Samiti i BE-së në Sofje, kjo është deklarata e plotë për Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Samiti i BE-së në Sofje, kjo është deklarata e plotë për Ballkanin Perëndimor

Më: 17 maj 2018 Në ora: 09:55
Fotografia e përbashkët e pjesëmarrësve në Samitin e BE-së në Sofje

(E plotësuar) - BE mbështet plotësisht rrugëtimin europian të Ballkanit Perëndimor, konfirmohet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Unionit.

Ne, udhëheqësit e BE-së dhe shteteve të tij anëtare, në konsultim me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, dhe në praninë e aksionerëve kryesorë rajonalë, sot arritëm në përfundimet e mëposhtme:

1. BE mirëpret angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor ndaj vlerave dhe parimeve europiane dhe vizionit të një Europe të bashkuar, të fortë dhe të qëndrueshme, të mbështetur nga lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike dhe nga interest tona të përbashkëta politike, të sigurisë dhe ekonomike.

2. Duke kujtuar Samitin e Selanikut 2003, BE riafirmon mbështetjen e qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perendimor. Duke u mbështetur në progresin e arritur deri tani, partnerët e Ballkanit Perendimor kanë shprehur riangazhim ndaj perspektivës europiane si zgjedhja e tyre e fortë strategjike për përforcimin e përpjekjeve të tyre dhe mbështetjes së ndërsjelltë. Besueshmërina e këtyre përpjekjeve varet nga komunikimi i qartë publik.

3. BE-ja është e vendosur të forcojë dhe të intensifikojë angazhimin në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe social të rajonit, duke përfshirë një asistencë më të madhe bazuar në një progres të prekshëm lidhur me shtetin e së drejtës, si dhe reformat social-ekonomike nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.

4. BE mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perendimor ndaj rëndësisë së demokracisë dhe shtetit të së drejtës, veçanërisht në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjes së mirë si dhe respektit për të drejtat e njeriut dhe të drejtave të njerëzve të cilët i përkasin minoriteteve. Zbatimi i suksesshëm i reformave prej tyre qëndron mbi këto themele. Shoqëria civile dhe media e pavarur luajnë një rol vendimtar në procesin e demokratizimit.

5. BE mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perendimor për të forcuar më shumë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë. Kjo përfshin në mënyrë të veçantë gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për konfliktet e tyre dypalëshe me rrënjë në të kaluarën dhe përkushtimin ndaj përpjekjeve shtesë për pajtim.

6. Ndërtimi i një rrjeti të dendur lidhjesh dhe mundësish brenda rajonit dhe me BE-në është jetësore për të sjellë qytetarët dhe ekonomitë më afër dhe për të zgjeruar stabilitetin politik, prosperitetin ekonomik, zhvillimin kulturor dhe social. Duke u bazuar në progresin e bërë, përfshirë edhe iniciativat rajonale, ne synojmë të zhvillojmë kryesisht lidhjet në të gjitha dimensionet e tyre si transporti, energjia, digjitalizimi, ekonomia dhe njerëzit.

7. BE-ja ka pranuar të promovojë një treg dhe mjedis miqësor ndaj investimeve në Ballkanin Perëndimor për të ecur më shpejt drejt ekonomisë digjitale dhe shoqërive miqësore ndaj klimës në linjë me Marrëveshjen e Parisit. Siguria energjetike do të ketë prioritet, përfshirë përmirësimin e efikasitetit energjetik, ndërlidhje me të mira ndërkufitare, shumëllojshmëri të burimeve dhe rrugëve, si dhe energji mikse të balancuar duke integruar më mirë energjitë e rinovueshme.

8. Theks i veçantë do të vihet për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë, duke garantuar që kjo të kontribuojë për zhvillimin social-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

9. Me këtë qëllim, BE-ja mirëpret angazhimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor, ndër të tjera, për të përshpejtuar implementimin e arritjeve të Traktateve të Komunitetit të Transportit dhe Komunitetit të Energjisë dhe për të zbatuar urgjentisht Planin Shumëvjeçar të Veprimit të korrikut 2017 për Zhvillimin e Zonës Ekonomike Rajonale. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këto përpjekje.

10. BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor ndajnë shumë sfida të sigurisë që kërkojnë koordinim individual dhe veprim të përbashkët. Kur ne punojmë së bashku, ne jemi të aftë të drejtojmë këto sfida në mënyrë efektive. Bashkëpunimi ynë për të bllokuar rrjedhën ilegale të migracionit ka treguar vlerat e saj dhe do të zhvillohet edhe më tej

Thaçi iu drejtohet liderëve evropianë në Sofje, kjo është kërkesa e tij për BE-në

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në hapjen e punimeve të Seancës Plenare të Samitit të Sofjes, ku u trajtua tema "Fuqizimi i të gjithë dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)", ka thënë se ky samit po zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ky samit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është një sukses i jashtëzakonshëm i përbashkët, por në veçanti i nikoqirëve tanë, presidencës bullgare. Suksesi i këtij samiti bazohet në ruajtjen e angazhimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, si dhe mbështetet në parimin e rëndësishëm sipas të cilit i gjithë Ballkani Perëndimor gëzon një perspektivë evropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo përfshinë strategjinë e muajit shkurt të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin tonë përmes nismave të shumta, në mesin e tyre edhe Procesi i Berlinit, agjenda e ndërlidhjes dhe Plani shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe forume të tjera që synojnë t’i afrojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën dhe më pranë Bashkimit Evropian.

“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para liderëve evropianë e ballkanikë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, tha ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se nëse vërtet duam një ndikim të qëndrueshëm në afrimin e rajonit, kjo duhet të nënkuptojë edhe heqjen e barrierave të ndryshme të pranishme aktualisht.

Kjo përfshin, por nuk kufizohet, sipas presidentit Thaçi, në njohjen e kualifikimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera, uljen e kohës së pritjes në kufi, ndërveprimin në fushën e energjisë, sigurimin e lirisë së lëvizjes për njerëzit brenda rajonit duke hequr vizat, por edhe jetësimin e zotimeve të tjera që kemi dhënë më parë si rajon.

Image
Thaçi, Vuçiç, Tusk dhe Hahn

Atmosfera në Samitin në Sofie, Thaçi takon Vuçiqin, ja çfarë deklaron BE 

Bashkimi Europian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë kondensuar Samitin e Sofjes në një deklaratë të përbashkët trembëdhjetë pikëshe, përmes të cilës tregojnë përkushtim dhe vendosmëri për ta parë bashkë të ardhmen.

Në të Unioni përshëndet punën e bërë nga shtetet e gadishullit të vjetër në shtegtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke kërkuar që ajo të shtohet, të fokusohet në fusha dhe të shihet si e paaltnernativë.

Puna në forcimin e rendit dhe ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në respektimin e të drejtave të minoritarëve dhe të njëri-tjetrit, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit është përkushtim i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe kërkesë e Bashkimit Europian.

Ndërsa, ndihma që shtetet nga kjo pjesë e Europës ta kenë më të lehtë shtegun e tyre drejt përshtatjes së ekonomive dhe politikave të tyre me BE-në del si premtim i kësaj të fundit dhe nevojë e kërkesë e shteteve të Ballkanit.

Pjesëmarrës në Samitin e Sofjes janë krerët e vendeve anëtare dhe të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kosova përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi.

Image
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Emmanuel Macron

Haradinaj dhe Thaçi takojnë presidentin Macron

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi në kuadër të Samitit të Sofjes, janë takuar me presidentin francez Emmanuel Macron.

Fotografi nga ky takim ka publikuar kryeministri Haradinaj, i  cili ka vlerësuar atë që Franca ka bërë për Kosovën në 20 vitet e fundit.

“Në margjinat e Samitit të Sofjes, një takim i frytshëm me Presidentin francez, Emmanuel Macron, ku bashkë me presidentin Thaçi po e përfaqësojmë Kosovën. Franca në 20 vitet e fundit ka bërë shumë për Kosovën dhe tani, derisa po bëhemi gati për tu bashkuar me familjen evropiane, ky raport duhet të thellohet më shumë në të gjitha fushat me synim të vetëm përmbushjen e kushteve dhe standardeve evropiane përgjatë procesit integrues”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka deklaruar se Kosovës nuk do t'i mungojë në asnjë rrethanë përkushtimi dhe vendosmëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Image
Në Sofje të Bullgarisë, në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj në Samitin e Sofjes dhe në Forumin Ekonomik të Vjenës

Samiti i Evropës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka filluar sot në Sofje të Bullgarisë, në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Samiti do të udhëhiqet nga Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, i cili do ta përfaqësojë Evropën bashkë me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Krahas krerëve shtetërorë të vendeve, pjesë e këtij samiti do të jenë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të zgjerimit, Johannes Hahn.

Tema kryesore e këtij samiti do të jetë konektiviteti, në fushën e transportit, energjisë, infrastrukturës digjitale, edukimit, inovacioni dhe ekonomia digjitale.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk, përkitazi për samitin, ka thënë se Evropa duhet të luaj një rol aktiv në këtë transformim, meqë do të jetë realitet i të gjithë evropianëve dhe se çdo gjë që do të diskutohet në këtë samit do të ketë impakt global.

Pjesëmarrësit e samitit do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, në të cilën përfshihen 13 pika dhe të cilat do të tregojnë përkushtimin për të ardhmen e përbashkët.

Përveç Presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, në Samitin e Sofjes po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Kryeministri Haradinaj do të qëndrojë në Sofje edhe në ditën e nesërme, ku nis punën Forumi Ekonomik i Vjenës, që bënë bashkë Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor dhe kryeministrin e Bullgarisë dhe ku Kosova përfaqësohet nga vet kryeministri Haradinaj.

Image
Johannes Hahn

Hahn optimist për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Johanes Hahn ka folur për media, para se të hyjë në samitin që ka filluar sot në mes të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në Sofje të Bullgarisë.

Hahn me këtë rast është pyetur nëse beson se do të ndodhë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam gjithmonë optimist dhe pasi që strategjia e re ka paraqitur qartë perspektivë për të gjithë, kështuqë është gjithashtu në interesin e Kosovës që të punojë për një zgjidhje në marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, kështuqë unë besoj se kjo ka krijuar një momentum të ri, një shtysë të re për të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Hahn.

Hahn tutje ka thënë se kanë krijuar një dinamikë të re në regjion, që sipas tij ka ndikuar edhe të tjerët.

Në këtë samit është duke marrë pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka vlerësuar këtë si rast historik për vendin.

Image
Hashim Thaçi dhe Alexis Tspirar

Thaçi kërkon mbështetje nga Greqia për liberalizim

Presidenti Hashim Thaçi është takuar me Kryeministrin grek Alexis Tspiras, në kuadër të samitit të Sofjes, që po mbahet në mes të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Thaçi ka kërkuar mbështetje nga ai për procesin e liberalizmit të vizave.

“Me Kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, diskutuam rreth intensifikimit të bashkëpunimit në rajonin tonë dhe rritjes së shkëmbimeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Nga kryeministri grek kërkova mbështetje edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Thaçi.

Atmosfera në Samitin në Sofie, Thaçi takon Vuçiqin

Atmosferën para sesionit të parë plenar të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje po ua sjellim nëpërmjet fotografive, ku është parë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, teksa diskuton me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Udhëheqësit e BE-së dhe vendet partnere do të diskutojnë lidhjen rajonale në aspektin e transportit, infrastrukturës, energjisë, infrastrukturës digjitale, arsimit dhe të tjera.

Sesioni po organizohet nga kryeministri Bojko Borisov dhe kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Image

Fillon Samiti, Kosova pjesë e saj

Sapo ka filluar Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimorë. Nikoqiri i këtij Samiti, kryeministri bullgar Borissov ka mbajtur fjalim, derisa tani është duke folur presidenti i Komisionit Evropian, Tusk.

Para fillimit të këtij Samiti, presidenti Thaçi ka takuar Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, i cili në mëngjes ka theksuar se është optimist se do të arrihet një zgjidhje në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

Pamje kur Merkel, May e Macron arrijnë tek vendi i Samitit në Sofje

Ju sjellim pamjet ekskluzive kur treshja Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May të shoqëruar po ashtu nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron, arrijnë në këmbë tek objekti ku pritet të nis Samiti i BE-së.

Në këtë Samit në Sofje merr pjesë edhe delegacioni kosovar, drejtuar nga Presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat