Thaçi: Kosova, shembull i paqes dhe pajtimit

Aktuale

Thaçi: Kosova, shembull i paqes dhe pajtimit

Më: 3 maj 2018 Në ora: 21:03
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se të drejtat gjuhësore janë të rëndësishme për një shoqëri demokratike dhe element përbërës i ruajtjes së identitetit kulturor, si dhe parandalimit të margjinalizimit dhe diskriminimit.

Ai këto komente i bëri në konferencën e pestë vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionarëve të Gjuhëve, organizuar nga Zyra e Komisionarit për gjuhë dhe Zyra e Kryeministrit.

Kreu i vendit tha se Kosova ka krijuar kushtet e duhura për t’iu mundësuar të gjithë qytetarëve që lirshëm të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë identitetet e tyre gjuhësore, duke ua garantuar këto të drejta përmes Kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Thaçi: Qytetarët kanë të drejtë që lirisht të kultivojnë  kulturën

“Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që lirisht të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre dhe të ruajnë e përmirësojnë elementet esenciale të identitetit të tyre, veçanërisht fenë, gjuhën, traditat dhe trashëgiminë kulturore. Të drejtat gjuhësore janë të rëndësishme për një shoqëri demokratike”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti i vendit ka thënë se Kosova është shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Thaçi: Shteti ynë, shembull i mirë i paqes dhe pajtimit

“Si një shtet i ri, Kosova ka legjislacionin më të avancuar gjuhësor në Ballkan dhe ka uruar që të jetë model edhe për shtetet e tjera fqinje. Pa asnjë dyshim, shteti ynë është shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike. Për një shtet të ri, këto të arritura për një kohë kaq të shkurtër janë inkurajuese. Përkundër kësaj, ne duhet të punojmë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm, në mënyrë që të sigurojmë nivel sa më të lartë të zbatueshmërisë së të drejtave gjuhësore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shprehur bindjen se kjo konferencë do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore si në Kosovë, ashtu edhe në vendet tjera me karakter shumë gjuhësor.

Ndërsa, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, tha se promovojnë tre gjuhësinë, pasi gjuha është mjet komunikimi që shkon për tej ligjit. 

Boshtrakaj: Jemi në shërbim të atyre njerëzve që kanë nevojë me pa të vërtetën

“Unë gëzohem shumë që Muzeu I Kosovës, sonte është nikoqir i një institucioni që promovon një vlerë të veçantë të Kosovës, diversitetin gjuhësor, por jo vetëm. Gjuha është mjet komunikimi, por ajo që zyra juaj promovon, shkon për tej ligjit, shkon për tej gjuhës. Është një komunikim për vlerat, është përmbajtja dhe temat për të cilat zyra juaj punon fort dhe Muzeu i Kosovës, jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet tjera, do të jetë i hapur për kësi lloj projektesh, për kësi lloj takimesh dhe në veçanti kur kemi mysafirë nga vende të ndryshme, të cilat kanë nevojë me pa të vërtetën e Kosovës, jo vetëm për të dëgjuar për të”, tha Boshtrakaj.

Konferenca për gjuhët vazhdon edhe nesër, ku komisionarët nga Kanadaja, Irlanda dhe Spanja do të ndajnë praktikat më të mira për zbatimin e ligjeve për gjuhët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat