Nuk ka legalizime pa u zgjidhur çështja pronësore

Aktuale

Nuk ka legalizime pa u zgjidhur çështja pronësore

Më: 23 maj 2018 Në ora: 14:12
Pamje nga mbledhja e komisionit

Me gjithë vërejtjet e Listës serbe, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, sot ka miratuar projektligjin për trajtimin e objekteve pa leje, për të cilin u tha se do të ketë mundësi që procesi i legalizimit të shkojë më mirë, pasi do të ketë kosto më të lirë dhe procedura të shpejta.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Liburn Aliu, anëtar i Komisionit dhe kryetar i grupit punues për projektligjin që trajton ndërtimet pa leje, shpreson që me këtë projektligj do të ketë mundësi që procesi të shkojë më mirë.

Sipas tij, ky projektligj do të ketë rol me rëndësi edhe në procesin e pranimit teknik të ndërtimeve, mirëpo, tha se nuk mund të bëhet asnjë legalizim pa u zgjidhur çështja pronësore. Objektet që nuk kanë zgjidhje pronësore, Aliu tha se do të mbesin listën e pritjes.

Aliu: S’ka legalizim pa u sqaruar çështja pronësore

“Ligji e bën mjaft të qartë se nuk mund të bëhet legalizimi i plotë i asnjë objekti pa u sqaruar çështja pronësore. Pra, pa qenë e definuar çështja pronësore nuk mund të legalizohet një objekt. Mund të ketë aplikim për të, por në momentin që çështja pronësore është e pazgjidhur, ajo ndërtesë, ai objekt, ai rast, ajo lëndë vihet në listë të pritjes dhe mbetet aty derisa mos të zgjidhet çështja pronësore”, ka thënë Aliu.

Ai shtoi se legalizimi është çështje teknike, dhe sipas tij, nuk mundet që listat e pritjes të kenë karakter etnik për trajtim të veçantë. 

Aliu: Nuk ka pse të trajtohen pronat e komunitetit në mënyrë të veçantë

Video

“Kjo është çështje teknike, nuk mundemi që listat e pritjes tash t’i japim karakter etnik, çështjeve të pronave, po. Por, nuk mund të ndërhyhet, t’i jepet trajtim i veçantë nëse një objekt është apo mund të jetë pronë e komunitetit. Andaj, nuk pse të trajtohet në mënyrë të veçantë”, ka thënë Aliu.

Ai ka lexuar një prej amendamenteve të Listës serbe me ndryshime.

Aliu: Amendamenti katër i Listës serbe

“Amendamenti katër i Listës serbe, neni dy të projektligjit i shtohet paragrafit tetë si në vijim: Ky ligj nuk zbatohet në objektet, të cilat janë ndërtuar në tokën ndërtimore urbane në të cilën më parë ka ekzistuar një patundshmëri tjetër, e cila është rrënuar si pasojë e veprimit të njeriut gjatë ose pas konfliktit, çrregullimeve ose akteve jo legale, individuale e as objektet, të cilat kanë lindur me mbi ndërtime me restaurim apo me ndryshim në ndonjë mënyrë tjetër të objektit, i cili është në pronësi të personave të shpërngulur, përkatësisht në pronën e uzurpuar në të cilën pronarët nuk janë në gjendje të kenë qasje”, ka thënë Aliu.

Mirëpo, zëvendëskryetar i dytë në këtë Komision, Srdjan Mitroviq nga Lista Serbe, është shprehur kundër miratimit të amendamenteve të propozuara për projektligjin për ndërtimet pa leje, duke thënë se grupi punues nuk ka marrë parasysh asnjë nga propozimet e kësaj partie.

Mitroviq: Ligji nuk e ka mbështetjen e Listës Serbe

“Të gjitha amendamentet e Listës Serbe janë refuzuar nga ana e grupit punues. Nuk dua të komentoj amendamentet veç e veç, por sa i përket Listës Serbe ato nuk janë të pranueshme dhe si të tilla nuk do të kenë mbështetjen tonë dhe ligji nuk do të mund të marrë mbështetjen nga ana e Listës Serbe. Përmes këtyre amendamenteve, Lista Serbe tenton të zgjidhë problemin më të keq, që ekziston në territorin e Kosovës dhe kjo është çështja e pronës dhe në të njëjtën linjë edhe ndërtimet pa leje. Absolutisht është e papranueshme”, tha Mitroviq.

Në fund ka ndërhyrë kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, i cili tha se nuk ka më ligje etnike, sepse sipas tij, qytetarët e Kosovës janë të barabartë edhe me Kushtetutë.

Haradinaj: S’ka më ligje etnike

“Kemi me dhjetëra ligje, të cilat janë në fuqi, edhe mendoj që organet duhet me marrë masat për uzurpatorët, që sa më shpejt me i nxjerrë në rrugë dhe me i qit para ligjit kushdo qofshin ata. Ne kemi vërejtje edhe në pjesë të ndryshme të Kosovës. S’ka ligje etnike më, qytetarët e Kosovës janë të barabartë me Kushtetutë”, ka thënë Haradinaj.

Anëtarë të Komisionit për Bujqësi, sot kanë miratuar edhe projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Kjo pikë nuk ka qenë në rend të ditës të komisionit, por ishte kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, ai që propozoi që sot të votohet ky projektligj në parim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat