Nilsson: Të drejtat e grave në pronë të njihen dhe implementohen

Aktuale

Nilsson: Të drejtat e grave në pronë të njihen dhe implementohen

Më: 28 maj 2018 Në ora: 11:19
Henrik Nilsson

Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson në pjesën e dytë të intervistës ka folur edhe për të drejtat e njeriut në Kosovë, të drejtat e grave në pronë si dhe të drejtat e komunitetit LGBTI.

Sipas ambasadorit, çështjet e të drejtave të njeriut duhet të jenë çështje të përditshmërisë kosovare dhe jo vetëm të manifestimeve të caktuara.

Nilsson: Të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi të njihen dhe implementohen

“Më shumë përfshirje të grave në shoqëri, ndoshta më shumë si fuqi punëtore që ato të jenë të ftuara që të kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, por po ashtu një problematikë e veçantë  është që të drejtat e tyre në bazë të ligjit si për shembull e drejta për trashëgimi apo pasuri të patundshme të pranohet dhe të jetë e implementueshme , kur vjen fjala ta zëmë në procedurat ligjore në gjykatë. Dhe unë shoh që këtu ka hapësirë për më shumë përmirësim”, ka thënë Nilsson.

Ambasadori foli edh për rëndësinë e ngritjes së vetëdijes dhe përfshirjes të të gjithë akterëve në përmirësimin e pozitës së personave të komunitetit LGBTI. Ai tha se ka tendenca që të manifestohen vetëm një apo dy ditë në vit për këtë komunitet por Suedia, sipas tij, kërkon që çështja e të drejtave të komunitetit LGBTI, të jenë pjesë e përditshmërisë në politikën dhe shoqërinë e Kosovës.

Kosova organizon paradën e krenarisë cdo vit për të avokuar për të drejtat e komunitet LGBTI por aty rrallëherë shihen liderët e institucioneve kyçe të Kosovës.

I pyetur nëse mospjesëmarrja e liderëve politik në paradën dhe në manifestime ku shpërfaqet gjendja e komunitetit nuk janë aty është mesazh i keq, Nilsson thotë se përfshirja e lidershipit, sikurse gjithë akterëve të shoqërisë është shumë e rëndësishme.    

Nilsson: Kërcënimet ndaj personave LGBTI çështje për të gjithë

“Mendoj se është një çështje me të cilën duhet të merren shumë akterë të shoqërisë, sidomos institucioneve të sundimit të ligjit, Policisë, shoqërisë në përgjithësi por sigurisht edhe lidershipit politik, që të tregojnë se janë të vetëdijshëm dhe të tregojnë që realisht janë të angazhuar dhe po investojnë kohën e tyre që të përmirësojnë situatën e komunitetit LGBTI dhe të drejtat e tyre. Në fund të ditës po flasim për të drejtat e njeriut  dhe nuk do të duhej fare të ketë rëndësi orientimi juaj seksual, ose identiteti gjinor për mënyrën si trajtohesh në shoqëri”, ka thënë Nilsson.

Ambasadori Nilsson, është i vetmi ambasador që ka marrë pushimin e lehonisë në kohën kur bashkëshortja e tij ka lindur. Ai ka  ndarë edhe përvojat e tij personale lidhur me atë se çka do të thotë për një qenie njerëzore respektimi i të drejtave të tij.

Nilsson: E drejta e baballarëve e barabartë me të nënave për pushimin e lehonisë

“Është goxha e pazakonshme  që një ambasador do të shkojë në pushimin e lehonisë por unë e kam pa si një mundësi si baba që të jem me fëmijët e mi prej momentit që kur kanë lindur. Kemi punuar shumë vjet  në Suedi dhe ka qenë një e  drejtë qysh prej fillimit të viteve të shtatëdhjeta  dhe në fakt prapë nuk ka shumë baballarë që e marrin këtë të drejtë dhe ka shumë arsye për këtë. Ka disa që thonë do të jetë negative për karrierën dhe disa mendime thonë se është më e natyrshme për nënat që të rrinë me fëmijët sesa baballarët,  por kjo ngadalë po ndryshon dhe unë jam shumë i lumtur që mora atë vendim”, thotë Nilsson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat