Eskalon debati mes Anton Qunit dhe Xhavit Halitit: Jeni mësuar të dhunoni, vrisni, shantazhoni

Aktuale

Eskalon debati mes Anton Qunit dhe Xhavit Halitit: Jeni mësuar të dhunoni, vrisni, shantazhoni

Më: 3 maj 2018 Në ora: 10:58

(E plotëuar) - Deputetët Xhavit Haliti dhe Anton Quni, janë përplasur përsëri rreth ofrimit të fakteve që ky i fundit pretendon se i solli sot në Kuvend për marrjen e 8 milionë eurove nga Xhavit Haliti, prej Ministrisë së Mbrojtjes së udhëhequr nga Ahmet Krasniqi.

Deputeti Haliti, i ka thënë Qunit që nuk ka sjellë fakte dhe duhet t’i informoj mediat mirë.     

Haliti: Zotëri Quni nuk ke dhënë asnjë dokument që kam marrë 8 milionë euro

“Desha që t’i them edhe një herë Anton Qunit le t’i informoj mediat se nuk e ke sjellë asnjë dokument që dëhsmon se unë i kam marrë 8 milionë. Sepse po dezinformojnë mediat se i ke argumentuar se i kam marr 8 milionë, unë s’i kam marrë 8 milionë të kam thënë atë ditë dhe edhe sot po të them, por edhe ty si koleg po të them, interpretimin qysh e keni bërë në emisione është tjetër, por mirë është t’iu thoni ta ndërprisni gënjeshtrën”, tha Haliti.

Ndërsa, iu kundërpërgjigj Quni, duke thënë se ka sjellë fakte

Quni: Kam sjellë dëshmi, në vitin 1998-99 keni marrë njerëz në pyetje

 “Ju i keni të gjitha dëshmitë për cilën shumë bëhet fjalë, është një ndër dëshmitë, normal që nuk kam arritur t’i siguroj të gjitha, por në ato dëshmi janë vula e Ministrisë së Mbrojtjes, janë numri i protokollit, janë protagonistët, janë krejt. Janë me shumë se 8 milionë euro që Qeveria e Kosovës i ka ndarë për nevojat e Shtabi të përgjithshëm të UÇK-së, për nevojat e ko mandateve të zonave, e tjera, që të gjitha ju qdo herë i keni mohuar...ndoshta ende po mendoni se jeni në vitin 1998-99 kur keni marrë në pyetje njerëz të ndryshëm, i keni kërcënuar, i keni dhunuar, i keni abuzuar, por sot jemi në parlament”, tha Quni.

Por, përplasja shkoj edhe me tej, ku Haliti tha se nëse del një njeri që dëshmon se ai e ka rrahur, dhunuar apo kërcënuar, ai do të jap llogari.

Haliti: Kurrë s’kam marrë në pyetje askënd

 “Nëse del një shqiptar, ose një përfaqësues i cilitdo komunitet që unë e kam marrë në pyetje, që unë e kam shantazhu, që unë i kam thënë ndonjë fjalë të keqe, përveç në gjaknxehtësi me shokët e mi me shumë, unë nuk kisha qëndruar këtu. Unë nuk kam rreh askënd, nuk kam vra askënd qysh po thu ti, s’kam marrë në pyetje se s’ka qenë detyrë e imja, disa gjëra i dinë ti, s’po dua të flas. Por t’i sot edhe atë ditë ke gënjyer unë nuk kam nënshkruar dokument, sepse unë nuk kam nënshkruar me pseudonim kurrë me Qeverinë e Kosovës. Gjithçka çka kam nënshkruar, unë mendoj që kemi bërë mirë, e kam nënshkruar me emër dhe mbiemër tim, unë jap llogari për gjithçka çka kam nënshkruar në këtë botë dhe botën tjetër”, u shpreh Haliti.

Quni iu përgjigj sërish Haliti, duke i thënë se është mirë që po reflekton dhe po tregon që ka pasur bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës në ekzil.

Quni: Ua solla dëshmitë

“Unë ua dorëzova disa dokumente urdhëroni, mbetet në diskrecionin e juaj të publikoni nëse mendoni se është koha, bëni thirrje edhe tek autoritetet e Qeverisë që kanë menaxhuar me këto fonde a janë në pyetje me pak apo me shumë. Unë ua solla ato dëshmi....”, tha Quni.

Naser Shala nuk votohet për drejtor të Agjencisë për Verifikim të Pronës

Naser Shala nuk ka marr votat e mjaftueshme të deputetëve për postin e drejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Në këtë garë Shala kishte konkurrente Florije Kikën. As kjo e fundit nuk ka marr votat e mjaftueshme për këtë post.

Vota nuk kanë marr as Milaim Çekaj dhe Mark Buzhala të cilët kishin garuar për postin e zëvendësdrejtorit të kësaj Agjencie.

Naser Shala i cili njihet me pseudonimin e luftës “Ftyra”  ka qenë i akuzuar për krime luftë në rastin “Kleçka” së bashku edhe me zëvendëskryeministrin aktual Fatmir Limaj dhe tetë të akuzuar tjerë.

Pasi që nuk morën votat e deputetëve konkursi për këto dy poste do të përsëritet.

Hiqet nga rendi i ditës Projektligji për Amnistinë

Projektligji për Amnistinë është tërhequr nga pika e rendit të ditës në seancën e cila po mbahet sot.

Deputetët votuan me shumicë votash që projektligji të hiqet nga rendi i ditës ndërsa u bë me kërkesë të deputetit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj.

Kuvendi miratoi rezolutën për të pagjeturit

Deputetët e Kosovës me shumicë votash kanë votuar një rezolutë për personat e pagjetur.

Kjo rezolutë ka pasur të votohet më 27 prill në një seancë të jashtëzakonshme e ftuar nga deputetët Andin Hoti dhe Saranda Bogujevci, por që në atë seancë nuk kishte kuorum.

Për rezolutën kanë votuar 71 deputetë, ndërsa kundër janë 4 deputetë.

Anton Quni ia sjell në Parlament dëshmitë për 8 milionë markat, ky është reagimi i Xhavit Halitit

Deputeti i LDK-së Anton Quni, iu ka rikthyer akuzave ndaj Xhavit Halitit se ky i fundit ka marrë shuma të mëdha të parave nga ish Ministria e Mbrojtjes së udhëhequr nga Ahmet Krasniqi.

Quni tha se ka sjellë fakte në Kuvend se si Ministria e Mbrojtjes ka dhënë shuma të mëdha të parave për UÇK-në. Por, reagimi i Halitit, sipas Qunit  ia shton dyshimin se ka marrë edhe më shumë para se sa ato që i ka thënë ai.

Quni: Reagimi i Halitit po më bënë të dyshoj se mori me shumë para nga Ahmet Krasniqi

 “Në dokumentet ku palët dëshmojnë pranim dorëzimin e mjeteve qëndrojnë preambula e Qeverisë së Kosovës apo e Ministrisë së mbrojtjes dhe numrat përkatës apo numrat përkatës. Në shpjegimet e mia në emisione të ndryshme fokusi ishte tek faktet se ka ekzistuar dhe funksionuar Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, për të cilët ende ka mohime nga akterë të ndryshëm. Në dëshmitë e mia nuk ishin në fokus shuma apo totali i të hyrave tek Shtabi i Përgjithshëm, komandantë apo njësitë e tjera. Por, reagimi agresiv i Xhavit Halitit, fare i paarsyeshëm tani më bëjnë të dyshoj se në pyetje janë shuma shumë me të mëdha, dhe të bëjë pyetje a u përdorën ato para për qëllimin e destinuar”, tha Quni.

Ndaj deklaratave të Qunit, reagoi deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili shpjegoi takimet me Ahmet Krasniqin dhe për fondet e dhëna nga Ministria e Mbrojtjes tek UÇK-ja.

Haliti: Zotëri Quni s’e kam ditur kush je

 “E vërteta është që mua me është ofruar, Ahmet Krasniqi nuk e kam ditur kush është, përmes Shaban Mujës, Bardhyl Mahmutit dhe Bilall Sherifit në një takim në shtëpinë e Bilall Sherifit. Në takim ka qenë edhe Ilmi Nebiu, Ahmet Krasniqi s’ka qenë Ministër i Mbrojtjes. Oficerët që ju po i quani oficer të Ministrisë së Mbrojtjes i kanë pasur tri Ministri të Mbrojtjes. Ahmeti ka qenë vullnet mirë, ka premtuar se të gjitha mjetet që disponon Qeveria e Kosovës në mërgim do t’ia deponoj UÇK-së për ta udhëhequr  luftën, ky ka qenë premtim me shkrim...Unë kam bashkëpunuar ngushtë me Ahmet Krasniqin deri sa është vrarë, kam bashkëpunuar edhe Bicajn, për juve nuk e kam ditur as kush je dhe e di problemet që kanë qenë, akuza kundër akuza, pas lufte kam marrë vesh kush ke qenë, kush je”, tha Haliti.

Haliti sqaroi edhe për paratë të cilat Quni po e akuzon se ai i ka marrë nga Ahmet Krasniqi.

Haliti: Për paratë që po flisni po iu referoheni një diskutimi në Vjenë me ish kryeministrin tënd

 “Por dua të them që segmente të caktuar edhe oficer të Ministrisë e kanë penguar Ahmet Krasniqin dhe e dyta Ahmet Krasniqi është emëruar ministër i mbrojtjes shumë vonë dhe ka luftuar me ato struktura të Qeverisë sepse nuk e emëronin Ministër të Mbrojtjes sepse unë i di gjërat më tel se disa që mund të jenë edhe oficer të ish armatës së Jugosllavisë. Paratë që po thuani, po i referoheni një diskutimi në Vjenë të bërë nga ish kryeministri yt, ne do të organizohemi në atë mënyrë sepse komandantë të UÇK-së dhe këta do të fillojnë vrasjen e njëri tjetrit dhe disa do t’i fusim në burg dhe do ta marrim ne pushtetin”, theksoi Haliti.

Seanca po vazhdon me diskutime tjera.

Haradinaj nuk ka dijeni se Thaçi ka biseduar për ndarjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në seancën plenare të Kuvendit ka thënë se nuk është në dijeni se presidenti Hashim Thaçi ka zhvilluar bisedime për ndarjen e territorit të Kosovës, me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Ishte deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ai që kërkoi përgjigje nga Haradinaj lidhur me këtë çështje.

“Kemi konsulta të rregullta me presidentin Thaçin dhe jam interesuar me kuptu përmbajtjen, nuk kam unë dijeni se ka pas biseda për ndarje, në fakt më është përmendur ndarja edhe mu edhe të tjerëve, më është përmend edhe mu, po ma shumë si ide që vjen nga Serbia”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se një ide e tillë është “rikthim në tragjedi, të luftërave të ish-Jugosllavisë”.

Haradinaj për policët e zhdukur: Disa nga kafiqat e Prishtinës po japin këshilla

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur në seancën e sotme për disa nga zhvillimet e fundit në vend.

Haradinaj ka folur për Listën Serbe, zhdukjen e dy policëve në Kaçanik, Trepçën, Postën etj.

Ky është fjalimi i Haradinajt:

Dëgjova qëndrimet e deputetëve veç e veç, është shqetësim i të gjithë neve zhdukja e dy policëve në Kaçanik, më së vështiri e kanë familja dhe të afërmit

Ka koordinim atje, ka vullnet me pranu çfarëdo përkrahje, por ekziston një praktikë që disa duke nejt në kafiqa po japin këshilla nga këtu si të punohet

Është mirë që të gjithë kush ka mundësi dhe kohë të shkoj, por jo të jap këshilla nga Prishtina.

Është me rëndësi që policët e Kosovës nuk kanë sigurim shëndetësor, dhe Qeveria e Kosovës duhet ta trajtoj këtë çështje.

I bashkohem falënderimit për të gjithë që po marrin pjesë në aksion.

Po kaloj te Posta, praktikat dikur kanë ekzistua sikur Trepçës që ti jepen infuzione nga buxheti i shtetit. Më mirë është të aftësohen kompanitë të përballen vet me problemet që kanë, por nëse shkojmë që ti japim infuzion, ia zgjasim jetën, por epilogu në fund nuk do të jetë i mirë.

Sa i përket studentëve të Malit të Zi, të cilët kanë bërë shkresa në institucione, u është dhënë një kuote, për shkak të specifikave të caktuara, ne do t’i shqyrtonim ato nëse do të na vinin neve. 

Selimi kërkon nga institucionet e sigurisë angazhim më të madh në rastin e dy policëve

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi në seancë ka folur në lidhje me rastin e dy policëve të Kosoëvs të cilët që nga e shtuna rezultojnë të humbur pas një aksidenti që ka ndodhur në magjistralen Kacanik-Han i Elezit.

Selimi kërkoi nga institucionet e sigurisë angazhim maksimal dhe që sa më shpejt ta ndriqojnë këtë rast.

Selimi tha se duhet një koordinim me të gjitha agjencionet e sigurisë në mënyrë që në raste të emergjencave sikurse kjo të reagohet menjëherë.

Deptueti i VV-së kërkoi nga institucionet shëndetësore të krijojnë kushte më të mira për Policinë. Selimi tha se Policinë duhet të duhet jo vetëm për menaxhim të protestave, por edhe kur e luftojnë krimin dhe korrupsionin.

********************

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mbajë seancën e radhës plenare.

Në rend të ditës janë gjithsej 10 pika, prej të cilave edhe propozimi i Vetëvendosjes për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti.

Në pikën e 6-të të rendit të ditës, Kuvendi do të ketë shqyrtimin e parë të projektligjit për amnisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat