Nënkryetari i PE-së nuk jep afate kur do të ndodh liberalizimi

Aktuale

Nënkryetari i PE-së nuk jep afate kur do të ndodh liberalizimi

Më: 12 maj 2018 Në ora: 12:58
Rainer Wieland

(E plotësuar) - Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland është shpallur qytetar nderi i komunës së Drenasit. Nga aty, Wieland ka premtuar se do të bëjë gjithçka që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza dhe të mos jetojnë të izoluar.

Megjithatë, ai nuk ka premtuar nëse do të ndodhë këtë vit, apo kur, sepse nuk ka dashur të jap afate për këtë.

Derisa, u ka bërë thirrje krerëve institucional që të investojnë në arsim, sepse investimi në edukim është investimi më i mirë që mund të bëjnë.

Wieland: S’mund të them afate për liberalizim

“Unë e kuptoj që njerëzit e juaj ndihen padrejtësisht të trajtuar me situatën e cila i bënë të ndihen jo korrekt të trajtuar. Unë iu siguroj se atë që kam mundësi për të kontribuar do ta bëjë që ne të vijmë të një zgjidhje, por unë nuk mund të premtoj asgjë, as që do të ndodhë shpejt ose ndonjë datë. Unë nuk besoj që sjellë dobi fakti të përmenden emra të shteteve në evente publike sepse nuk është model i mirë të bërit politikë në Evropë që të fajësohen vendet nga njëra anë në tjetrën”, tha Wieland.

Wieland ka folur edhe për vendet tjera që synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk do ta pranojnë asnjë vend, i cili ka probleme të hapura me fqinjët.

Image

Wieland: Nuk do të pranojmë vende në BE që kanë probleme me fqinjët e tyre

“Me lejoni t’iu them një gjë, nuk mund të flas në emër të PE-së, as partisë sime ndoshta, por mund të flas në emër të grupit parlamentar që i takoj sepse kemi një qëndrim të qartë në këtë drejtim. Ne nuk do të pranojmë asnjë vend në BE i cili pas momentit të anëtarësimit në BE do të filloj të qes probleme të reja me fqinjët e vet dhe do t’i pengoj në rrugën e integrimit. Ne nuk duam që vendet të cilat do t’i pranojmë në BE të kenë probleme vitale të hapura me fqinjët e tyre”, theksoi ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se qytetarët e Kosovës i takojnë familjes evropiane, derisa e ka quajtur të një rëndësie të madhe ardhjen e Wieland në Kosovë dhe nderimi me çmimin qytetar nderi i Drenasit.

Haradinaj: Fati ynë është në familjen tonë në Evropë

“Wieland, Kosovarët në Kosovë kanë respekt të lartë dhe ndjenja të mira për Gjermaninë, gjithashtu ne kosovaret jemi evropianë, fati ynë është në familjen tonë në Evropë, është e rëndësishme edhe për mua gjithashtu që kjo iniciativë vjen sot nga njëra prej komunave tona, nga vetë njerëzit, nga kryetari Lladrovci dhe nga koleget e Parlamentit të Drenasit, kjo është shumë, shumë e rëndësishme”, tha ai.

Edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka kërkuar zëvendëspresidentit të PE-së, që të bëjë me të mirën që edhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm dhe të mos jetojnë në geto.  

Lladrovci: Na ndihmoni të mos jetojmë në izolim

“Në emër të qytetarëve të Komunës së Drenasit, por edhe të Kosovës iu lus që ta përdorni tërë autoritetin tuaj dhe ndikimin që qytetarët tanë të mos jetojnë në geto, në izolim. Zotëri Wieland, mos ma merrni për të keq, por sinqerisht iu lus bëni aq sa të mundeni që t’iu bashkohemi vlerave me të cilat jetojnë dhe i ndërtojnë qytetarët gjerman dhe qytetarët e Bashkimit Evropian. ne do të vazhdojmë të zbatojmë ligjin, ta  fuqizojmë zbatimin e ligjit, ne jemi duke ngritur cilësinë e arsimit, ne po shtojmë konkurrueshmërinë e kompanive tona, ne jemi duke ruajtur ambientit, ne jemi duke punuar ta ngrisim cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Edhe ne e dimë që mundemi me shumë, por me liberalizimin e vizave ju përkrahni rininë tonë, për studime, firmat tona të bëhen me të afta, vajzat tona të bashkohen me shoqet e tyre në BE, pra, liberalizimi i vizave do të na lehtësonte të pranojmë me shpejt vlerat integrue se”, theksoi Lladrovci.

Wieland gjatë qëndrimit në Kosovë është pritur edhe nga krerët me të lartë shtetëror, si Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, e kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. 

***

Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, ka thënë se nuk mund të japë asnjë datë konkrete, apo të tregojë se a do të bëhet shpejtë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, ai shtoi se qytetarët nuk duhet drejtuar gishtin kah asnjë shtet anëtar i BE-së duke ua hedhur fajin, sepse në ndonjë rrethanë të caktuar, lypen votat edhe të këtyre shteteve.

Andaj, sipas tij, nuk është mirë që të flitet kundër asnjë shteti të Bashkimit Evropian.

Wieland këto komente i dha sot në Drenas ku edhe u shpall qytetar nderi i kësaj komune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat