Hapet “Java e Shkencës”, kërkohet rritja e cilësisë dhe investimi në kapitalin njerëzor

Aktuale

Hapet “Java e Shkencës”, kërkohet rritja e cilësisë dhe investimi në kapitalin njerëzor

Më: 15 maj 2018 Në ora: 09:56
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Është koha e përqendrimit tek cilësia dhe investimi në kapitalin njerëzor, sepse investimi në shkencë do të thotë zhvillim ekonomik dhe social. Kështu u tha në hapjen e “Javës së Shkencës” në Kosovë, e cila do të zgjas nga 15 deri më 18 maj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në hapje të Javës së Shkencës, se puna kërkimore vlerësohet si mjeti më i rëndësishëm i avancimit të dijes dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Prandaj, sipas tij, potenciali njerëzor, shkencore e kulturore si studiues përbënë një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset që po kalon shteti dhe shoqëria e Kosovës.

Thaçi: Shoqëria ju pret ta determinoni jo vetëm të sotmen por edhe të ardhmen

“Hulumtimet shkencore dhe aktiviteti i juaj si kudo në botë ka për qëllim jo vetëm avancimin e të arriturave në lëmi të caktuara por edhe zhvillimin ekonomik dhe social. Prandaj, të nderuar njerëz të shkencës, shoqëria ju pret që të determinoni jo vetëm të sotmen por edhe të përcaktoni qartë se ku do duhet të jemi pas dy apo tri dekadave në të ardhmen. Besoj se pajtohemi të gjithë këtu se nuk mjafton të nxjerrim vetëm studentë të diplomuar, nuk mjafton të ecim me trendë rajonale, duhet të lëvizim më shpejt, më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit u shpreh i bindur se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes rritjes ekonomike me rritjen e cilësisë dhe sasisë në arsim.

Gjatë këtyre 19 vjetëve të lirisë dhe 10 vjetëve të pavarësisë, presidentit Thaçi u shpreh se prioriteti i tyre ka qenë kompensimi i dekadave të diskriminimit të vazhdueshëm dhe represionit nga e kaluara.

Thaçi: Është koha të përqendrohemi më shumë te cilësia

“Ajo çfarë i dallon vendet e zhvilluara nga vendet në zhvillim, sikurse në rastin tonë, është fakti se vendet e zhvilluara kanë sisteme arsimore shumë të mira dhe kuadro konkurrues në tregun global të punës. Pra, në këtë kontekst, asnjë vend nuk mund të pretendojë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, pa investuar në mënyrë serioze në kapitalin njerëzor....Kemi pasur nevoja bazike të ndërtimit të një infrastrukture arsimore moderne në gjithë vendin dhe pa modesti e them se infrastruktura arsimore në Kosovë është më e mira në rajon. Ne, tashmë i kemi përmbushur këto nevoja dhe është koha që të përqendrohemi më shumë te cilësia, te investimet në kapitalin social, në burimet njerëzore”, theksoi ai.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, theksoi se “Java e Shkencës” paraqet një profilizim të rrjetëzimit mes shkencëtarëve të rinj nga Kosova dhe rajoni, si dhe mundëson bashkë-dyzimin e potencialeve ekzistuese dhe do të rezultojnë me gjenerimin e ideve të reja për ta quar shkencën një hap me tutje.

Bytyçi: Po punojmë për ngritjen e nivelit të teksteve shkencore

“Për disa vite në konferencë është shënuar rritje e vazhdueshme e pjesëmarrjes së punëtorisë shkencore. Në vitin 2017 kishte rreth 320 autorë dhe bashkë-autorë. Për të arritur cilësinë e teksteve shkencore në vend dhe për të ngritur cilësinë e punimeve të paraqitura në konferencat e ardhshme, ne kemi organizuar të gjitha këshillat shkencore në fushën e këshillave shkencore të MASHT-it. Në të ardhmen paraqitja e punimeve shkencore do të bazohet në standarde ndërkombëtare dhe sistemimi i pranimit do të bëjë plotësisht në mënyrë digjitale. Ndërsa sistemimi i vlerësimeve dhe ngritja e nivelit të recenzimit do të bëhet në mënyrën e vlerësimit profesional”, tha Bytyçi.

Bytyçi me tutje shtoi, se ndryshimet politike dhe ekonomike të radhitura sipas proceseve integruese evropiane, adresojnë prioritetet dhe fokusohen drejt një punë të rëndësishme që do të bëjnë që veprimtaria kërkimore-shkencore të krijojnë lidhje të vazhdueshme për të qenë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Bytyçi: Nëse duam vend të zhvilluar duhet avancuar niveli i shkencës

“Nëse duam të jemi vend i zhvilluar medoemos duhet të ndërtojmë kapacitete që do të mundësojnë avancimin dhe ndërkombëtarizimin e shkencës në nivelin me të lartë. Këtë ne si Ministri e kemi kuptuar që nga fillimi, prandaj do të bëjmë çmos që të kalojmë çfarëdo sfide para neve që na del dhe të hartojmë qasje strategjike për trajtimin e aktiviteteve shkencore në përgjithësi”, theksoi ai.

“Java e Shkencës”, këtë vit po organizohet për herë të 10-të dhe është vit jubilar me pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe Evropa.

Konferenca “Java e Shkencës” (Drejtpërdrejt)

Në Kosovë fillon konferenca kombëtare vjetore e shkencës “Java e Shkencës 2018” organizuar nga MASHT.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe presidenti  dhe kryeministri Hashim Thaci dhe Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat