“Numëroja krimet, shkele në varrë Xhavit Halitin, deri në një vendim tjetër”

Aktuale

“Numëroja krimet, shkele në varrë Xhavit Halitin, deri në një vendim tjetër”

Nga: D.RR Më: 11 maj 2018 Në ora: 21:36
Kimete Berisha dhe Xhavit Haliti

Pas debatit mes Anton Qunit dhe Xhavit Halitit në lidhje me 8 milion markat e luftës, ku Haliti akuzohet nga Quni se ai i mori ato, publicistja Kimete Berisha ka shkruar rreth tyre.

Ajo thotë se kur hesht Isa, heshtin të gjithë, e përveç Anton Çunit, i cili ia numëroi 8 milionë euro krime Xhavit Halitit. Ajo tutje shkruan se e pamë Xhavit Halitin, për herë të parë pas 20 vjetësh, kah i dridhet kafka e i gjithë skeleti, kah i nxihet buza e kah i këputën gjunjë.

Gjithashtu shkruan edhe për Albin Kurtin, i cili u taku me “serbin e mirë” sipas Berishës.

Postimi i plotë:

Do të na fryej një tjetër erë, 
hajt se n'vjeshtë-hajt se n'pranverë.

1. Albini u shkri prej lezetit se e ka zbulu një 'serb të mirë'.

Serb i mirë ka qenë edhe Danilo Kishi, por ai babën e ka pas jewish, e nanën të Malit të Zi, si Kaqusha Jashari. 
Falë këtij fakti, Kaqushës i kanë besu me qenë kryetare e komunistëve të Kosovës në kohën e Sllobodan Millosheviçit (lëre ti masandej çka ka ndodh), në kohën kur ushtarët shqiptarë ktheheshin nga shërbimet ushtarake jugosllave në arkivole.
Sot ti s'mundesh m'i fut hundën askund nëse s'je me pushtetin, lëre ti në atë kohë.

Kaqusha ende është magnet për bijtë e komunistëve, magnet për Dardanin e këta, që si armën e fundit kundër vetes (pas gazit lotsjellës e mjeteve tjera të dhunës) e përdorën kaqushën
dhe i dhanë vulë.

(Kuriozitet: veç te shqiptarët gjen emër Kaqushë e Dëshprim).

Popullit iu këputën këmbët në gjunj kur e panë se të pakënaqurit i dhan fund pakënaqësisë së tyre kur shkuan te Kaqusha, e jo Kaqusha te ta. Nuk u krijua asnjë parti e re, por u ngjall partia 'e vdekur'.

Nevoja e shqiptarëve me demokratizu Serbinë është shumë e madhe, më e madhe se Stambolli. Autori i parë i kësaj 'nevoje' është anonim, por dihen Adem Demaçi, Veton Surroi, Shkelzen Maliqi e kllapa e tij, shumë kanë punu me demokratizu e me vetëdijësu Serbinë.

Edhe Vjosa Osmanit fytyra ju kish çel sot prej lumturie që e kish 'zbulu' serbin e 'mirë', Çedomirin.

Shqiptarët e lidhin fatin e tyre me Serbinë dhe shumë gëzohen kur e shohin se në Serbi jeton një serb që na bën hesap për njerëz.

2. Me ikë në Paris, a thu a do të na shpëtonte bukuria!

Prej se u bë Ramushi kryeministër, populli u ra në depresion. 
Jo pse ky po punon më keq se të tjerët, por sepse kurrë s'ka ndodh që kaq shumë njerëz të këqij e m'u bë bashkë e me udhëheq këtë vend.

Kemi mbajt ymyd në LDK-në që shpejt na nxjerr prej situate, po çfarë, LDK si fëmija, më mirë sillen dhe urtohen kur prindin nuk e kanë në shpi. Kryetari, më mirë kur e udhëheq partinë e tij nga largësia, në mënyre platonike, pa fjalë. 
Kur hesht Isa-heshtin të gjithë.

(Përveç Anton Çunit, i cili ia numëroi 8 milionë euro krime Xhavit Halitit. E pamë Xhavit Halitin, për herë të parë pas 20 vjetësh, kah i dridhet kafka e i gjithë skeleti, kah i nxihet buza e kah i këputën gjunjët).

Gjuha prej tuli, kush s'po të ndal, numëroja krimet, shkele në varrë Xhavit Halitin, deri në një vendim tjetër.

Edhe s'kanë vota të mjaftushme LDK-ja. Lista serbe si 'spontanisht' u kthyen në qeveri, ku me ditë për sa pare, për çfarë çmimi vet fakti se Nenad Rikalo e largoi prej punës drejtorin shqiptar veç pse siç thuhet nuk pranoi t'ia jap gruas së Rikalos 80 mijë euro.

Shkon koha shpejt. 
...jo ramazani, jo deti, jo kënaqësitë e jetës....Fukarallak po, por jo bash-bash, janë do kënaqësi të jetës që herë na i paguan dikush tjetër, e herë kushtojnë falas.

Prandaj, tek në vjeshtë, kryhen dasmat, kryhen synetitë, martohet kush e ka njet, kryhen vizitat e bashkëatdhetarëve, kthehemi nga natyra nëpër shpija, kthjellemi dhe i kthehemi temës së zgjedhjeve. 
Deri atëherë, le të shkatërrojnë sa të duan se s'ka kush kohë m'u marr me ta.

3. Dikush gjen prehje në 'vdekje'!

Kur i gjalli e lakmon të vdekurin, kjo thonë është shenja e parë e kiametit! 
A ju ka ndodh ta lakmoni të vdekurin? Mua, më ka ndodh. Disa herë. Sidomos kur shoh të vdesin të pikëlluarit. Nuk themi rastësisht 'paska shpëtu' që paska vdekur filan i pikëlluari.

Shkencëtari australian 104 vjeç i ngopur e i mërzitur me jetën, pa qenë i sëmurë e lypi dhe e gjeti vdekjen në 'fshatin turistik' zviceran. Arsyeshmëria e dëshirës së tij për të vdekur ishte te cilësia. Tha 'cilësia e jetës sime ka rënë dukshëm', prandaj s'dua të jetoj. 
Shkoi në vdekje me qejf, duke kënduar 'Ode of Joy'.

Jo kualiteti i jetës, se jeta është gjithqysh, por ne jemi aq të izoluar e të pashpresë, sa edhe me dasht me rrejt veten, s'ke si e rren.

Edhe me dasht me ëndrru, të vjen marre prej vetes me zënë veten tuj ëndrru. 
Kur i bën do vjet, është shumë zor me mashtru veten e me e marrë me të mirë.

Çka ke me ëndërru në këtë vend kaq të varfër, këtu ku 18 mijë djem e vajza të reja konkurojnë në polici për një vend pune, e kur secili prej tyre e di mirë se kurrë s'ka shans të punësohet kush pa të njofshëm në këtë vend.

Kështu funksionon. 
'Kujt nuk i intereson dija, përvoja, talenti...hiç, hiç, asgjë, thjesht fati ynë varet prej pareve dhe pushtetit të një grushti kriminelësh dhe mafiozësh që i kanë privatizuar të gjitha institucionet e vendit.

(Veç Avokati i popullit është i pavarur, ai djali ta qan hallin dhe në të gjitha rastet është shumë korrekt, me kusht që nuk ia nguc Hashimin).

4. Mërzia, sikurse loti, harxhohet!

Kushdo që e lexon këtë status e që është shumë i mërzitur (që dje e ka kry maturën e s'ka kah ia mban; e ka kry fakultetin e s'di ku me lyp çare; ka pasur shumë shpresa e tash vuan shumë; ia merr nanës e babës paret për makiato;) dhe kujton se askush nuk ia kalon me mërzi dhe se askush nuk i ka punët më keq se ai-të çohet në këmbë, të shikohet në pasqyrë, t'i thotë vetes 'çu shoku', asnjë gjendje shpirtërore e as mendore, pa marrë parasysh sa e rëndë është, nuk zgjat përgjithmonë.

I vjen fundi edhe fatit të keq. Deri atëherë, lutemi dhe jetojmë hatri i njëri- tjetrit, derisa të vijë dita, të jetojmë bile tri ditë për qejfin tonë.

Gjithmonë ka më fatkqinj dhe më të pikëlluar se ti. Ti qaj, por kurseji lotët si gurët diamanti, sepse edhe lotët harxhohen, që do të thotë harxhohet edhe pikëllimi.

E pasi e arrit këtë fazë (e kujton se shpëtove) kur qan me zor e s'të dalin lotët, shkon në barnatore e i blen lotët, sepse 'nuk ndjen më asgjë' përveç indiferencë dhe boshllëk.
E boshllëku është 'nana' e të gjitha ndjenjave te këqija. 
Kur ndjen boshllëk, pikëllimi të duket poezi.

S'na kanë treguar se ka kaq shumë ndjenja të këqija që i ndjejmë, që s'ua dimë as emrin, s'dimë t'i dallojmë nga njëra-tjetra, mërzinë e ngatërrojmë me trishtimin, ndërsa është vetëm një ndjenjë e mirë.
Krejt çka kanë ditur të na tregojnë është se 'jeta është e padrejtë'!

5. Kishim ymyd në Vetëvendosjen!

Rinia kishte shumë shpresë se Vetëvendosje do ta rrëzojë botën e vjetër e të përgjakur dhe do ta rishkruaj fatin e tyre të mirë.

Po aty ku u tha se ka dredhëza shumë, harruam ta marrim krojshen e vogël. 
Për paradoks, zhgënjimi më i madh erdhi nga shpresa më e madhe, nga Vetëvendosja.

Dhe tash u krijua bindja se si këtu s'ka mbetur askush, se krejt janë të njejtë dhe se s'ka të ardhme për njejrëz të mirë në këtë vend.

6. Pabarazi dhe padrejtësi të mëdha. 
Askujt nuk po i bie mirë të jetë i ndershëm dhe i mirë. Ky është kiameti.

S'di çka ka me thënë hoxha në pyetjen: 'Pse e keqja e ka mundur të mirën dhe pse sa më rrenc, sa më i pamoralshëm, sa më idiot e më i pandershëm që je, aq më i lumtur, më i pasur e më i suksesshëm në këtë jetë'!

Lumturinë tonë të përditshme, si bukën, falna sot, o Zot, mos e lë për botën tjetër.

P.S. Pushteti ka vendosur t'i disiplinojë portalet me ligjin e ri për gazetarët. Disiplinim pa ndëshkim nuk ka. Disiplinimi është 'praktikë e trajnimit të njerëzve për t'iu bindur rregullave dhe kodeve të reja të sjelljes, duke përdorur ndëshkimin për mosbindje'.

Janë të paditur, nuk e marrin me mend se çohet njeriu për inati, shkon e kalon oqeanin veç me shkru kundër juve, e çka keni me bë ju...
Ku ndalet e ku disiplinohet fjala e lirë në këtë kohë...

Në këtë vend, ndoshta po e ndalon dhe e disiplinon fjalën e mendimin e lirë, ama në këtë kohë, jo. 
Vendi mund të merret peng e të pushtohet por koha jo.

...Edhe RTK-në , me ligjin e ri, do të na detyrojnë me pagu me paret tona. Se është e tyre. RTK është e jona, por drejtorët e saj janë të partisë.

RTK-ja sot mu mbyll, nuk e vëren kush, përveç PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat