Pajtimi me Serbinë është kompromisi më i madh që mund ta bëjë Kosova, thotë Haradinaj

Aktuale

Pajtimi me Serbinë është kompromisi më i madh që mund ta bëjë Kosova, thotë Haradinaj

Më: 17 maj 2018 Në ora: 20:22
Ramush Haradinaj

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, si një nga temat kryesore edhe në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se pajtimi me Serbinë nuk është kompromis i lehtë për Kosovën.

“Presidenti Hashim Thaçi e tha edhe sot që Kosova është e gatshme për liberalizim, dialog dhe kompromis, por nuk është kompromis i vogël për Kosovën pajtimi me Serbinë”.

“E dini se çka do të thotë kjo: i kemi mbi 200 vende ku kanë ndodhur krime makabre, masakra, gra, pleq dhe fëmijë, qytetarë të pambrojtur të vrarë pa asnjë faj”.

“Mendojmë që kompromisi më i madh që mund ta bëjë Kosova është pajtimi”.

Haradinaj në një intervistë, ka folur po ashtu edhe për të gjendjen e pakicës serbe në Kosovë.

“Sa i përket të drejtave dhe integrimit të serbëve, atë po e bëjmë sepse Kushtetuta jonë është më e avancuara në botë për të drejtat e komuniteteve”.

“Kushtetuta jonë është e shkruar nga vetë Bashkimi Europian, nuk është sikur Kushtetua e Serbisë, e cila daton nga koha e qeverisjes së Vojisllav Koshtunicës”.

“Kushtetuta e Serbisë është problematike, e jona është e avancuar dhe e shkruar nga BE-ja”.

I pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se në Sofje nuk ka pasë mundësi ta takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nesër besoj do të kam mundësi të bisedoj më Kryeministren e Serbisë, por me Presidentin serb nuk kam pasë mundësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat