Ambasadori gjerman për takimin Thaçi-Merkel: Shpresoj vetëm të mira

Aktuale

Ambasadori gjerman për takimin Thaçi-Merkel: Shpresoj vetëm të mira

Më: 3 maj 2018 Në ora: 19:30

Liberalizimi i vizave do të ndodhë shpejt, vendim të cilin e merr Komisioni Evropian, i cila ka vënë edhe kritere tjera siç janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kështu ka thënë sot ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me rastin e zbulimit të shtatores së “Ambasadorit“ të Berlinit në Prishtinë, e ashtuquajtur ‘arushë’, e cila është punuar nga artistja kosovare, Arta Rudaku me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

Ndërkohë që Kosova ka ratifikuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, diplomati gjerman nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës si vendi i vetëm në rajon pa liri të lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian. 

Heldt: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kusht për liberalizim

“Këtë e shpresojmë të gjithë, por nuk vendosim ne ju e dini si qëndron vlerësimi i dy kritereve e ato janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në raste specifike. E gjithë kjo kontrollohet nga Komisioni Evropian, është një rrugë e  gjatë, unë shpresoj, por nuk vendosi unë por Komisioni Evropian”, ka thënë Heldt.

Ai ka folur edhe për vizitën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi më 9 maj në Berlin, ku do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel, duke shpresuar ky do të jetë një takim i mirë dhe i frytshëm.

Heldt: Nga takimi presim të mira

“Shpresoj vetëm te mira”, ka thënë shkurt ambasadori gjerman.

Diplomati gjerman po ashtu ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se duhet të vazhdojë, pasi është në të mirë të dyja vendeve.

Ai ka shtuar se nëse Kosova dhe Serbia duan të jenë pjesë e familjes evropiane, atëherë këto dy shtete duhet të kenë marrëdhënie miqësore.

Heldt: Kosova dhe Serbia të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore

“Besoj që ne fund duhet të ketë një lidhje ligjërisht e rregullt që qëndron në mes të dy shteteve dhe e mundëson një bashkëpunim normal. Nëse së bashku duam të jenë pjesë e familjes evropiane duhet të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ndër të tjera ambasadori Heldt ka thënë se në ditët e ardhshme do të fillojnë me festimet e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Gjermanisë dhe Kosovës.     

Heldt: Liberalizimi i vizave do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme

“Me arushën këtu, do të qëndroj para ambasadës një krijesë e larmishme me shumë ngjyra, në radhë të parë kjo do të duhej të sjellë më shumë lumturi apo më shumë fytyra të qeshura te njerëzit, para së gjithash tek ata të cilët presin para ambasadës këtu për t’i marrë vizat dhe për të udhëtuar në Gjermani, po shpresojmë që këta njerëz dita-ditës do të bëhen më të pakët. Ju e dini të gjithë që procesi i liberalizmit të vizave po ecën dhe ne po shpresojmë shumë që do të ec me hapa më të shpejtë dhe po shpresojmë që liberalizimi i vizave do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Për këtë arsye, kjo arushë do të jetë një simbol i një përshëndetjeje të ngrohtë nga Berlini dhe nga Gjermania për të gjithë njerëzit këtu”, ka thënë Heldt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat