Apeli së shpejti vendos për Hasanin

Aktuale

Apeli së shpejti vendos për Hasanin

Më: 2 maj 2018 Në ora: 18:37
Enver Hasani

Gjykata e Apelit ka mbajtur sot seancën e kolegjit për shqyrtimin e vendimit dënues për ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Në një njoftim për media Apeli thotë, se kjo gjykatë është e përkushtuar “në zgjidhjen në afat sa më të arsyeshëm të lëndëve kundër korrupsionit zyrtarë”. Duke treguar më tej se vendimi i Apelit ndaj Enver Hasanit, dhe dy të akuzuarit e tjerë në lëndën ndaj tij  - Albert Rakipit dhe Hakif Veliut  - do të merret shumë shpejtë.

“Të tre akuzohen për veprën penale mashtrim në detyrë, nga neni 341 paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës.  Edhe për këtë rast, kolegji gjyqësor pritet të  merr vendim shumë shpejtë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Enver Hasani është dënuar në shtatorin e vitit të kaluar me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për universitetin e Prishtinës.

Gjykata i shpalli fajtorë edhe dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Albert Rakipit e Hakif Veliut. Këta dy janë dënuar me nga gjashtë muaj burg, masë e cila u zëvendësohet me gjobë prej 10 mijë euro.

Gjithashtu, tre të akuzuarit detyrohen nga gjykata e shkallës së parë që në një mënyrë “solidare”  t’ia kompensojnë Universitetit të Prishtinës një shumë prej 70 mijë euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje.

Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi ata sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale e cila thotë se të akuzuarit veprën penale e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për  përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat