Me debate të ashpra përfundon pa marrëveshje tryeza, partitë nuk pajtohen me deklaratën e VV-së për zgjedhje

Aktuale

Me debate të ashpra përfundon pa marrëveshje tryeza, partitë nuk pajtohen me deklaratën e VV-së për zgjedhje

Më: 25 maj 2018 Në ora: 10:59
Tryeza e thirrur nga Vetëvendosje

(E plotësuar) -  Partitë politike kanë mbajtur për herë të tretë tryezën e nisur nga LDK, për të diskutuar rreth arritjes së konsensusit për temat që janë me rëndësi për shtetin.

Por kësaj radhe, organizatori i tryezës Vetëvendosje, nuk iu kishte përmbajtur dakordimeve të tryezës së kaluar që në tryezën e radhës të flitet për dialogun me Serbinë. Synimi i kësaj tryeze doli të jetë dakordimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Për këtë qëllim, sot gjatë tryezës u prezantua edhe një deklaratë, e cila ftonte subjektet politike të Republikës së Kosovës që të “pajtohen që në situatën aktuale rruga e duhur për një qeverisje legjitime dhe demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të organizuara në kohën më të përshtatshme të mundshme por pa vonesa”.

Mirëpo, kjo deklaratë u kundërshtua nga partitë në pozitë duke e quajtur “farsë”. Sipas përfaqësuesve të partive në pozitë, as opozita nuk është më të vërtetë e interesuar për zgjedhje.

Në fjalën e tij, nikoqiri i tryezës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tregoi pse duhen zgjedhjet e parakohshme. Ai theksoi se i mirëpret të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e partive rreth deklaratës, dhe në rast të dakordimit në vijim ta shpallin si dakordim të tyre të përbashkët në të ardhmen.

Kurti: Nëse ka etikë në politikë, Haradinaj duhet të jap dorëheqje

“Në rast se duhet të ketë etikë në politikë, e ne besojmë që duhet të ketë etikë në politikë, ky kryeministër duhet të jap dorëheqje. Pra, kryeministri Haradinaj duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të lira e demokratike. Këto të zeza që na i bëri, Haradinaj nuk ua ka premtuar qytetarëve në fushatë para një viti. Le të shkojmë në zgjedhje dhe aty mandej banorëve të Rugovës le t’ua hedhë hartën fytyrës siç ia bëri Murat Mehës. Kush mund të ketë besim në kryeministrin Haradinaj? Dikur e mbante bajrakun kundër demarkacionit dhe porsa u bë kryeministër e ndërroi tërësisht qëndrimin. Kurrë nuk kam besuar që pas raportit të Komisionit Bulliqi, ai na e sjell ratifikimin e demarkacionit Meha. Ky kryeministër për karrige e bën edhe 'Zajednicën'”, tha Kurti.

Lideri i VV-së, ia ka numëruar Qeverisë së Haradinaj  të gjitha “të bëmat e saj” për këta muaj të qeverisjes.

Si pikë të parë Kurti ka përmendur pazaret me Milan Radojiçiq për koalicion me Listën Serbe, për të vazhduar me ministrin Rikallo për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë se ka qenë në mesin e bandave të Serbisë që kanë maltretuar njerëzit gjatë luftës. Kurti nuk ka lënë pa përmendur as kabinetin gjigant të ministrave, zëvendësministra, e zëvendëskryeministrave, siç e ka quajtur ai, për të rehatuar familjarë e farefis e militantë të afër 20 partive në qeveri të cilat po i ndajnë pozitat e buxhetin “porsi plaçkë”.

Kurti ka përmendur edhe dyfishimin e pagës së kryeministrit nga vetë ai, faljen e borxheve, ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, rifillimin e bërjes së Zajednicës, e po ashtu edhe arrestimin e Gjuriqit, e depërtimin e gjashtë shtetasve turq.

Kurti: Haradinaj është me qira nga presidenti Thaçi

“Për këto të fundit kryeministri Haradinaj tha se nuk e ka ditur. Ndërkohë ai jep intervista për mediet në Serbi ku e tallin dhe shajnë shtetin tonë kurse Haradinaj qeshet. Çka din ky kryeministër? Nuk e di se çka din ky kryeministër, por e di se ky është një kryeministër të cilin presidenti Thaçi e ka marrë me qira, sidomos për ‘Demarkacion’ por edhe për ‘Zajednicë’. Pra, ky nuk është kryeministër, por është ushtrues detyre i kryeministrit”, theksoi Kurti.

Në parim për zgjedhje të parakohshme u shprehën edhe përfaqësuesit e LDK-së. Por, nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, theksoi se ata së pari janë të interesuar t’u japin përparësi temave me interes për vendin.

Veliu: Në parim jemi për zgjedhje, por t’i mbështesim disa procese jetike për Kosovën

“Mendojmë që zgjidhja për këtë gjendje janë zgjedhjet e lira. Por duke pasur parasysh se vendi po kalon nëpër procese të rëndësishme të cilat s’po dua t’i theksoj sepse i kemi theksuar, ne si LDK kemi dashur t’i japim përparësi arritjes se një konsensusi të partive për një periudhë të caktuar kohore. Por në këto tryeza është mirë të arrijmë edhe një pajtim edhe për datën e zgjedhjeve në mënyrë që disa procese të rëndësishme për Kosovë, t’i mbështesim sepse ato nuk janë çështje që i përkasin koalicionit qeverisës apo subjekteve veç e veç por janë çështje me interes për Kosovës”, u shpreh Veliu.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se organizatori i tryezës e ka devijuar qëllimin e tryezave që janë dakorduar për të vazhduar me tryezat e radhës. Duke iu përgjigjur Kurtit për zgjedhje të parakohshme, Krasniqi tha se ka tema që duan konsensus të gjerë para zgjedhjeve.

Krasniqi: Nëse doni zgjedhje niseni mocionin, leni retorikat

“Ne jemi kundër zgjedhjeve, por ne jemi gati për zgjedhje, nëse ju jeni gati për zgjedhje zotëri Kurti edhe ju opozita ne jemi gati për zgjedhje. Për 45 ditë, urdhëroni niseni mocionin nëse përnjëmend doni zgjedhje. Por zgjedhjet nuk organizohen me tryeza dhe me retorika dhe me demagogji të kësaj natyre që po e dëgjojmë në vazhdimësi, e asnjë hap askush nuk po guxon me marrë, e as me mëndu sa i përket zgjedhjeve. Vendi nuk është në krizë, ndoshta në filtrat e shihni vendin ndoshta është në krizë, vendi nuk është në krizë. Ndoshta opozita është në krizë e ju duket vendi që është në krizë për shkak të krizës së vet”, tha Krasniqi.

Sekretari i AAK-së, Blerim Kuçi, ka ftuar opozitën që nëse i ka numrat ta rrëzoj Qeverinë e mos të thërras tryeza që ngjajnë me konferenca për media.

Kuçi: Nëse i keni votat inicioni mocionin e mosbesimit

“Qysh e filloj nikoqiri po ngjason si konferencë për media. Ne mund të vazhdojmë konferencën për media, por atëherë po humb kuptimin kjo tryezë ashtu qysh jemi dakorduar edhe në tryezën e parë. Sa i përket zgjedhjeve, edhe në takimin e parë kemi fol që nuk ka kuptim me kërku zgjedhje të parakohshme, pasi nuk janë tema me konsensus nacional. Albini e tha që tryezat po e zëvendësojnë Kuvendin, mirëpo, bash kjo temë e zëvendëson Kuvendin. Sepse kur opozita i ka votat atëherë duhet kjo çështje të shkoj në Kuvend kërkohet mocioni ndaj Qeverisë, i keni 61 vota dhe bie kjo Qeveri”, theksoi Kuçi.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, e dha një qëndrim po ashtu në emër të partisë së tij duke lënë të nënkuptohet se nuk janë të interesuar për zgjedhje.

Sherifi: Nisma nuk merr pjesë më në tryeza për zgjedhje

“Kur opozita e ka bërë shumicën dhe ia bënë një ofertë gjeneroze pushtetit që të mos e rrëzoi sot por ia jep një periudhë shtatë mujore, tetë mujore para se ta rrëzoj. i kërkon një marrëveshje mirëbesimi, meqë i kam numrat nuk po të rrëzoi, po ta kërkoj një datë të përbashkët që të shkojmë në zgjedhje. Kjo është logjika e tryezës, e temës së zgjedhur në një tryezë....37 55 Nisma deklarohet këtu që erdhëm këtu për të dëgjuar për të thënë qëndrimin tonë, për kjo do të jetë hera e fundit që marrim pjesë në temën për zgjedhje”, theksoi Sherifi.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dukagjin Gorani, u shpreh se partia e tij në parim e përkrah idenë e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij ekzistojnë dy prioritete të mëdha në vend, por që duket se e përjashtojnë njëra tjetrën, procesi i dialogut dhe domosdoshmëria e zgjedhjeve.

Gorani: Për zgjedhje konsensusi është i panevojshëm

“Duhet të ketë konsensus brenda opozitës që të mund zgjedhjet e parakohshme të jenë të realizueshme dhe të mundshme brenda kuvendin. Mirëpo, mbi të gjitha udhët të ketë konsensus te të gjitha partive për prioritetet kryesore, e të cilat janë ndërmjet veti të përjashtuara. Mendoj që dialogu, vazhdimi, mos vazhdimi, ndryshimi i formatit, përmbajtjes, përfaqësimit mendoj që është çështje prioritare, meqë tashmë publikisht dhe shpeshherë edhe jo formalisht qershori nënkuptohet fillimi i këtij procesi që konsiderohet prioritar edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Gorani.

Në këtë tryezë nuk munguan as përplasjet e përfaqësuesve të partive të vogla. Musa Bajraktari nga Partia Republikane e Kosovës, akuzoi Faton Kurtin, i cili përfaqësonte Republikanët e Kosovës, se po paraqitet si kryetar i PRK-së, e jo si kryetar i Republikanëve të Kosovës.

Bajraktari: Kurti nuk përfaqëson Partinë Republikane të Kosovës

“E vërteta është këtu para mediave se Kurti nuk e përfaqëson Partinë Republikane të Kosovës, ashtu siç paraqitet ai në media tjera si kryetar i PRK-së. Unë i kam njëqind dokumente se vetëm si kryetar i Partisë Republikane të Kosovës është paraqitur, e jo si kryetar i Republikanëve të Kosovës. Për këtë e ka edhe kallëzimin penal në prokurori. Kurti nuk e përfaqëson PRK-në, ky përfaqëson një parti e cila është jashtëligjshëm i regjistruar”, u shpreh Bajraktari.

Në fund Kurti kritikoi për mos funksionimin e grupit punues, sepse nuk është mbledhur asnjëherë.

Sipas radhës tryezën e ardhshme duhet ta organizoj Partia Socialdemokrate, meqë është forca e katërt në Kuvend.

***

Në tryezën e Vetëvendosjes ka pasur një debat të ashpër ndërmjet përfaqësuesit të AAK-së, PDK-së dhe Albin Kurtit.

Kjo situatë u krijua pasi partive iu dha deklarata ku thuhet se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi ka thënë se kjo tryezë nuk ishte në frymën e koncensusit.

“Kjo nuk i shërben koncesusit. Ne kemi krijuar një grup punues. Në tryezat e mëhershme janë vendosur 5 tema dhe asnjëra nga to nuk është kjo për të cilën shkruhet në deklaratë”, ka thënë Kuçi.

Ndaj kësaj ka reaguar Albin Kurti. Ai theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pasi nuk mund të ketë qeveri me 52 deputetë.

“Ju keni ardhur në këtë tryezë duke e ditur temën. Nuk qeveriset me 52 deputetë, dhe si rezultat duhet të dilet nga kjo krizë”, tha Kurti.

Pas kësaj reagoi edhe përfaqësuesi i PDK-së, Betim Gjoshi.

Gjoshi theksoi se deklarata e VV-së ishte më shumë dëshirë e një personi duke aluduar te Albin Kurti.

Duke folur për këtë deklaratë, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deklaroi se partia e tij është që të ketë zgjedhje, por që së pari duhet të kryhen disa tema me rëndësi për vendin.

Në përfundim të takimit Kurti ka thënë se përshendet qëndrimet nga kjo tryezë por edhe vërejtjet për deklaratën.

Ndryshe në këtë takim nuk mori pjesë vetëm Lista Serbe.

Kjo është deklarata që pritet të votohet nga partitë në fund të tryezës (Dokument)

Partitë politike do të miratojnë një deklaratë të përbashkët në fund të tryezës së sotme në të cilën po kërkohen zgjedhje parlamentare.

Në atë deklaratë kryeministrit Ramush Haradinaj i kërkohet të iniciojë mocion vetëbesimi në Kuvend të dëshmoje që e ka shumicën në Kuvend dhe legjitimitetin për të qeverisur.

“Ne subjektet politike të Republikës së Kosovës pajtohemi që në situatën aktuale rruga e duhur për një qeverisje legjitime dhe demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të organizuara në kohën më të përshtatshme të mundshme por pa vonesa”, thuhet në deklaratë.

“Kryeministri nuk mund të vijojë qeverisjen dhe marrjen e vendimeve më tej pa provuar në Kuvend shumicën.  Andaj e ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të votëbesohet dhe ta dëshmojë në Kuvend që do të mund të qeverisë.”, thuhet më tej.

Pritet të shihet nëse ky dokument do të miratohet nga të gjitha partitë si dhe nëse do të kalojë si propozim edhe në Kuvend.

Image
Deklarata që pritet të votohet nga partitë në fund të tryezës (Dokument)

Gorani: Subjektet politike të kenë konsensus për dialogun

Deputeti i PSD-së, Dukagjin Gorani në tryezën e subjekteve politike, ka deklaruar se duhet të ketë konsensus brenda opozitës që zgjedhjet e parakohshme të jenë të mundshme, mirëpo duhet konsensus i të gjitha partive për dialogun.

Ai ka thënë se në parim e përkrahin idenë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Prej asaj që po hetohet ekzistojnë dy prioritete që e përjashtojnë njëra tjetrën, dialogu dhe zgjedhjet. Nëse duhet të vazhdoj dialogu atëherë a mund të shkohet në zgjedhje. Për zgjedhje konsensusi është i pa arritshëm sepse pushteti nuk është i interesuar. Nëse ka koordinim të opozitës, atëherë i bëjmë numrat dhe e rrezojmë Qeverinë. Nëse i kem numrat s’kemi nevojë të thërrasim pushtetin në tryeza. Duhet të ketë konsensus brenda opozitës që zgjedhjet e parakohshme të jenë të mundshme. Mirëpo duhet konsensus te të gjitha partive për dialogun”, tha ai.

Sherifi: Tryeza e thirrur nga VV i tensionon raportet

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se meqë tryeza e sotme filloi me aktakuza, atëherë Nisma për herë të fundit merr pjesë në tryeza që flasim për zgjedhje dhe kurdo që opozita t’i ketë numrat, le ta bëjë mocionin e mosbesimit.

Ai në tryezën e subjekteve politike të thirrur nga VV, tha se nisma e LDK-së për t’u ulur në tavolinë dhe për të biseduar u mirëprit me qëllimin se këto tryeza nëse asgjë mos të arrihet të shtensionohet situata politike, ndërsa kjo tryezë i tensionon ato raporte.

“Ideja është që të flasim në mënyrë konstruktive. Meqë filluam me aktakuza e akuza atëherë Nisma për herë të fundit merr pjesë në tryeza që flasim për zgjedhje. Kurdo që ti keni numrat bëjeni mocionin e mosbesimit”, tha ai.

Krasniqi: Diskutimi ishte shfryrje e Kurtit

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK është kundër zgjedhjeve por është gati për zgjedhje, për të cilat nuk vendoset nëpër tryeza por në Kuvendin e Kosovës.

Ai në tryezën e subjekteve politike ka thënë se Albin Kurti, si organizator i tryezës e ka devijuar qëllimin e tryezave që jemi dakorduar për të vazhduar tryezat.

“Në asnjë prej tryezave tjera nuk kemi diskutuar për zgjedhjet. Edhe diskutimi juaj nuk ishte në frymën e konsensusit, më shumë ishte shfryrje e juaja zotëri Kurti. Këto tryeza s’janë menduar si zëvendësim i Kuvendit. Ndërsa ju sot keni thirr tryezë për të organizuar zgjedhjet. PDK është kundër zgjedhjeve por ëshë gati për zgjedhje. Por zgjedhjet nuk organizohen me tryeza. Kosovës sot i duhet konsensus por nuk i duhen zgjedhjet, besa as ju nuk jeni për zgjedhje, tema e sotme është fars”, tha ai.

Ai i tha Kurtit që nëse duan zgjedhje, le ta niseni mocionin e mosbesimit në Kuvend, dhe pasi t’i bëjnë 61 vota, vendi shkon në zgjedhje.

Kurti: Nëse kryeministri ka etikë duhet të jap dorëheqje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka hapur tryezën me subjekte politike, duke thënë se besojnë se duhet të shkohet në zgjedhje dhe ato duhet të jenë demokratike.

Sipas tij, po tentohet se këtu të flitet për çështje politike për të cilat duhet të vendos Kuvendi dhe kjo për VV-në është e papranueshme.

“Kjo është qeveria e pakicës. Kjo gjendje nuk mund të vazhdoj nëse duam të ecë vendi ynë përpara. Nëse ka etikë ky kryeministër duhet të jap dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje demokratike”, tha ai.

Fjalimi i kryetarit, Albin Kurti, në tryezën "Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve"?

Të nderuar kryetarë dhe ju përfaqësues të tjerë të subjekteve politike të Republikës së Kosovës,
Të nderuar gazetarë dhe të pranishëm të tjerë,

Mirë se keni ardhur në këtë tryezë me temë e titull “Zgjidhja përmes zgjedhjeve”, nikoqir i së cilës kësaj radhe është Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne jemi një subjekt politik demokratik i cili beson në demokraci, e praktikon dhe e ushtron demokracinë brenda vetes si dhe e afirmon atë kudo. Ne besojmë se zgjidhjet duhet të jenë demokratike, ne besojmë në zgjedhje të lira të qytetarëve dhe ne besojmë se sovraniteti shtetëror në republikë e ka për burim popullin që zgjedh.

Ka një përpjekje që në tryeza të këtilla të diskutohen çështje politike që i takojnë parlamentit. Kjo është e papranueshme, sepse ne jemi republikë parlamentare dhe çdo miratim e çdo konsensus për ndonjë vendimmarrje duhet kërkuar në kuvend, dhe nuk ka nevojë për tryeza e sajesa të tjera të tilla. Nëse ka ndonjë kuptim kjo tryezë, ajo është për të gjetur konsensus për zgjedhjet, sepse në një demokraci parlamentare nuk është e udhës të qeverisë pakica.

Në republikën parlamentare çfarë është shteti ynë i pavarur, qeveria duhet të jetë qeveri e shumicës e cila mirëmbahet nga shumica parlamentare. Qeveria aktuale, në rastin më të mirë për të, i ka 52 deputetë. Kjo është qeveri e pakicës e cila keqmbahet nga pakica. Kurrë nuk ka pasur më pak mbledhje të Kuvendit të Kosovës dhe projekt-ligje të qeverisë sikurse tani. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë nëse duam të vazhdojë funksionimi institucional i vendit tonë. Nga raporti "Vendet në tranzicion, 2018" i Freedom House, Kosova ndodhet më keq se Bosnja dhe Hercegovina sa i përket nivelit te demokracisë: 4.93 kundrejt 4.64.

Mirëpo, vështirë se ka mundur të jetë ndryshe. Le t’ia përshkruajmë qeverisë veten e saj:

1) E filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe;

2) E vazhdoi me ministrin Rikallo për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë se ka qenë në mesin e bandave të Serbisë që kanë malltretuar njerëzit gjatë luftës;

3) I bëri plot 21 ministra, 80 zëvendës-ministra, e 5 zëvendës-kryeministra për të rehatuar familjarë e farefis e militantë të afër 20 partive në qeveri të cilat po i ndajnë pozitat e buxhetin porsi plaçkë;

4) Duke i shkelur së paku tri ligje, Ligjin e ZRrE-së, Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nënshkroi kontratën kapitulluese për termocentralin e ri me një fond investiv privat “Contour Global” të cilit ne ia garantojmë shitjen, kredinë dhe fitimin prej 18,5%, kurse qytetarëve ua shtrenjtojmë energjinë elektrike;

5) Ia dyfishoi vetes pagat në shtetin me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë – rritja e pagës vetvetes është hajni;

6) Organizoi faljen e borxheve publike të ndërmarjeve të papërgjegjshme, a thua se po falte nga kuleta e vet. Falte jashtëligjshëm borxhe. Mund ta falësh gjobën ose ndëshkimin, por jo borxhin. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi në republikë parlamentare e jo qeveria. Falja e borxhit të privatit ndaj shtetit është privatizim abuziv.

7) Ratifikoi demarkacionin e Mehës dhe Thaçit me Malin e Zi, i cili na e ndryshon kufirin e na i humbet 8.200 hektarë;

8) Mashtroi për liberalizimin e vizave, ndërsa ne mbetemi ende vendi me qytetarët më të izoluar në Evropë;

9) E rifilloi ‘Zajednicën’ e Serbisë me iniciativën për hartimin e statutit të saj;

10) E dërrmoi Postën dhe Telekomin e Kosovës me keqmenaxhim e mbipunësim duke i shkaktuar humbje të mëdha drejt një bakrotimi të qëllimshëm;

11) Një pjesë të kabinetit e ka të mbushur me njerëz që janë nën hetim për vepra kriminale;

12) Na e diskreditoi arsimin universitar kosovar duke e ç’regjistruar atë nga cilësia evropiane;

13) Si deficiti tregtar e borxhi publik po ashtu edhe mjerimi social vetëm sa janë rritur;

14) Pagoi 1 milionë euro për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike;

15) Bëri spektakël me arrestimin e Gjuriqit të cilin nuk e gjykuan dhe dënuan kurse i dënuan gjashtë shtetas turq me dëbim pa gjyq e pa ligj. 

Për këto të fundit kryeministri Haradinaj tha se nuk e ka ditur. Ndërkohë ai jep intervista për mediet në Serbi ku e tallin dhe shajnë shtetin tonë kurse Haradinaj qeshet. Çka din ky kryeministër? Nuk e di se çka din ky kryeministër, por e di se ky është një kryeministër të cilin presidenti Thaçi e ka marrë me qira, sidomos për ‘Demarkacion’ por edhe për ‘Zajednicë’. Pra, ky nuk është kryeministër, por është ushtrues detyre i kryeministrit.

Në rast se duhet të ketë etikë në politikë, e ne besojmë që duhet të ketë etikë në politikë, ky kryeministër duhet të jap dorëheqje. Pra, kryeministri Haradinaj duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të lira e demokratike. Këto të zeza që na i bëri, Haradinaj nuk ua ka premtuar qytetarëve në fushatë para një viti. Le të shkojmë në zgjedhje dhe aty mandej banorëve të Rugovës le t’ua hedhë hartën fytyrës siç ia bëri Murat Mehës.

Kush mund të ketë besim në kryeministrin Haradinaj? Dikur e mbante bajrakun kundër demarkacionit dhe porsa u bë kryeministër e ndërroi tërësisht qëndrimin. Kurrë nuk kam besuar që pas raportit të Komisionit Bulliqi, ai na e sjell ratifikimin e demarkacionit Meha. Ky kryeministër për karrige e bën edhe 'Zajednicën'. Le të shkojmë në zgjedhje të reja dhe aty në fushatë Haradinaj e Veseli le të thonë pse është mirë ta draftojnë statutin e 'Zajednicës' për çfarë kanë formuar grup punues.

Për të gjitha këto arsye që i përmenda, është e drejtë dhe detyrë e jona të kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.

Nëse ai nuk do, atëherë është e drejtë dhe detyrë e tij që ai ta hedhë qeverinë e tij në votëbesim në Kuvend, sepse kështu e thotë neni 31 i Rregullores së Punës së Kuvendit dhe neni 100, pika 2, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe sepse shteti ynë është republikë parlamentare ku duhet të qeveris shumica dhe vetëm shumica. 

Nuk mund të vazhdohet në këtë qeveri pa mbështetje, qeveri jofunksionale, që po na mban në krizë politike e në krizë ekonomike prej se filloi punën. Ne nuk dëshirojmë të besojmë se një qeveri e tillë do të mbahet në pushtet nga ndonjë patericë pseudo-opozitare.

Haradinaj duhet të jap dorëheqje ose qeveria e tij le ta testojë besimin në Kuvend.

Nëse asnjëra nga këto nuk ndodh, do të detyrohemi të iniciojmë ne si opozitë, në bashkëpunim me forcat opozitare, mocionin e mosbesimit në Kuvend.

Ju falemnderit.

Image

Kuçi: Po humb kuptimi i tryezës së subjekteve politike

Sekretari i AAK-së, Blerim Kuçi në tryezën e subjekteve politike, tha se në tryezën e fundit janë dakorduar që të krijohet një grup koordinues që ka pasur për detyrë që të flas për temat që kërkojnë konsensus, ndërsa, sot është sjellë tryezën në pikën fillestare.

Ai shtoi se si e fillojë Kurti, tryezën ishte sikur të ishte konferencë për media.

“Ne mund të vazhdojmë por po humb kuptimi i tryezave. Bash kjo temë e zëvendëson Kuvendin. Kjo tryezë i anashkalon ato dakordimet që kemi pasur në dy tryezat e mëparshme. Temat e zgjedhjeve nuk kërkon konsensus nacional, reforma zgjedhore po”, tha ai.

Krasniqi: Bëni 61 vota, rrëzojeni Qeverinë dhe shkojmë në zgjedhje

Në tryezën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje sot, me temë caktimin e datës së zgjedhjeve, shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se janë kundër zgjedhjeve dhe se tryezat nuk mund t’i caktojnë ato por këtë mund ta bëjë Kuvendi.

Por, ai ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje nëse ato duhet të mbahen dhe nëse opozita është e gatshme, përcjell Bota sot.

“Tryezat nuk i caktojnë zgjedhjet, atë e bën Kuvendi. Thirrni mocioni votëbesimi, bëni 61 vota, rrëzojeni Qevernë dhe shkojmë në zgjedhje të gjithë”, u shpreh ai.

Veliu: Të vendosim për datën e zgjedhjeve

Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu po kërkon datën e zgjedhjeve të reja parlamentare pasi që sipas tij vendi është në krizë si pasojë e mosfunksionimit të Qeverisë dhe Kuvendit.

Këtë kërkesë në emër të LDK-së, Veliu e ka bërë gjatë tryezës me partitë politike që e ka thirur sot Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Veliut tryeza po përdoret për interesa tjera, e jo ato reale të Kosovës, që sipas tij janë zgjedhjet e reja parlamentare dhe vendosja e një date për to. “Ne si LDK konsiderojmë se veni është në krizë institucionale sepse nuk ka funksionim të qeverisë as kuvendit. Ne mendojmë që zgjidhja është përmes zgjedhjeve. Por vendi po kalon nëpër procese të rëndësishme dhe ne si LDK kemi dashur t’i japim përparësi konsensusit të partive për një periudhë kohore. Në këto tryeza duhet të vendosim për datën në mënyrë që disa procese të bashkohemi dhe ti mbështesim dhe të arrijmë konsensus për disa tema pasi ato janë në interes të Kosovës”, ka thënë Veliu.

Tryeza e subjekteve politike (Drejtpërdrejt)

Ka nisur tryeza e subjekteve politike e thirrur kësaj radhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Tryeza po mbahet në ambientet e Kuvendit.

Përndryshe, PDK,  AAK, Nisma dhe PSD, janë shprehur kundër që temë kyçe e tryezës së partive politike të thirrur nga VV-ja, të jetë konsensusi për zgjedhje të parakohshme, VV-ja vazhdon të insistojë që kjo temë, duhet të jetë temë qendrore e tryezës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat