Thaçi: Ja çka bisedova me kancelaren Merkel

Aktuale

Thaçi: Ja çka bisedova me kancelaren Merkel

Më: 14 maj 2018 Në ora: 22:40
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me kancelaren gjermane Angela Merkel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 9 maj ka qëndruar për vizitë zyrtare në Gjermani, ku është pritur nga Kancelarja, Angela Merkel. Gjatë vizitës atje, Thaçi, ka zhvilluar një takim sy më sy me Merkel, rreth së cilit ka dhënë sqarime se çfarë është biseduar konkretisht.

“Biseda ka qenë shumë përmbajtjesore, ka qenë me plot mesazhe, me shkëmbim të ideve të hapave konkret që duhet ndërmarrë për të ardhmen euroatlantike, për mundësitë që Gjermania të ndihmojë këtë proces. Gjithashtu edhe për mundësinë e hapjeve të kapitujve të ri. Kemi diskutuar për zhvillimet e brendshme, në rajon, raportet më fqinjët dhe si të lëvizet më shpejt drejt së ardhmes evropiane”, ka thënë Thaçi.

“Kam kërkuar që Gjermania të luajë rolin e vet aktiv, dinamik dhe vet Merkel t’i jep dinamikë të re të negociatave përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë që do të përmbyllej më njohje reciproke dhe anëtarësim e Kosovës në OKB. Kemi diskutuar për luftën kundër terrorizimit, obligimet e Kosovës dhe hapat e mëtutjeshëm me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, si dhe Serbinë”, ka deklaruar Thaçi në Zona B.

“Gjermania ka qenë prej vendeve të para që ka njohur shtetin tonë. Roli i Gjermanisë është i rëndësishëm jo vetën në aspektin ushtarak dhe diplomatik por edhe të sjelljes së investitorëve gjermanë. Kosova i është mirënjohëse Gjermanisë dhe Kancelares Merkel”.

“Kancelarja Merkel është zotuar se do të marrë rol për të shtyrë përpara procesin  e dialogut Kosovë – Serbi, për ndërtimin e raporteve evropiane, si kusht për të lëvizur drejt familjes evropiane. Ritheksoj se te Kancelarja Merkel – kam besim të plotë se me lidërshipin evropian, në koordinim edhe me SHBA-në do të kenë qasjen e njëjtë dhe një zë për të shtyrë përpara normalizimin e marrëdhënieve tona. Propozimet e njëanshme nuk do të funksionojnë, por propozimet e  standardit evropian. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje, shkëmbim territoresh. Kosova ka autoritetin e vet kushtetues. Normalizimi ndodh në emër të vlerave të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”.

“Pas kësaj bisede dhe bisedave tjera që Merkel ka zhvilluar me Vuçiqin, SHBA dhe vendet e QUINT-it – BE dhe SHBA do të mbështesin njëzëri Mogherinin që brenda gjashtë muajve të arrihet një  marrëveshje – të fitojmë njohjen nga Serbia. Pajtimi nuk do të jetë i lehtë, sepse rreth 400 masakra që ka kryer Serbia ende nuk ka marrë askush përgjegjësi. Ato masakra janë kryer prej shtetit të Serbisë. Por kam besim dhe i ftoj njerëzit që të mendojnë për të ardhmen” sqaroi Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat