Përplasja për 8 milionë markat mes Qunit e Halitit, reagojnë edhe ish eprorët e FARK-ut

Aktuale

Përplasja për 8 milionë markat mes Qunit e Halitit, reagojnë edhe ish eprorët e FARK-ut

Nga: P.R Më: 17 maj 2018 Në ora: 13:49
Foto ilustrim, pjesëtarë të UÇK-së

Në Kuvendin e Kosovës, së fundi kishte shpërthyer një debat i ashpër mes deputeti të LDK-së, Anton Quni dhe atij nga PDK, Xhavit Haliti.

I gjithë debati i ashpër ishte zhvilluar për milionat e luftës, ku sipas Qunit, Haliti kishte marr rreth 8 milionë marka gjermane nga kolonel Ahmet Krasniqi. Kurse, Haliti kishte thënë se Qunin nuk e kishte njohur fare në luftë, pas sipas tij ai më shumë kishte qëndruar therrave.

Pas debatit mes Qunit dhe Haliti, ka reaguar edhe Këshilli i Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut).

Përmes një reagimi publik, ky këshill thekson se ka dhënë kontribut të pamohueshëm në organizimin, fuqizimin dhe komandimin e njësive, me theks të veçantë në Betejën e Koshares.

“Eprori shumë i suksesshëm i njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në teren të komanduara nga Ministria e Mbrojtjes dhe deputeti i tanishëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zotëri Anton QUNI, ka dhënë kontribut të pamohueshëm në organizimin, fuqizimin dhe komandimin e njësive tona, me theks të veçantë në Betejën e Koshares dhe për këtë zë vend me peshë në historinë më të re të kombit shqiptar“, thuhen në reagimin e  Këshillit të Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut).

Ky është reagimi i plotë:

Këshilli i Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut), i ka përcjellur dhe i përcjellë në vazhdimësi rrjedhat e zhvillimeve politike dhe të tjera me rëndësi për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës si dhe përpjekjet qëllimkëqija të disa grupacioneve në Kuvend për shtrembërimin e të vërtetës historike për luftën e zhvilluar nga njësitë e komanduara dhe udhëhequra nga Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) na shtyen që të dalim me këtë:

R E A G I M  P U B L I K

Beteja e Koshares, Loxhes, Pashtrikut, etj., janë organizuar dhe udhëhequr nga Eprorët e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) nën komanden e kolonel Ahmet Krasniqit dhe Shtabit Komandues të FARK-ut.

Me synim të bashkimit të faktorit ushtarak gjatë luftës dhe me qëllime shumë të pastërta për fuqizimin dhe armatosjen e njësive në teren, Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr nga Kolonel Ahmet Krasniqi i ka dhënë shuma të konsiderueshme të mjeteve financiare Zotëriut Xhavit HALITI.

Eprori shumë i suksesshëm i njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në teren të komanduara nga Ministria e Mbrojtjes dhe deputeti i tanishëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zotëri Anton QUNI, ka dhënë kontribut të pamohueshëm në organizimin, fuqizimin dhe komandimin e njësive tona, me theks të veçantë në Betejën e Koshares dhe për këtë zë vend me peshë në historinë më të re të kombit shqiptar.

Çdo prirje e kujt do qoftë për përvetësimin e meritave të luftës është e dënueshme në rrafshin kombëtar, moral dhe penal. Luftën nuk e kanë bërë individët e caktuar por populli shqiptar i Kosovës dhe i të gjitha trevave shqiptare, ku rol të pamohueshëm kanë luajtur Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe Shtabi i saj komandues.

Nga Këshillli i Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat