Beteja ligjore mbi 10-vjeçare për ta trashëguar shtëpinë

Aktuale

Beteja ligjore mbi 10-vjeçare për ta trashëguar shtëpinë

Më: 20 maj 2018 Në ora: 23:26
Pallati i Drejtesise

Shyhrete Berisha dhe Shukrie Berisha janë dy nga rastet ku procedura gjyqësore për të drejtën e shfrytëzimit të shtëpisë ku jetuan me bashkëshortët e tyre u ka zgjatur mbi një dekadë.

E drejta e pronësisë deri më tani nga shkalla e parë i është njohur vetëm Shyhrete Berishës, ndërkaq kjo shkallë e la të pakënaqur Shukrie Berishën.

Shukrie Berisha ka 13 vjet që e kërkon të drejtën e shfrytëzimit të gjysmës së shtëpisë ku jetoi bashkë me burrin. Ajo ka nisur një betejë ligjore më kunetërit e saj.

Shukrie dhe Zeqir Berisha së bashku ishin nga viti 1986 deri në vitin 2003 kur Zeqiri ndërroi jetë. Krahas dhimbjes për humbjen e burrit, Shukries shpejt iu desh të ballafaqohet edhe me një problem tjetër- ajo rrezikonte të mbetej pa kulm mbi kokë.

Vendimi refuzues i Gjykatës Themelore të Prishtinës erdhi më 26 prill të vitit 2016.

Në kërkim të së drejtës siç ajo e kërkon iu drejtua Gjykatës së Apelit.

Ndryshe nga ajo, Shyhrete Berisha në betejën e saj ligjore me kunatin e saj doli fitimtare.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës ndaj familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka vendosur që t’ia njohë të drejtën mbi pronësinë Shyhrete Berishës në bazë të trashëgimisë ligjore, sipas përfaqësimit pas vdekjes së bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Por, ndonëse kanë kaluar mbi një dekadë, procedura gjyqësore për Shukrie e Shyhrete Berishën ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë.

Avokatja e Shukrie Berishës, Albana Kelmendi, ka thënë për kallxo. se vonesa të tilla vetëm sa e dëmtojnë edhe më shumë klienten e saj.

“Duke marrë për bazë se kanë kaluar 13 vjet që kur Shukrie Berisha po kërkon të drejtën e saj mbi paluajtshmërinë ku jetoi me bashkëshortin e saj të ndjerë, Berishës vetëm se i është mohuar mjaft e drejta e saj. Vonesat e tilla deri në plotfuqishmëri të vendimit janë mjaft të dëmshme për palën, mirëpo, me rastin e marrjes së vendimit shpresoj se shkalla e dytë do të marrë vendim të drejtë duke vendosur në favor të klientes sime kështu duke e aprovuar në tërësi ankesën time”, tha Kelmendi.

Portali ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të dijë se në çfarë faze janë këto lëndë.

Sipas përgjigjes së zyrtarit për informim të kësaj Gjykate, Arbër Jashari, rasti i Shukrie Berishës është pranuar në Gjykatën e Apelit më 20 shtator të vitit 2016, ndërsa ai i Shyhrete Berishës është pranuar më 6 nëntor 2017.

Sipas Jasharit, që të dy rastet u janë ndarë në punë gjykatësve dhe janë në radhë për vendosje.

Kohëzgjatjen ai e ka arsyetuar me numrin e madh të lëndëve që po përballet kjo gjykatë.

“Gjykata e Apelit është duke u përballur me një grumbull jashtëzakonisht të madh të lëndëve në lëminë civile. Andaj është e pamundur që lëndët te vendosen brenda një periudhe të shkurtër”, tha Jashari.

Në një konferencë për medie nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, të mbajtur në dhjetor të vitit 2017, ai ka treguar se kanë mbetur mbi 12.600 lëndë të pazgjidhura.

Kryetari Shala ka thënë se arsyeja se pse kanë mbetur këto lëndë është për shkak se në vitin 2016 është trashëguar një total prej 11,266 lëndëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat