit po merren me shkaqet e aksidentit si dhe ekzaminimin e veturës dhe provave.

Gashi: Prokurori po heton rastin

“...tani e tutej Prokurori është duke marrë me hetimet dhe hetuesit dhe tani pritet derisa prokurori të përfundojë me ekzaminimin e veturës dhe fakteve tjera”, ka thënë zëdhënësi Gashi nga vendi ku po kërkohen policët e zhdukur. 

‘Policia ka bërë një analizë, por ende nuk është për publikun’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Lepenc të kenë marrë trupat e dy policëve të zhdukur jashtë territorit të vendit tonë, ndërsa tha se Policia e Kosovës ka bërë një analizë të rastit, por i cili ende nuk është për publikun.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite në vendin ku po bëhen kërkimet për dy policët e humbur në lumin Lepenc në Han të Elezit.

Haradinaj: Krejt jemi të pakënaqur që s’i kemi gjetur dy policët

“Krejt jemi të pakënaqur që s’i kemi gjetur dy policët. Po krejt çka ka Kosova në dorë jemi duke e bërë me ushtri, me polici, me zhytës. Po dominon vlerësimi se duhet te rikthehemi për kërkim. Me këta ujë të rrëmbyeshëm ekziston mundësia e nxjerrjes së trupave jashtë Kosovës. I kisha bërë të fala një zhytësi që po e quan vetën maestro, e kish lutur mos t’iu bëjë presion këtyre djemve nga të nxehtit atje”, tha Haradinaj.

Duke folur rreth mundësisë së kërkimit të dy policëve të zhdukur edhe në territorin maqedonas, kreu i qeverisë tha se kjo nuk mund të bëhet pa përfunduar kërkimet brenda territorit të Kosovës.

Image

Haradinaj: S'ka kërkime në Maqedoni pa përfunduar ato në Kosovë

“E ka një plan edhe Qeveria maqedonase, por pa e kryer edhe ne këtej nuk mund të kërkojmë andej, sepse çka të bëjmë nëse i gjejmë këtej”, është shprehur Haradinaj.

Dy policët e Kosovës janë zhdukur në mbrëmjen e së shtunës së kaluar kur vetura e tyre ka rënë në lumin Lepenc. Ndërkohë që vendi i ngjarjes është nxjerrë vetura, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është aksident, pa dhënë më shumë detaje.

Haradinaj: Policia ka bërë një analizë, por nuk është për publikun

“Policia më tha se e kanë bërë një analizë, por ende nuk është për publikun”, ka thënë Haradinaj.

Rifillojnë kërkimet, bie niveli i ujit në lumin Lepenc

Kërkimi i dy policëve të zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës ka vazhduar edhe sot, në ditën e pestë.

Për të lehtësuar në kërkimin e tyre, sot hidrocentralet në Brezovicë kanë bllokuar rrjedhën e ujit.

Ky veprim është ndërmarrë në koordinim me Policinë e Kosovës.

Pas këtij veprimi, ishin ndërprerë edhe kërkimet për të pritur që të bie niveli i ujit.

Megjithëse niveli i ujit ka rënë shumë pak, ekipi i kërkim shpëtimit nuk po humb kohë,  ka rifilluar përsëri kërkimin.

Ndryshe, duhet cekur se vetura me të cilën po udhëtonin dy policët është nxjerrë nga uji i lumit Lepenc që natën e parë por që, as pas pesë ditë kërkimi nuk ka asnjë gjurmë të dy policëve.

Ende asnjë gjurmë nga dy policët, po vazhdojnë kërkimet

Po vazhdojnë kërkimet për dy policët të cilët u aksidentuan të shtunën në mbrëmje. Nga afër kërkimet po i përcjellin ministri i MPB-së Bejtush Gashi, ai i FSK-së Rrustem Berisha, si dhe komandanti i kësaj force Rrahman Rama.

Në vendin ku po bëhen kërkimet pritet që të vijë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Sipas versionit zyrtar të Policisë,  Malsor Dashi dhe Armend Trena më 28 prill( e shtune) janë aksidentuar me veturën e tyre zyrtare në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit te vendi i quajtur “Kulla e Qeshmes” dhe që nga ajo natë rezultojnë të zhdukur.

Vetura me të cilën po udhëtonin dy policët është nxjerrë nga uji i lumit Lepenc që natën e parë por që as pas pesë ditë kërkimi nuk ka asnjë gjurmë të dy policëve.

Image

Këto janë detajet e fundit të policisë për dy kolegët e zhdukur në Lepenc

Policia e Kosovës njofton se sot në orën 16:00 në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe akterët relevantë, në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëjnë ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut, me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.

Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj.

Aksidenti sipas Policisë ka ndodhur më 28 prill( e shtune) në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, në të cilën ndodheshin dy zyrtarë policorë, për shkaqe ende të panjohura ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc, nga të gjitha institucionet dhe njësitet prezentë ende për të pestën  ditë me radhë po vazhdojnë angazhimet intensive drejt kërkimit të dy zyrtarëve policorë.

Siç është bërë e ditur deri më tani, në vendin e ngjarjes janë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koordinimin, bashkëpunimin dhe angazhimin e menjëhershëm me të gjitha institucionet tjera përgjegjëse, si: Prokuroria, AME-ja, njësitet e FSK-së, njësite të ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR-i, si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinistë, qytetarë etj., të cilët me përkushtimin më të madh, të pakursyer, për ditë me radhë, janë vënë në kërkim të kolegëve tanë, ku gjetja e tyre mbetet si qëllimi primar i Policisë.

***

Edhe sot në ora 9:00 të mëngjesit njësia për kërkim-shpëtim e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ekipet e tjera vullnetare kanë filluar kërkimet për policët e zhdukur nga aksidenti i së shtunës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë se ende nuk ka ndonjë rezultat nga kërkimet që o vazhdojnë.

Gashi ka thënë se sot është zgjeruar perimetri në pjesën malore dhe po marrin pjesë mbi 150 pjestarë.

“Po kërkimet në ora 9:00 kanë filluar dhe janë duke vazhduar. Në njërën pjesë është zgjeruar perimetri në mal, edhe një herë po e kontrollojnë një pjesë. Si dhe prej kilometrit 4.5 prej vendit të ngjarjes nga Elez Hani dhe nga kufiri është duke vazhduar për momentin. I kemi të gjitha njësitë, rreth 150 pjesëtar që janë aktiv në kërkim. Diçka konkrete në lidhje me personat e zhdukur  deri më tani nuk ka”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë, se aksidenti ka ndodhur të shtunën rreth orës 20:45, ndërkaq kërkimet po vazhdojnë edhe sot pasi nuk ka pasur asnjë të gjetur që zbulon këtë aksident,  deri tani të mistershëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat