Barani rrëfen të bëmat e serbëve në Mitrovicë: Polici i quajtur Cipiripi u bie disa herë shqelma dhe i kërcënon se edhe një herë nëse...

Aktuale

Barani rrëfen të bëmat e serbëve në Mitrovicë: Polici i quajtur Cipiripi u bie disa herë shqelma dhe i kërcënon se edhe një herë nëse...

Nga: H.O. Më: 4 maj 2018 Në ora: 18:22
Pamje nga lufta në Kosovë

Kryetari i KMLDNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani në një postim të tij në Facebook ka përkujtuar keqtrajtimet e serbëve ndaj shqiptarëve në qytetin e Mitrovicës.

I ka folur për fundin e muajit shkurt të vitit 1994 dhe fillimin e muajit mars. Barani ka treguar se si serbët kanë kërkuar armë tek shqiptarët në secilën shtëpi, e më pas edhe nëse nuk kanë gjetur armë i kanë sulmuar fizikisht shqiptarët.

Ai në një postim të gjatë ka rrëfyer këto ngjarje:

Më 22.II.1994, në orën 630 të mëngjesit, 18 policë dhe tre (3) civilë serbë të SPB - së shkojnë në lagjen “Ilirida”, në shtëpinë e Veli (Zeqir) Brahimit (54), me ç’rast e bastisin shtëpinë, ku gjejnë një pushkë gjuetie, për të cilën Veliu e posedonte lejen përkatëse. Pas një orë bastisje, policët arrestojnë djalin e tij, Fehmiun (17), të cilin në organet policore e keqtrajtojnë fizikisht dhe bëjnë përpjekje që ta detyrojnë të pranojë se babai i tij posedon edhe armë tjera, përveç asaj që e barte me leje. Në fund e lirojnë, duke e porositur që askush mos ta dijë për kërkesat e policisë që i ishin bërë.

Të njëjtën ditë, në të njëjtën lagje, policët Dejan Saviq e Nenad Paviqeviq keqtrajtojnë fizikisht Hazir Ademin (55) nga fshati Broboniq i Mitrovicës, vetëm pse nuk diti t’u përgjigjet në gjuhën serbe në pyetjet që ata ia bënë.

Më 23.II.1994, në orën 930, njëmbëdhjetë (11) policë serbë, me tri automjete, shkuan në fshatin Vinarc të Poshtëm të Mitrovicës, me ç’rast bastisën shtëpinë e Hakif Jasharit (58). Meqë nuk gjetën armë, policët arrestuan Hakifin dhe djalin e tij Musan (27). Këta në polici u mbajtën dy (2) orë, duke i keqtrajtuar fizikisht. Të njëjtën ditë, tre policë serbë (njëri prej tyre Teofil Vujnoviq, malazez) shkojnë në lagjen “Ilirida”, në një shtëpi – shkollë (punkti nr. 1), ku ishin duke i zhvilluar mësimet nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”. Pasi i nxjerrin me dhunë nxënësit, i ndalin profesorët: Hasan Veliqin dhe Abit Maxhunin, prej të cilëve kërkojnë shpjegime se pse nuk i zhvillojnë mësimet në objektet shkollore, por në shtëpi private. Pasi këta ua shpjegojnë arsyen, polici i quajtur Cipiripi u bie disa herë shqelma dhe i kërcënon se edhe një herë nëse i zënë në këtë punkt, do t’i pushkatojnë të gjithë, nxënës dhe profesorë. Vlen të përmendet se që nga fillimi i vitit shkollor e deri më datën e lartshënuar, në shtëpinë – shkollë në fjalë, 41 herë pati ndërprerje të mësimit nga policia kriminele serbe.

Se okupatorit serb i pengonte shkollimi i shqiptarëve, flasin vetë faktet që u përmenden më herët, por edhe këto që do të përmenden në vazhdim.

Më 24.II.1994, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e dënoi me 10 vjet burg të rëndë Raif (Brahim) Qelën (33) nga fshati Rashan i Mitrovicës, me vendbanim të përhershëm në lagjen “Ilirida”, i cili edhe më herët, më 1979, si nxënës shembullor, u dënua me 60 ditë burg. Po ashtu më 1984, si student i dalluar në Fakultetin e Matematikës, qe dënuar me 12 vjet burg, prej të cilave 6 i vuajti nëpër kazamatet jugosllave.

Ndërsa më 23.II.1994, në orën 730 të mëngjesit, 13 policë serbë shkuan në lagjen “2 Korriku”, ku bastisën shtëpinë e Bislim Musës, me pretekst të kërkimit të armëve. Pasi policia nuk gjeti atë që kërkonte (armë), arrestuan dy vëllezërit, Nezir e Beqir Musën, të cilët në polici i mbajtën dy ditë, ku u keqtrajtuan fizikisht dhe pas dy ditësh, kur u liruan, policët i përcollën deri në shtëpi, pastaj ua morën pasaportat dhe në fund u kërkojnë falje se i kanë arrestuar gabimisht.

Më 25.II.1994, shtatë (7) policë serbë shkojnë në lagjen “2 Korriku” të Mitrovicës, me ç’rast bastisin shtëpinë e Milaim Ahmetit, me pretekst të kërkimit të armëve. Pasi policët nuk gjetën armë, ua plaçkitën pasaportat Milaimit dhe Mirsadit, të cilët i arrestuan. Në polici u mbajtën tri orë, duke u keqtrajtuar fizikisht. Të njëjtën ditë, policët e stacionit policor të Stantërgut, Velko Mihajloviq dhe njëfarë Binaku, si dhe një tjetër, emrin e të cilit nuk patëm mundësi ta mësojmë, shkojnë në fshatin Rashan të Mitrovicës, ku bastisin shtëpitë (familjet) e Xhafer Osmanit, Izet Osmanit dhe Mursel Osmanit. Gjatë bastisjes, këtu gjetën një pushkë M-48, një revole 7,65 (të dyja pa leje) dhe një pushkë gjuetie me leje përkatëse. Xhaferit dhe Izetit policët u lënë ftesa që të nesërmen të paraqiten në stacionin policor në Stantërg.

Më 28.II.1994, në orën 1630 , në çajtoren “Blini”, në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, polici i quajtur Dragan, i cili ishte pa uniformë, e rrahu Ilir (Shefqet) Haxhiun (19) në prani të shumë qytetarëve, pa kurrfarë shkaku.

Më 1.III.1994, prej orës 730 – 1000 para dite, katër (4) ushtarakë serbë, me automjetin e tyre të tipit (Villus), shëtitën rrugëve të lagjes “Ilirida”, duke fotografuar dhe incizuar. Kur afrohen afër shkollës fillore “Migjeni” shtien me revole dy herë në ajër. Gjithashtu edhe në të kthyer, në afërsi të xhamisë së Haxhi Veselit, shtien një herë në ajër.

Këso provokimesh bënin pandërprerë ushtria serbe.

Po të njëjtën ditë, në orën 830, shtatë (7) policë serbë shkojnë në fshatin Rashan, me ç’rast bastisin familjet e Muhamet, Brahim, Shahin e Adem Sadikut dhe të Nazmi Osmanit. Pasi nuk gjejnë atë që kërkojnë, policët serbë prej këtyre kryefamiljarëve kërkojnë që të dorëzojnë të gjithë nga një revole. Pasi ata nuk kishin armë, policët i keqtrajtojnë fizikisht në prani të anëtarëve të familjeve të tyre. Me t’u tërhequr, policia ua lë të gjithëve ftesat që të nesërmen, më 2.III.1994, në orën 800 , të paraqiten në stacionin e policisë në Stantërg. Në fund, policët i thonë Shahinit që ky së bashku me djalin e tij, Ilirin, më 3.III.1994 të paraqitet në SPB – në e Mitrovicës.

Më 3.III.1994, rreth orës 930, tre (3) policë serbë hyjnë në lokalet e shkollës fillore “Migjeni”, ku, pos filloristëve, mbanin mësim edhe nxënësit e vitit të parë e të dytë të SHME “Hasan Prishtina”. Ata, pos fyerjeve që ua bënë nxënësve, sidomos profesorëve, Qazim Tmava dhe Fatmire Ymeri, i urdhërojnë që menjëherë ta braktisin lokalin, përndryshe pas 5 minutash do të fillojnë ata vetë t’i nxjerrin me dhunë.

Më 5.III.1994, rreth orës 1400, në lagjen “Ilirida”, policia serbe ndali dhe arrestoi aktorët e teatrit “DODONA”, Adem Zhitopotokun, Avni Dalipin, Jehona Goranin, Gjejlane Godancin dhe Magbule Kelmendin, si dhe teknikët e Teatrit Kombëtar, Asllan Hysenin, Vegim Ramadanin dhe Xhevdet Hoxhën, të cilët po ktheheshin nga shkolla fillore “Migjeni”, ku kishin shfaqur një dramë për fëmijë (nxënës) të shkollës në fjalë. Policët i arrestojnë aktorët, i dërgojnë në polici, pasi i marrin në pyetje i detyrojnë të shkruajnë deklarata, i fyejnë në baza kombëtare, duke ua sharë nënën, teatrin dhe kulturën shqiptare. E keqtrajtojnë fizikisht Adem Zhitopotokun dhe në fund i lirojnë me porosinë që të heqin dorë nga aktivitetet e tyre kulturore.

Më 7.III.1994, gjashtë (6) policë serbë, të cilëve u printe polici Sekulla Jokanoviq – Pacovi, shkojnë në lagjen “Bair” të Mitrovicës, në shtëpinë e Mehmet Gubetinit. Pasi bastisin shtëpinë dhe objektet tjera ndihmëse e nuk gjejnë asgjë, arrestojnë Mehmetin, të cilin në SPB e mbajnë prej orës 920 deri në ora 1230 , duke e keqtrajtuar fizikisht. Në fund e lirojnë me kusht që ai të paraqitet prapë në polici të nesërmen dhe me vete të sjellë një revole. Ai paraqitet të nesërmen, por pa armë, për çka prapë policët e rrahin dhe e urdhërojnë që të nesërmen, më 9.III.1994, të paraqitet përsëri dhe të sjellë armën e kërkuar. Të njëjtën ditë, 7 mars, në orën 1600, 12 policë serbë shkojnë në lagjen “Ura e Gjakut”, ku bastisin shtëpinë e Skender (Mujë) Skenderit (42). Pasi nuk gjejnë asgjë, policët e keqtrajtojnë rëndë fizikisht djalin e Skenderit, Sylejmanin (18), i cili ishte vetëm në shtëpi, pasi që Skenderi me anëtarët tjerë të familjes ishte në Gjermani. Policët kërkuan nga Sylejmani një automatik, të cilin para pesë (5) vitesh, sipas policëve, Skenderi e paska blerë në Pejë. Në ato momente, në oborrin e shtëpisë në fjalë, hyn Feriz (Bajram) Skenderi (43) për të parë se çka po ndodhë, pasi që i kishte dëgjuar britmat e Sylejmanit. Dy policë, pa kurrfarë paralajmërimi, vërsulen mbi Ferizin, të cilin e rrahin në mënyrën më barbare, deri në alivanosje. Britmat i dëgjon edhe Nimon (Mujë) Skenderi (48). Edhe ai shkon në oborr, ku policia edhe atë e keqtrajtojnë fizikisht. Në fund, duke u tërhequr, policia bastis edhe shtëpinë e Nimanit, të cilit ia plaçkitin pasaportën dhe i urdhërojnë gojarisht që këta të tre të nesërmen të paraqiten në SPB – në e Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat