Haradinaj: Një pakt i paqes me Serbinë është krejt çka Kosova mund të japë

Aktuale

Haradinaj: Një pakt i paqes me Serbinë është krejt çka Kosova mund të japë

Më: 2 maj 2018 Në ora: 13:54
Ramush Haradinaj

Një pakt i paqes me Serbinë është krejt çka Kosova mund të japë sot, pasi që ka dhënë më të çmueshmen, më të vështirën që mund të jepet për paqen, jetët e njerëzve të pafajshëm, ndërsa 116 martirët e Studimes të Vushtrrisë janë dëshmi e kësaj.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e 19-vjetorit të masakrës së Studimes ku janë vrarë 116 civilë.

Duke komentuar marrëveshjen e shumëpërfolur Kosovë-Serbi, Haradinaj theksoi se Kosova tashmë ka deklaruar statutin e vet, dhe krejt çka mundet të bëjë sot, është të jetë pjesë e një marrëveshjeje paqësore, e cila do t'i hapte rrugë integrimit të Kosovës në NATO, OKB dhe BE.

Ai shtoi se institucionet qendrore do ta ruajnë gjithmonë nderimin për të rënët e lirisë, dhe se familjarët e martirëve të Studimes do të kenë përjetësisht njerëzit e tyre në themelet e shtetit të Kosovës.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se si çdo përvjetor, sot Studimja ndien dhimbje dhe krenari për të përkujtuar dëshmorët dhe martirët.

Ndërsa në emër të familjarëve foli Latif Gërxhaliu, me ç'rast u bëri apel institucioneve që ta tregojnë veten për të vënë drejtësi për masakrën e Studimes. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat