BE nuk jep afat kur hiqen vizat, ja çfarë kërkon nga Kosova

Aktuale

BE nuk jep afat kur hiqen vizat, ja çfarë kërkon nga Kosova

Më: 9 maj 2018 Në ora: 12:37
Natalya Apostolova dhe Dhurata Hoxha

(E plotësuar) - Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Aposotolova nuk ka dashur që të japë ndonjë afat se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

Por, ajo ka ftuar institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me punën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këto komente Apostolova i ka bërë pas hapjes së panairit të arsimit me shtetet anëtare në BE, pikërisht në Ditën e Evropës, ku ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë do të ofrojnë mundësi informacioni për bursa në shtetet e tyre.

“Nuk dua ta përfshij veten me afate kohore, pasi vendimi për udhëtimin e lirë pa viza do të merret nga vendet anëtare, kështu që ne nuk mund të flasim në emër të tyre, por inkurajojë institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me punën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të fuqizojnë institucionet dhe sundimin e ligjit. Të gjitha këto do të ndihmojnë vendet anëtare të marrin vendim pozitiv”, tha Apostolova.

Gjithashtu, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, shpreson që shumë shpejt do të jenë në gjendje të kremtojnë Ditën e Evropës me Kosovën si pjesë përbërëse e familjes evropiane.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, theksoi se ditët e viteve të ardhshme shpreson se  Kosova do të jetë edhe më afër Bashkimit Evropian.

Mirëpo, ajo ka kërkuar nga qytetarët që të gjithë së bashku të punojnë, ta reformojnë vendin dhe ta bëjnë Kosovën më të fortë ekonomikisht, më të fortë politikisht që të rinjtë të kenë perspektivë. Ajo u shpreh se janë të përkushtuar të gjithë që qytetarët e Kosovës të lëvizin sa më shpejt lirshëm pa viza.

“Unë dua të them se të gjithë jemi të përkushtuar që qytetarët tanë të kenë lëvizje të lirë sa më shpejt që është e mundur, tani ne e kemi bërë punën tonë dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt procesit të integrimit evropian. Të gjitha çka duhet t’i bëjmë Kosova është e ka vullnetin politik dhe është e përkushtuar që t’i bëjë, por gjithashtu dua të them se ne shpresojmë që deri në fund të këtij viti qytetarët tanë do të mund të lëvizin të lirë. Por, gjithsesi besoj që 9 maji i vitit të ardhshëm do të jetë vit i lëvizjes së lirë për qytetarët dhe për studentët tanë”, theksoi Hoxha.

Studentja e gjuhës angleze Dorina Imami, kishte marrë pjesë në hapjen e këtij panairi, për të shikuar për bursa për studime master, meqë aktualisht është në përfundim të nivelit bachelor.

“Unë jam studente e vitit të tretë të gjuhës angleze, në përfundim të bachelorit dhe kam ardhur sot me pa për bursa për studimet master. Normal që secili shtet i jep mundësitë e veta dhe i ka edhe ofertat më të mira kështu që kam ardhur pse jo me fitua në bursë me studiua jashtë. Normal që unë pres me u kthy këtu dhe me dhanë kontributin në vendin tim”, tha ajo.

Hapja e këtij panairi u bë më 9 maj, pikërisht në Ditën e Evropës, ditë kjo që në Kosovë është festë zyrtare dhe ditë pushimi. Gjatë viteve të kaluara disa herë ishte kërkuar që kjo datë të hiqet nga kalendari i festave zyrtare, sepse këtë ditë as vetë shtetet anëtare të BE-së nuk e kanë ditë pushimi.

Image

***

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, me rastin e shënimit të Ditës së Europës ka thënë se shpreson që ditët e ardhshme të Evropës, Kosova të jetë sa me afër BE-së.

Ajo tha se Kosova është e gatshme për kryerjen e punëve të cilat i janë caktuar dhe se 9 maji i vitit të ardhshëm do te jetë datë ku qytetarët do ta kenë lëvizjen e lirë, dhe liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, që shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha që Kosova e ka kryer punën më të madhe për liberalizimin e vizave, mirëpo kanë mbetur ende sfida për t'u tejkaluar.

Ajo ka thënë se nuk mund të flitet për një afat kohor për heqjen e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat