Thaçi: Ndikimi turk në Kosovë, tepër i vogël në krahasim me atë rus

Aktuale

Thaçi: Ndikimi turk në Kosovë, tepër i vogël në krahasim me atë rus

Më: 8 maj 2018 Në ora: 20:14
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi flet për forca antiperëndimore në Europën juglindore. Ai shpreson në mbështetje më të madhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel, shkruan handelsblatt.de, që ka kryer një intervistë me të.

Thaçi fillimisht ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës dhe pret shumë nga samiti i Sofjes.

“Ne i jemi falënderues Gjermanisë për mbështetjen e rrugës tonë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.  Kancelarja Angela Merkel luajti rol qendror në marrëveshjen e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit,” tha ai duke shtuar se zgjerimi i BE-së është për të shmangur ndikimet e rrezikshme ideologjike dhe të forcave tjera anti-europiane dhe anti-perëndimore mbi Ballkanin Perëndimor. “Në samitin e Sofjes presim respekt dhe trajtim të barabartë si të gjitha shteteve tjera të rajonit.”

Presidenti Thaçi theksoi se është Rusia ajo që ndikon te Serbia për të mos u arritur marrëveshjet mes të dyja vendeve, ndërsa BE asnjëherë nuk duhet të tolerojë një “vrimë të zezë” mbi Ballkan.

Në pyetjen e gazetarit gjerman se çfarë mendon për ndikimin turk mbi Ballkanin, ai përgjigjet:

“Në krahasim nga Rusia, ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor është shumë i vogël. Me Turqinë ne kemi raporte në rrafshin shtetëror, megjithatë vendimet i marrim me diskutime nga BE dhe SHBA. Por natyrisht ne duam të mbajmë partneritetin me Turqinë në bazë të interesave të përbashkëta. Por kurrë nuk do tolerojmë që Turqia të shtojë ndikimin mbi vendin tonë. Ne nuk tolerojmë përzierje në interesat tona të brendshme.”

Në lidhje me liberalizimin e vizave ai shpreson që gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do mund të udhëtojnë pa viza në gjithë hapësirën e zonës Shengen, pasi nga Kosova “janë përmbushur gjithë kriteret.”

Në lidhje me çështjet e brendshme Thaçi shtoi se ekonomia e Kosovës është në rritje prej 4 përqind dhe shpreson rimëkëmbjen e turizmin dimëror, ndërsa gjithashtu tha se qeveria është stabile.

Në pyetjen e fundit se ku e shikojmë Kosovën pas dhjetë vitesh, Thaçi tha: “Kosova atëherë do jetë anëtare e NATO. Pse jo edhe anëtare e BE dhe OKB? Do bëjmë gjithçka për të arritur këtë qëllim madhor.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat