Hoxha: Duhet të bëjmë më shumë për t’u integruar në BE

Aktuale

Hoxha: Duhet të bëjmë më shumë për t’u integruar në BE

Më: 7 maj 2018 Në ora: 14:59
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Mitrovicës me temën “Arsimimi dhe Erasmus +”, e cila veç tjerash ka për qëllim ngritjen e vetëdijes në shkallë më të lartë për qasje ndryshe ndaj arsimit.

 Ajo tha se programet e Erasmusit sjellin nëpër institucionet e larta në Kosovë përfaqësues të shumë universiteteve të BE-së për sesione informuese, programe dhe bursa të mundshme që mund t’ju japin studentëve, dhe kjo siç u shpreh ajo, do të ishte një rast i mirë për të gjithë studentët që të shikojnë mundësitë për të avansuar në studimet e tyre.

Sipas saj, e ardhmja dhe synimi i të gjithëve në Kosovë është integrimi euroatlantik, për çka duhet të bëjnë të gjithë më shumë, sidomos në fushën e arsimit dhe edukimit.

 Duke folur për integrimin, ajo përmendi sfidat që janë përpara, për çka tha se rruga drejt reformave jo çdo herë është e lehtë.

Hoxha: Tempoja për të hyrë në BE varet nga ne

“Sa i përket të ardhmes tonë kolektive, kjo tashmë është e definuar se synimi ynë strategjik, pra i Kosovës, është integrimi euroatlantik dhe ne veç kemi bërë hapin e parë në lidhje me këtë. Pra me nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit, Kosova veç ka bërë hapin e parë dhe është e ankoruar drejt këtij rrugëtimi. Mirëpo, tempoja me të cilën do të hymë në BE varet nga ne. Duhet të bëjmë më shumë, ne si vendimmarrës, por edhe ju si studentë… Dhe kjo është e mundur vetëm nëse ne të gjithë jemi të përkushtuar drejt arsimit, edukimit, pra duhet të kemi vullnet sa më të madh që ta vazhdojmë këtë reformë të cilën e kemi filluar në fushën e arsimit. Gjithashtu duhet t’I kemi parasysh edhe sfidat të cilat janë para nesh. Unë jam e vetëdijshme për këto sfida. Rruga drejt reformave jo çdo herë është e lehtë”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, Alush Musaj, rektor i universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, potencoi se vlerat evropiane kanë qenë dhe mbeten synime, jo vetëm të universitit dhe studentëve, por edhe të të gjithë qytetarëve. Ai ka përmendur regjimin e vizave si problemin kryesor të barrierave të mëdha për studentët.

Musaj:  Dy studentë s’kanë mundur të shkojnë në studime sherri i vizave

“Mund të themi se barrierat sikurse janë regjimi i vizave kanë krijuar barriera të mëdha. Kemi dy studentë të cilët kanë fituar të drejtën për të shkuar në Francë, por pikërisht barriera e vizave, ata nuk kanë pasur mundësi të lëvizin…Vlerat evropiane kanë qenë dhe mbeten synimet tona, jo vetëm si universitet dhe studentë, por edhe si qytetarë, dhe shpresojmë se shumë shpejtë edhe Kosova, bashkë pra universiteti I Mitrovicës, studentët dhe stafi akademik, do të marrim së shpejti një lajm të mirë nga ju si minister, nga qeveria dhe nga vetë shteti ynë”, theksoi Musaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat