Sindikata e PTK-së kërcënon Qeverinë, kërkon të mos ulen pagat e punëtorëve

Aktuale

Sindikata e PTK-së kërcënon Qeverinë, kërkon të mos ulen pagat e punëtorëve

Më: 19 maj 2018 Në ora: 13:59
PTK

Lamih Balaj, nga Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së, ka thënë se do t’i dalë ‘kapuç me mëngë” Qeverisë së Kosovës nëse vendos përfundimisht të ulë pagat në këtë kompani.

Reagimi i Balajt ka ardhur pas paralajmërimit të fundi të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka se pagat në PTK do të ulen. Madje, ka përmendur edhe shifrën prej 40 për qind.

“Dhe i themi edhe një herë edhe Ministrit po edhe Kryeministrit, mos tentoni se ka me ju dalë “kapuç me mangë”, ajo që janë tu tentu me ba në Telekomin e Kosovës”, ka thënë Balaj, të shtunën.

Zyrtarët e Qeverisë kanë dhënë paralajmërime edhe më herët se do të ulin pagat në PTK pasi mesatarja e të ardhurave në këtë kompani është 900 euro. Krejt kjo pasi Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit për shkak të borxheve prej 60 milionë eurove. Gjysma e këtij borxhi është ndaj Z-Mobile, një kompanie private, e cila ka fituar një kontest gjyqësor më PTK’në në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sidoqoftë, udhëheqësi i sindikalistëve të PTK’së thotë se paralajmërimet për uljen e pagave po bëhen për të shkatërruar edhe më tepër këtë kompani dhe për t’i favorizuar Z-Mobile.

Madje, Lahim Balaj thotë se Ministri i Zhvillimit Ekonomik po bën kësi veprimesh për t’i bërë favore Z-Mobile ku kishte qenë i punësuar.

Ky zyrtar i PTK’së ka paralajmëruar se të hënën do të dalin me një qëndrim se si do ta kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për uljen e pagave. Nuk e ka përjashtuar as mundësinë e protestave nga ana e punëtorëve të PTK’së.

 “Sindikata është jashtëzakonisht e vendosun edhe e fuqishme që kemi me e mbrojtë qoftë nevoja edhe me jetën tonë edhe kompaninë edhe pagën sepse nuk kemi me leju që sa herë të vjedh dikush me u pagu me paga tonat”, ka deklaruar Balaj.

Në anën tjetër, Ministri Lluka ka thënë se për idenë e zvogëlimit të pagave e ka njoftuar edhe Kryeministrit. I ka thënë se më mirë është ulja e shpenzimeve se sa falimentimi i një kompanie siç është PTK’ja

“Fatkeqësisht është e pa evitueshme (ulja e pagave), për shkak se Telekomi është keqmenaxhuar...”, ka thënë Lluka, në një intervistë,

“Në total që paguhen (pagat) janë rreth 27 milionë euro në vit, ndërsa, 70 milionë euro në vit ka qarkullim Telekomi, nga 70 milionë janë 37 përqind të asaj shitje të qarkullimit që shkojnë vetëm për paga”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat