Lekaj: Po bëhet shumë politikë për rrugën Deçan-Plavë

Aktuale

Lekaj: Po bëhet shumë politikë për rrugën Deçan-Plavë

Më: 28 maj 2018 Në ora: 11:41
Pal Lekaj

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në konferencën në media, së bashku me ministrin e Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq, ka folur lidhur me ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë.

Ministri Lekaj ka thënë se më tepër është bërë politikë lidhur me këtë rrugë.

“Sa i përket vështirësive që e kemi me Manastirin, është bërë më tepër politikë. Ne jemi të vetëdijshëm për obligimet që i kemi marr sipas Planit të Ahtisaarit, punimet janë duke u kryer jashtë Zonës së Mbrojtur. Është e vërtet që është një ndërhyrje nga kompania që e ka në kontratë kryerjen e punimeve, sepse aty vazhdimisht ka shembje të dheut, ku ne duhet ta bëjmë të lëvizshme, të qasshme rrugën”, tha Lekaj.

Ai ka thënë se asnjë mënyrë nuk do të lejohet që të cenohet një institucion apo t’i jepet përparësi një institucioni tjetër.

“Nuk ka nevojë që askush të shqetësohet për këtë. Rrugët janë për t’u bashkuar në interes të qytetarëve, zhvillimit ekonomik, zhvillimit të asaj pjese të turizmit, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të cenohet një institucion apo t’i jepet përparësi një institucioni tjetër”, tha ai.

Në fund, Lekaj ka thënë është e pavend që politika të përzihet aty, sidomos politika e Beogradit.

“Nuk guxojmë t’i prijmë asaj që nuk dëshirojmë dhe manastiri është kulturë e Kosovës, e kanë mbrojtur qytetarët e Deçanit dhe do ta mbrojnë me shekuj. Është e pavend që politika të përzihet aty, sidomos politika e Beogradit. Ne po e kryejmë punën tonë dhe do të vazhdojmë kështu”, përfundoi Lekaj.

Kujtojmë se punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë janë ndërprerë, pas kërkesës së Manastirit të Deçanit dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Lidhur më ndërprerjen e punimeve ka reaguar dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se ekziston një keqinformim lidhur me punimet në rrugë ku dhe ka ftuar diplomatët e huaj që ta vizitojnë vendin e ngjarjes që t’i shmangen deklarimeve të ngutshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat