Kosova dhe Serbia përleshen edhe për karateistët – reagon OSBE

Aktuale

Kosova dhe Serbia përleshen edhe për karateistët – reagon OSBE

Më: 9 maj 2018 Në ora: 14:15
OSBE

Misioni i OSBE’së në Kosovë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndajnë sportin nga politika dhe të ruajnë frymën e ngjarjeve sportive në të gjitha diciplinat

Përmes dy reagimeve dje dhe sot, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë ka shprehur shqetësimin pasi Federata e Futbollit të Kosovës nuk lejoi që klubi serb i futbollit, Crvena Zvezda, të luajë një ndeshje miqësore në Graçanicë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka pranuar me shqetësim lajmin për ndalimin e ndeshjes humanitare mes KF Crvena Zvezda, Beograd dhe KF Graçanica nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës. Në lidhje me këtë dhe anulimet e ngjarjeve tjera sportive kohëve të fundit, Misioni i OSBE-së dëshiron të ritheksojë nevojën për ndarjen e çështjeve politike nga ngjarjet sportive dhe ruajtjen e frymës së sportit në të gjitha disciplinat”, thotë ky mision.

Ngjashëm, OSBE ka reaguar edhe pas ndalimit të ekipit kosovar të karatesë, të cilët u kthyen në kufi sot në mëngjes dhe nuk u lejuan të marrin pjesë në një turne në Novi Sad.

“Pas lajmit për pamundësinë e karateistëve të Kosovës që të marrin pjesë në një turne në Novi Sad, Misioni i OSBE-së në Kosovë dëshiron të ripërsërisë thirrjen e vet për depolitizim të sportit dhe që të bëhen të gjitha përpjekjet që ngjarjet sportive të mbahen pa ngarkesa politike”, thuhet në reagim, duke bërë thirrje për dialog mes palëve dhe mundësim të zhvillimit të ngjarjeve sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat