Porositë e Merkel për Thaçin: Na kini në krah, por luftoni krimin dhe korrupsionin

Aktuale

Porositë e Merkel për Thaçin: Na kini në krah, por luftoni krimin dhe korrupsionin

Më: 9 maj 2018 Në ora: 18:01
Angela Merkel dhe Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka theksuar pas takimit me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Merkel tha gjatë një konference për media se ka pasur zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim.

“Temë qendrore lidhur me përafrimin drejt Bashkimit Evropian janë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo sipas pikëpamjes sime dhe sipas bisedës që kemi pasur sot është një temë qendrore që nuk është temë aq e thjeshtë, por duhet të themi se ka pasur zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim”.

“Marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen dhe unë mendoj që aktualisht prioritet është edhe çështja energjetike dhe këto biseda do të zhvillohen gjatë takimit tonë në Sofje të Bullgarisë ”, tha Merkel.

Merkel tha se sfidues për shtetin e Kosovës mbetet sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, numri i lartë i papunësisë dhe problemet tjera që ndikojnë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Kemi tashmë 10 vjet që Kosova është shtet i pavarur dhe prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të them që është arritur shumë. Më shumë se 100 shtete kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por kemi ende shumë probleme të pazgjidhura dhe ka hapa që duhet të ndiqen, mirëpo ka edhe përmirësime me rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”, tha Merkel.

Image

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se në kontekst të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës për integrim në Bashkimin Evropian ‘është jetike që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet ndërshtetërore dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj porosia ime si president i Kosovës për shtetin e Gjermanisë dhe kancelaren Merkel është se ne jemi gati si Kosovë të hapim këtë kapitull për të bërë hapin vendimtar me dialogun me Serbinë për arritur marrëveshjen ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës nënvizoi se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë fare e lehtë as për Kosovën e as për Serbinë, mirëpo siç theksoi ai ‘nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara’.

“Duhet të gjemë mënyrën që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare dhe të hapim epokën e paqes dhe pajtimit ndërmjet popujve tanë, marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke”, tha Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Berlin, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Gjermani, siç thuhet për të shtyrë përpara agjendën bilaterale dhe evropiane të Kosovës.

Image

Thaçi takohet me Merkelin: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se vendi ynë është i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe integrim në BE, dhe se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet ndërshtetërore dhe të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Ai këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për media me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin.

Kreu i shtetit të Kosovës tha se vendi ynë është i gatshëm për të hapur këtë kapitull për të bërë hapin vendimtar në dialogun me Serbinë për të arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ai e pranoi se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë, por shtoi se nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara përveç dialogut dhe marrëveshjes.

Presidenti Thaçi tha se përmes dialogut do të gjendet një marrëveshje që do të hapë epokën e paqes dhe pajtimit mes popujve tanë, dhe se marrëveshja finale duhet të përfundojë me njohje reciproke, pasi vetëm kjo mundëson heqjen e pengesave për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.

“BE duhet të vazhdojë të luajë rolin e vet ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundimtare, por e mirëpres edhe një rol aktiv, ndihmues në këtë proces të kancelares Merkel, pasi gëzon respektin në Kosovë dhe Serbi”, është shprehur presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat