Pse Haradinaj e ofendoi, ndërsa Thaçi e injoroi zhytësin Ismail Kasumi?!

Aktuale

Pse Haradinaj e ofendoi, ndërsa Thaçi e injoroi zhytësin Ismail Kasumi?!

Nga: I.J Më: 3 maj 2018 Në ora: 21:01
Ismail Kasumi bashkë me të bijën, sot në konferencë për media

Në ditën e gjashtë të kërkimeve është gjetur trupi i pjesëtarit të Policisë Malsor Dashi.

Në kërkimin e trupave të zhdukur të dy policëve kanë marrë pjesë shumë persona.

Sot kërkimit i ishte bashkangjitur edhe Ismail Kasumi me ekipin e tij.

Është pikërisht Kasumi me ekipin e tij që e hasi i pari trupin e policit tashmë të ndjerë, dhe e mbështolli me batanije për shkak të etikës profesionale.

Kasumi kishte pritur një ftesë nga institucionet përgjegjëse për t’u bashkuar aksionit, por rreth këtyre deklaratave të Kasumit, kishte reaguar edhe Ramush Haradinaj duke i kërkuar që të mos bëjë presion në punën që po bëhet.

“I kisha bërë të fala një zhytësi që po e quan vetën maestro, e kish lutur mos t’iu bëjë presion këtyre djemve nga të nxehtit atje”, kishte thënë Haradinaj.

E Kasumi një ditë pas ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Haradinajt. Ai ka thënë se nuk do të merret me deklaratat e Haradinajt. Por, ia ka kujtuar atij një mirënjohje që ia kishte dhënë pas përfundimit të luftës.

“Zoti Haradinaj as që du të merrem me të. Për ato që i thotë nuk kam asnjë koment. Thotë se nuk e njoh Ismail Kasumin. Por ka qenë Ismail Kasumi i cili për herë të parë kur është kthye nga lufta i ka dhënë mirënjohje. As që du me ndi për të”, ka thënë Kasumi.

Image
Ismail Kasumi ishte mik me Presidentin Rugova

Por, angazhimin e Kasumit nuk e kishte “vërejtur” as presidenti Thaçi i cili ishte drejtuar opinionit me një mesazh, duke lavdëruar punën e institucioneve dhe qytetarëve por jo edhe angazhimin e zhytësit Kasumi, i cili me ekipin e tij ndihmoi në gjetjen e trupit të policit të zhdukur.

“Pas një pune të përbashkët të institucioneve dhe qytetarëve, sot ekipet e përfshira në kërkimin e dy policëve të zhdukur në lumin “Lepenc”, kanë gjetur trupin e pajetë të njërit prej tyre. Njësitet e FSK-së, Policinë e Kosovës dhe qytetarët e angazhuar vullnetarisht i falënderoj për punën dhe mbështetjen e tyre, kurse familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre” – kishte shkruar Thaçi në Facebook.

Menjëherë pas gjetjes së trupit të policit të zhdukur, kishte reaguar edhe Ministria e FSK-së, e drejtuar nga AAK, duke u dhënë meritat njësiteve të FSK dhe AME-së.

Por edhe Ministria as një falënderim nuk e bëri për Kasumin dhe ekipin e tij, për kontributin e dhënë.

“Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca) sot në orën 15 e 45,  në kilometrin e 5-të nga vendi i aksidentit, kanë gjetur  trupin e pa jetë të policit Malsor Dashi”, thuhej në komunikatën e Ministrisë.

Por i gjithë ky “mllef” ndaj Kasumit nga ana e Haradinajt dhe anashkalimi nga Presidenti nuk mund të jetë i rastësishëm.

Ismail Kasumi gjatë asamblesë së kaluar ishte asambleist i LDK-së, dhe në Zgjedhjet Komunale të 2017-tës, po ashtu ishte kandidat i LDK-së për asamblesit të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat