Apostolova dhe Delawie në mbështetje të komunitetit LGBTI

Aktuale

Apostolova dhe Delawie në mbështetje të komunitetit LGBTI

Më: 17 maj 2018 Në ora: 12:31
Greg Delawie

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë komuniteti LGBTI ka organizuar një ekspozitë e fotografive “That’s Why”, ku janë pasqyruar komentet negative dhe gjuha e urrejtjes që janë bërë gjatë paradës që është mbajtur në tetor të vitit të kaluar.

Qëllimi i kësaj ekspozite ishte vërja në pah e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimet që marrin personat LGBTI nga shoqëria kosovare.

Për t’i dhënë mbështetje këtij komuniteti dhe për të parë ekspozitën të pranishëm ishin edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se Bashkimi Evropian e rikonfirmon mbështetjen e plotë për luftën kundër kësaj forme diskriminimi, e cila është e bazuar në urrejtje në bazë të orientimit seksual.

Shefja e BE-së theksoi se Kosova ka një kornizë ligjore shumë të mirë për të drejtat e komunitetit LGBTI, por sipas saj problem mbetet zbatimi i kësaj kornize.

Apostolova: BE e mbështet luftën kundër kësaj forme të diskriminimit

“Bashkimi Evropian, të cilin unë po e përfaqësoj këtu në Kosovë po e rikonfirmon mbështetjen e tij të plotë për luftën kundër kësaj forme diskriminimi e cila është e bazuar në urrejtje, në baza të orientimit seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e seksit. Ne do të promovojmë dhe mbështesim aktivisht organizatat e komunitetit LGBTI që ekzistojnë këtu në Kosovë. Korniza ligjore e Kosovës për të drejtat e komunitetit LGBTI është shumë e mirë. BE-ja ka mbështetur Kosovën për të zhvilluar këtë kornizë, por tani problemi është zbatimi i kësaj kornize. Jemi shumë të kënaqur kur shohim se tani flitet më shumë për të drejtat e komunitetit LGBTI. E pamë paradën në tetor 2017, ku morën pjesë 500 njerëz ndër ta edhe përfaqësues të institucioneve, ambasadorë, të cilët me shumë krenari iu bashkuan kësaj parade”, tha ajo.

Mbështetje për komunitetin LGBTI ofroi edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, i cili u shpreh se fuqimisht e mbështetin hetimin dhe ndjekjen penale të kryerësve të ngacmimit dhe dhunës.

Delawie: Mos hiqni dorë, SHBA-të janë këtu për t’ju mbështetur

“Këtë vit Departamenti Amerikan i Shtetit po e nënvizon se dhuna për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes gjinore apo veçorive të seksit përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut që i kemi dhe i ndajmë të gjithë. Për këtë arsye kjo ekspozitë po mbahet tamam në kohë, sepse na detyron të gjithëve që të pranojmë se edhe nëse nuk shohim dhunë në rrugë personat LGBTI po përballen me gjuhë të dhunshme dhe të urrejtjes jo vetëm në internet, por edhe prapa dyerve të mbyllura. Fuqimisht e mbështesim hetimin dhe ndjekjen penale të kryerësve të këtij lloji të ngacmimit dhe dhunës siç shprehet edhe në ligjet kundër diskriminimit në Kosovë. Kosova ka përparuar shumë sa i përket kësaj çështje brenda një periudhë të shkurtër kohore, i përgëzoj të gjithë që kanë punuar me ngulm për t’i tejkaluar paragjykimet dhe për t’i ndryshuar mendimet. Mos hiqni dorë, ta dini që SHBA-të janë kà «tu për t’ju mbështetur në çdo hap gjatë këtij rrugëtimi”, tha Delawie.

Ndërsa, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson u shpreh se të drejtat e komunitetit LGBTI janë shumë të rëndësishme.

Nilsson: Të drejtat e komunitetit LGBTI janë çështje e të drejtave të njeriut

“Për ne si Qeveri e Suedisë, të drejtat e komunitetit LGBTI janë çështje e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut janë universale dhe ne si shtet bashkëpunuam ngushtë me Kosovën për të përmirësuar respektimin e të drejtave të njeriut. Pra, komuniteti LGBTI është shumë i rëndësishëm për ne dhe në punën tonë së bashku me autoritetet e Kosovës, që ka për qëllim ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian, është shumë e rëndësishme mbështetja dhe bashkëpunimi për të përmirësuar situatën për komunitetin LGBTI në Kosovë”, tha ai.

Lidhur me ekspozitën ka folur Blert Morina, i cili bëri thirrje që të dënohet gjuha e urrejtjes dhe të merren masa ndaj çdokujt që rrezikon dhe kanos jetën e çdo individi.

Po ashtu, ai bëri të ditur se situata e këtij komuniteti ka filluar të ndryshojë dhe se tani është një komunitet i cili është i fuqizuar dhe është i gatshëm që t’i dërgoj përpara kërkesat e tyre.

Morina: Të dënohet gjuha e urrejtjes

“Këtë vit organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI kanë organizuar një ekspozitë me komentet negative dhe gjuhën e urrejtjes që janë bërë gjatë paradës që është mbajtur në tetor të vitit të kaluar. Kjo ekspozitë ka për qëllim të vë në pah gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimit të cilat i drejtohen personave LGBTI nga shoqëria kosovare. Bëjmë thirrje që të dënohet gjuha e urrejtjes dhe të merren masa ndaj çdo kujt që rrezikon dhe kanos jetën e çdo individi. Gjithashtu, bëjmë thirrje në respektim dhe implementim të ligjeve të cilat janë të garantuara me ligjet e Kosovës”, tha ai.

Ndërkohë që mbahej ekspozita në sheshin “Nënë Tereza” janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat