KMDLNJ kërkon nga Thaçi që mos ta dekretojë gjykatësin e Kushtetueses

Aktuale

KMDLNJ kërkon nga Thaçi që mos ta dekretojë gjykatësin e Kushtetueses

Më: 21 maj 2018 Në ora: 11:32
Gjykata Kushtetuese

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me anë të një letre i kërkon presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që mos ta dekretojë Radomir Llaban si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese pa u verifikuar e kaluara e tij.

Llaban të premten u zgjodh gjyqtar i Kushtetueses nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ndërsa menjëherë u ngritën dyshimet për të kaluarën e tij kriminale.

Për rastin në fjalë KMDLNj mendon se është lëshim i atyre që është dashur  ta bëjnë verifikimin e së kaluarës të çdo kandidati që ka konkurruar për pozitën e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese aq më parë që nuk mund t’iu besohet kandidatëve  për të kaluarën e tyre.

“President Thaçi , KMDLNj kërkon nga ju, si autoritet që vendosë për dekretimin e gjykatësve  të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës , të mos e nënshkruani dekretimin e z.Llaban deri sa përfundimisht të mos sqarohet e kaluara e tij , pas një verifikimi i cili doli të jetë i mangët për rastin konkret . Sqarimi i së kaluarës së z.Llaban është lehtësisht i verifikueshëm nëse ka vullnet dhe nëse ky proces nuk i nënshtrohet ndikimeve politike”, thuhet në letrën e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së përzgjedhja e kandidatëve  për Gjykatë Kushtetuese duhet të depolitizohet sikur që duhet të kërkohet një mundësi tjetër e mënyrës së intervistimit ( me ndryshime të Kushtetutës) për faktin se komisioni intervistues ka kapacitet më të ulët profesional se thuaja nga çdo kandidat për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese prandaj politika  dhe partitë politike po gjejnë hapësirë të mjaftueshme për manipulim të tërë këtij procesi.

“Nuk ka dyshim se deputetët e komunitetit serb e kanë ditur për të kaluarën e dyshuar kriminale të z.Llaban mirëpo shtrohet pyetja nëse këtë e kanë ditur edhe shqiptarët dhe përsëri e kanë votuar ?! Rasti Llaban, nëse del të jetë i vërtetë tregon qartazi për mungesën e koordinimit midis segmenteve të caktuara të sistemit të sigurisë e që janë përgjegjëse për verifikimin  e së kaluarës për pozita ku kërkohet sqarimi për të kaluarën. Nëse rasti Llaban është përtej dyshimeve të shprehura në media dhe dëshmohet e kaluara e tij  e cila është në shpërputhje me postin e synuar dhe për fat të keq të votuar nga deputet të papërgjegjshëm , z.Llaban jo që nuk duhet të dekretohet si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës por ndaj tij duhet të fillojnë hetimet për paraqitje të pavërtetë të fakteve , mëshehje  të së vërtetës dhe falsifikim të dokumenteve”, thuhet nga KMDLNJ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat