Polici thotë se u kërcënua nga togeri për një aksident më 2014

Aktuale

Polici thotë se u kërcënua nga togeri për një aksident më 2014

Më: 8 maj 2018 Në ora: 17:37
Pamje nga seancakërcënua

Zyrtari policor, Fisnik Veseli, ka deklaruar se ishte kërcënuar nga togeri i tij, Fadil Surkishi, për të vepruar sipas urdhrave të tij, në mënyrë që të ndryshohen faktet e një aksidenti që kishte ndodhur në shkurt të vitit 2014, në rrugën “Skënderbeu”, në Podujevë.

Lidhur me këtë rast, Fadil Surkishi, në cilësinë e togerit të Stacionit Policor në Podujevë, tash akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë dëshminë e tij, polici Fisnik Veseli, i cili kishte qenë në vendin e ngjarjes kur kishte ndodhur aksidenti në komunikacion, raporton Betimi për Drejtësi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit, Merrushe Llugiqi, polici Fisnik Veseli, ndër të tjerash, ka thënë se ka qenë i kërcënuar që të veprojë sikurse e ka urdhëruar togeri, tani i akuzuari, Fadil Surkishi.

“Unë jam ndier i kërcënuar, që nëse nuk veproj siç më ka urdhëruar togeri, më ka thënë se kam me zbatuar procedurë për moszbatim të urdhrave të eprorit”, ka thënë Veseli.

Ai ka treguar se si ka ndodhur rasti në tërësi, prej momentit që e ka kuptuar se ka ndodhur aksidenti.

“Aksidenti ka ndodhë në shkurt të vitit 2014, kam qenë në patrullë me kolegun Fehmi kur është raportu një aksident trafiku në rrugën “Skënderbeu”, në Podujevë. Ne kemi shku në vend të ngjarjes, ku kemi bo fotografi, kemi pa dy vetura të aksidentuara, dhe kemi fillu skicimet e vendit të ngjarjes”, ka thënë Veseli.

Ai më pas ka thënë se kolegun e tij, e kishte thirrur në telefon një tjetër kolege e tyre.

“Derisa kemi shku tek vendi i ngjarjes, Fehmiun e ka thirr Vjollca Avdiu, që është kolege e jona, i ka thënë se bashkëshorti i saj ka bërë aksident, këqyrni boni diçka”, ka thënë Veseli.

Sipas Veselit, aksidenti kishte ndodhur sepse njëri prej të aksidentuarve, kishte dal nga shiriti lëvizës, në anën e kundërt dhe e ka goditë veturën tjetër.

“Së bashku me kolegun Ramë Visoka, kemi përpiluar kallëzimin penal kundër Xhavitit, në ditën që ka ndodhur aksidenti”, ka shtuar Veseli.

Ai ka thënë se pas tre-katër ditësh i ka kontaktuar togeri Fadil Surkishi, i cili e kishte ftuar që të takoheshin në zyrë.

“Fadili më ka thënë se kam bo gabim në kallëzim penal dhe më ka thënë me e ndryshu kallëzimin. Fillimisht nuk kam pranu, i kam thënë që nëse nuk është qashtu le ta ndryshon Gjykata”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, ai nuk ka qenë i pajtimit, por tani i akuzuari Fadil Surkishi, siç ka thënë ai, kishte insistuar që të ndryshohet ai kallëzim penal.

Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit, është dëgjuar edhe Isak Ejupi, i cili në atë kohë kishte qenë komandant i Stacionit Policor në Podujevë.

“Fillimisht unë kam pranu një ankesë të koleges tonë, Vjollca Hoxha, që është bashkëshorte e njërës prej palëve të përfshira në aksident. Pastaj sipas detyrës zyrtare, e kam ftuar Fadilin, i cili më ka thënë që është ekspert në aksidentet e trafikut dhe i kam kërku të merret me ankesën dhe të shikohet çka ka ndodhë”, ka shtuar Ejupi.

Sipas Ejupit, ai më vonë është takuar me Fisnik Veselin, i cili sipas tij, i kishte thënë që po kërkojnë ta ndryshojnë raportin. Sipas Ejupit, ai i është përgjigjur se nëse e ka përshkruar gjendjen faktike siç është, deklarata dhe raporti nuk bënë të ndryshohen.

“Unë i kam ftuar të dy palët e aksidentit dhe ajo që më ka thënë njëri prej të aksidentuarve është përputhë komplet me atë që më ka thënë polici Fisnik Veseli. Unë dyshoj se presioni i koleges dhe njëkohësisht bashkëshortes së njërës prej palëve në aksident, e ka shtyer Fadilin që ta bëjë këtë ndryshim”, ka thënë në fund Ejupi.

Seanca e radhës, ku do të pyeten dëshmitarët tjerë, është caktuar më 13 qershor 2018, në ora 09:00.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 3 janar të këtij viti, i akuzuari Fadil Surkishi, ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Fadil Surkishit më 16 nëntor 2017, me dyshimin se i njëjti kishte kryer në vazhdimësi veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Surkishi dyshohet se kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër.

Sipas aktakuzës, Surkishi në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë.

Surkishi, sipas prokurorisë, me qëllim kishte ndryshuar detaje rreth aksidentit dhe vendit të ngjarjes, përkundër faktit se dëshmitari Behxhet Gashi, nuk kishte qenë i pajtimit që ai ta bëj një gjë të tillë.

Surkishi pretendohet se kishte ndikuar edhe te zyrtari Fisnik Veseli, duke e detyruar të njëjtin të bëj ndryshime në raport dhe kallëzim penal, mirëpo Veseli kishte përpiluar po ashtu raportin e oficerit dhe kishte treguar arsyet e ndryshimeve në raportin policor dhe kallëzimin penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat