Propozohen edhe tri data për Ditë Memoriale

Aktuale

Propozohen edhe tri data për Ditë Memoriale

Më: 14 maj 2018 Në ora: 11:55
Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim votoi pro propozimit që 24 qershori të jetë Ditë Memoriale për komunitetin egjiptian dhe 15 shkurti dhe 28 korriku për komunitetin serb.

Kryetari i Komisionit për Komunitete dhe Kthim, Igor Simiq, tha se ky propozim së pari do t'i dërgohet Kryesisë e pastaj Kuvendit për procedim.

"Vetoni do ta hartojë projektin e plotësim-ndryshimit dhe atë do t’ia  dërgojë Kryesisë e pastaj kthehet në Kuvend. Uroj që të kryhet sa më shpejt pasi që kjo ditë është afër", theksoi ai.

 Deputeti Veton Berisha tha se kanë marrë konfirmimin se amendamenti i këtij ligji për Ditë Memoriale të komunitetit egjiptian është konform rregullave, derisa potencoi se ka mbetur më pak se një muaj deri në shënimin e saj që është më 24 qershor.

"Këto ditë janë vetëm ditë përkujtuese, nuk ka pushim, thjesht e kanë të drejtën për përcaktimin e një dite ku mbahen aktivitetet. Mendoj se është momenti i duhur ta kemi përkrahjen tuaj në mënyrë që të plotësohet një kriter kushtetues ", tha ai.

Berisha është shprehur kundër pushimit në këtë ditë memoriale, pasi që sipas tij, si komunitet janë mbrapa në secilën fushë dhe kjo do të ndikonte negativisht në këtë aspekt.

Deputeti Danush Ademi tha se do të mundohen të shtojnë edhe pushimin për këtë ditë festive për komunitetin egjiptian, gjegjësisht për punëtorët e këtij komuniteti. "Edhe mediat mendoj se duhet të përcjellin aktivitetet dhe festat e komunitetit egjiptian, sepse kryesisht nuk i përcjellin ", shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat