LDK: Qeveria Haradinaj nuk ka legjitimitet për të vazhduar tutje

Aktuale

LDK: Qeveria Haradinaj nuk ka legjitimitet për të vazhduar tutje

Më: 14 maj 2018 Në ora: 11:16

(E plotësuar) - Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, deklaroi se kontrolli demokratik i Kuvendit karshi Qeverisë së Kosovës ka dështuar dhe se pa një shumicë parlamentare qeveria aktuale nuk ka legjitimitet qytetar dhe demokratik për të vazhduar më tutje.

Ai këto komente i bëri në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me shoqërinë civile me temën “Sfidat e Kuvendit të Kosovës në realizimin e mandatit kushtetues”.

Hoti tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutojnë për sfidat, me të cilat po përballet Kuvendi në realizimin e këtij mandati dhe qasjen që duhet ndjekin grupet parlamentare dhe Kuvendi në tërësi, në realizimin e mandatit përfaqësues ligjvënës dhe mbikëqyrës.

Ai tha se në dy muajt e fundit situata është përkeqësuar dhe më tutje, dhe se çdo vendim që merret nga Qeveria mund të konsiderohet i kontestueshëm, në aspektin e legjitimitetit të vendimmarrjes.

Hoti tha se tashmë kanë filluar të dështojnë edhe mbledhjet e Qeverisë dhe se kryeministri Ramush Haradinaj në disa raste ka dëshmuar se nuk ka kontroll mbi ministrat.

Hoti: Situata është përkeqësuar në dy muajt e fundit

“Në dy muajt e fundit,  situata është përkeqësuar dhe më tutje.  Koalicioni ka humbur shumicën parlamentare në Kuvend. Jemi para një situate krejt të re dhe para një dileme se vlerësojmë se nuk ka më kuptim as  logjik të shendosh parlamentare që partitë opozitare , përfshirë dhe LDK-ja të bëjnë opozitë normale, të zakonshme, konstruktive dhe të fuqishme siç ka bërë LDK deri më tani.  Pasi që vetë funksionimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje. Ministrat dhe kryeministri, nuk marrin pjesë në seancat e kuvendit edhe kur janë të obliguar kur ka interpelancë apo debate në mënyrë specifike kur thirret kryeministri apo ministrat përkatës. Kështu që ne vlerësojmë se ka dështuar njëfarë kontrolli demokratik i Kuvendit karshi Qeverisë së Kosovës. Ne vlerësojmë se pa një  shumicë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, në fakt Qeveria e vendit nuk ka legjitimitet qytetar dhe demokratik për të vazhduar”, tha ai.

Adriatik Kelmendi tha se është një situatë e çuditshme në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk ka fuqi opozita të shkojë përpara me kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Kelmendi: Kemi situatë të çuditshme në Kuvendin e Kosovës

“Kemi pamundësinë dhe të pushtetit dhe opozitës sot,  që të bëjnë ndryshimin, ose për të çuar agjenda përpara, duke pasur shumicën në Kuvendin e  Kosovës, ose për të vendosur që të shkohet në zgjedhje. Pra, e para që duhet  konstatuar sot, se kemi një situatë bukur të çuditshme në Kuvendin e Kosovës. Kemi një shumicën me 52 deputetë. Kemi një opozitë me 58 , pra më tepër se shumica. Por të paafta që të dyja,  për të shtyrë proceset përpara. Dhe e kemi një situatë pezull me grupin parlamentar  rreth Listës Serbe, me deputetët e lLstës Serbe të cilët siç e dimë, kanë thënë se do të dalin nga qeveria, por megjithatë nuk janë as opozitë e mirëfilltë dhe as nuk kanë thënë se janë për zgjedhje të parakohshme. Dhe kjo e bën situatën as ndoshta të mos përmbushet misioni i Kuvendit të Kosovës, sipas kushtetutës dhe në masë të madhe të mos jetë në përmbushje as të agjendës karshi qytetarëve”, tha ai.

Lulëzim Peci tha se Kosovës i duhet konsensusi, në dy çështje dialogu më Beogradin dhe agjenda evropiane.

Peci: Opozita e ka vështirë ta çojë vendin në zgjedhje

“Çelësi se a do të mbahen zgjedhjet apo jo është në duart e Listës Serbe. Nëse koalicioni i tanishëm qeveritar, vendos me përfunduar mandatin e vet. Nëse Lista Serbe vendos me dalë prej Qeverisë, atëherë Qeveria do të bie. Nëse partnerët e koalicionit vendosin me prish Qeverinë ajo do të bie. Mirëpo, unë mendoj se opozita do ta ketë shumë vështir, në situatën e tanishme t’i realizojë zgjedhjet, pa e pasur shumicën e mjaftueshme parlamentare, të cilët do të sigurohet mocioni i suksesshëm i mosbesimit ndaj Qeverisë. Çka do të them në fund, në këtë situatë në të cilën jemi,  kisha bere apel partive politike që mbi të gjitha të arrijnë konsensusin për dialogun dhe agjendën evropiane dhe në mënyrën me urgjente të mundshme, të formohen komisionet hetimore parlamentare”, tha ai.

Dastid Pallaska tha se Kuvendi apo mënyra e bërjes politikë, është pasojë e koalicioneve jo parimore.

Pallaska: Kuvendi dhe politika, si pasojë e koalicioneve jo parimore

“Kuvendi sot apo mënyra e bërjes së politikës në Kosovë, është pasojë e koalicioneve jo parimore, që janë ndërtuar e të cilat duke qenë jo parimore, janë lidhur për personat, përkatësisht për liderët, të cilët i kanë lidhur ato koalicione nëpër takime private dhe pastaj ku roli i deputeteve në formalizimin e atyre koalicioneve, ka qenë i kufizuar në rolin e përfituesve të ndonjë të mire të ndryshme. Jemi ardhur në një situatë paradoksale, kur është fuqizuar për herë të parë roli i deputetit në Kuvendin e Kosovës. duhet thënë se më së shumti është fuqizuar në mënyrën me kriminale të mundshme.  Ajo është kur jemi ardhur te këto margjinat e vogla të vendimmarrjes qoftë për zgjedhjen e presidentit Thaçi, qoftë për krijimin e këtij koalicioni, qoftë për kalimin e demarkacionit. Ku do me thanë vota e secilit deputet është llogarit”, tha ai.

Albert Krasniqi nga KDI i cili foli për punën e Kuvendit, kishte disa vërejtje dhe për deputetët LDK-së. Madje ai tha se janë dy deputetë nga kjo parti, të cilët kanë më së shumti mungesa në seanca.

Krasniqi: Dy deputetë me më së shumti mungesa janë të LDK-së

“Sa i përket pyetjeve parlamentare, është treguar aktive. Por, janë nga 27 deputet vetëm 12 kanë shtruar pyetje parlamentare. Kurse 15 të tjerë të cilët janë pasivë s’kanë pasur asnjë pyetje për Qeverinë. Po ashtu, te pjesëmarrjet te seancat e Kuvendit,  dy deputetët me më së shumti mungesa janë të LDK-së, të cilët mbi 50 për qind në seancat e Kuvendit, nuk kanë qenë prezent. Është fjala për deputeten Rugova dhe deputetin Kelmendi”, tha ai.

Hoti: Qeveria s’ka legjitimitet për të vazhduar

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se koalicioni ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka logjikë të shëndosh që partitë opozitare të bëjnë opozitë normale, pasi që vet funksionimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje.

Ai në tryezën e LDK-së me organizatat joqeveritare, ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është të diskutojnë për sfidat me të cilat po përballet Kuvendi në realizimin e mandatit.

“Kjo legjislaturë ka trajtuar çështje sfiduese që ka lëkundur stabilitetin institucional. Janë dërguar mesazhe të këqija me mënyrën si është bërë koalicioni. Shkarkimi i bordeve që është përgjegjësi e kuvendit është shkarkuar nga qeveria. Emërimi nga 5 zv ministra, falja e borxheve për prodhuesit e ujit iniciativa për shfuqizimin e dhomave të specializuara dhe dëbimi i dhunshëm i 6 shtetasve turq. Gjatë kësaj periudhe ne si LDK jemi munduar të bëjmë një opozitë të fuqishme. Kemi qene grupi parlamentar më aktiv. Ne disa raste si GP në opozitë kemi marrë në përgjegjësi t’i përkrahim marrëveshjet shtetërore, kemi punuar në interes të shtetit. Në dy muajt e fundit situata është përkeqësuar koalicioni ka humbur shumicën parlamentare në kuvend, s’ka logjikë të shëndosh që partitë opozitare të bëjnë opozitë normale, pasi që vet funksionimi i kuvendit është vënë në pikëpyetje. Shtyhen seancat , komisionet dështojnë në mungesë të kuorumit”, ka thënë ai.

Hoti shtoi se LDK e vlerëson se ka dështuar njëfarë kontrolli demokratik i kuvendit karshi qeverise.

“Pa një shumicë qeveria e vendit s’ka legjitimitet me vazhdu. Kanë filluar të dështojnë dhe mbledhjet e qeverisë. Kryeministri ka dështuar se nuk ka kontroll mbi ministra dhe institucionet. Ministrat marrin vendime mbi interesat personale. Km ka filluar të dal në terren pa kompetence për të premtuar themelimin e komunave të reja. Kemi iniciuar tryezat e partive politike me të vetmit qëllim që të caktohet data e zgjedhjeve. Përmes tryezave i kemi dhënë mundësi dialogut dhe gjërat të qartësohen”, tha ai.

****

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) sot organizon tryezë diskutimi për të dëgjuar perspektivën e përfaqësuesve të shoqërisë civile lidhur me disa çështje nëpër të cilat po kalon politika dhe institucionet e Kosovës.

Kjo parti vlerëson se tryeza të tilla janë një formë e re e përfshirjes së rregullt të shoqërisë civile në proceset konsultative politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat