‘Mal’ me shkelje në Presidencë

Aktuale

‘Mal’ me shkelje në Presidencë

Më: 28 maj 2018 Në ora: 14:04
Hashim Thaçi

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa shkelje në institucionin e Presidentit. Raporti i Auditorit për vitin 2017 ndër tjera konstaton se ky institucion ka dobësi në prokurim publik, mos respektim të procedurave për procedimin e pagesave, dobësi në shpenzimin e parave të imëta, si dhe mbulimin e pozitave me ushtrues detyre duke tejkaluar afatet ligjore.  Që nga muaji prill i vitit 2016, Hashim Thaçi e ka marrë postin e presidentit pas zgjedhjes së tij nga Kuvendi i Kosovës me datën 26 shkurt në mes të gazit lotsjellës dhe protestave.

Presidenca ka dobësi në planifikim dhe në realizim të procedurave të prokurimit.  të prokurimit, kanë gjetur që Presidenca kishte bërë planifikim të dobët të procedurave të prokurimit dhe si rezultat i kësaj realizimi i procedurave nuk ishte në harmoni me planin e prokurimit.

Raporti thotë se ZKA kishte planifikuar të zhvillojë 28 procedura të prokurimit me vlera të mesme dhe të vogla, ndërsa ishin realizuar 42 proceduara.

“Po ashtu, identifikuam se 22 procedura me vlerë minimale (gjithsej 18,767€) nuk kanë qenë të përfshira në raportin e planifikimit të prokurimit. Sipas pohimeve të zyrtarëve kjo dukuri është si pasoj e natyrës dhe kërkesave specifike të institucionit, mirëpo ne kemi vërejtur që shumica e këtyre procedurave ishin të natyrës se furnizimeve për zyrë të cilat mund të planifikohen”, thotë raporti.

Shkelje tjetër është mospërputhja në mes të vlerave të parashikuara të kontratave në planin e prokurimit dhe deklaratave për disponueshmerinë e mjeteve në procedurat e prokurimit të realizuara.

“Projekti “Furnizim me klima dhe tonerë” në planin e prokurimit ishte paraparë të realizohet me procedurë të hapur (vlera e parashikuar 11,000€) ndërsa janë realizuar dy procedura me kuotim të çmimit. Kjo ka ndodhur si rezultat që është planifikuar një procedurë për furnizime që nuk janë të natyrës së njëjtë të tenderimit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Janë sqaruar edhe disa gjetje të tjera në prokurim nga Auditori.

“Projekti “Furnizim me flamuj dhe shërbime tjera” në vlerë 47,740€ (kontratë publike kornize) në plan të prokurimit ishin planifikuar të realizohen tre procedura të prokurimit. Kjo për faktin që në procesin e tenderimit është vërejtur që këto procedura janë të karakterit të njëjtë të furnizimit/shërbimit dhe kësisoj janë tenderuar si projekt i përbashkët”, thuhet në raportin e Auditorit për Presidencën.

Për Auditorin, këto shkelje të evidentuara tregojnë për dobësi në procesin e planifikimit të prokurimit.

“Prania e dukurive të tilla gjatë planifikimit dhe përzgjedhjes së procedurave të prokurimit flet për një vlerësim të dobët të nevojave nga njësitë kërkuese të prokurimit, që dëmtojnë transparencën, eliminojnë konkurrencën dhe vënë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve/produkteve të pranuara për paranë e dhënë në përmbushjen e objektivave”, thuhet në raport.

Kërkesat për furnizim pas pranimit të faturave

Një tjetër shkelje është mos respektimi i procedurave në procedim të pagesave, duke përmendur gjetjen që kërkesat për furnizim janë bërë pasi janë pranuar faturat.

Duke ju referuar nenit 22 të rregullës financiare nr.01/2013, thotë se e njëjta përcakton se fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procesohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa në fjalë.

“Ne kemi vërejtur se në dy raste të pagesave (pagesa për furnizim për zyre dhe pagesa për shpenzime të telefonisë mobile), kërkesat për furnizim dhe urdhër blerjet ishin pas datës së pranimit të faturave”, thotë raporti..

Tutje thuhet se për shpenzimet e paarsyetuara mjetet duhet të rimbursohen, nëse tejkalimet janë me arsye duhet të aprovohen nga menaxheri përgjegjës.

“Ne pagesën për shpenzimet e telefonisë mobile në vlerë prej 2,101€ (dt.10.05.2017), ishte tejkaluar limiti i shpenzimeve të telefonisë mobile për 741€. Për këtë vlerë të tejkaluara nuk kishte aprovime nga personat përgjegjës”.

Auditori thotë se mos respektimi i procedurave për procedimin e pagesave respektivisht furnizimi pa kërkesë paraprake nga njësia kërkuese dhe tejkalimet e shpenzimeve jashtë udhëzimeve të vendosura, rrisin rrezikun që buxheti të shpenzohet në mënyrë jo racionale.

Një tjetër shkelje e ZP-së thuhet se është mos-kontrolli në shpenzimin e parave të imëta. Auditori ka gjetur se Presidenca i klasifikon si shpenzime të imëta edhe ato pagesa të cilat është dashur të bëhen përmes prokurimit.

“Kjo pasi që me këto para ishin bërë pagesa për shpenzime për të cilat nevojiten procedura të prokurimit (5 raste të pajisjeve të IT-së). Po ashtu dukuri e shpeshtë ishin pagesat për regjistrim, kontrollim teknik dhe mirëmbajtje të automjeteve”.

Auditori thotë se shpenzimi i parave të imta për blerjet që mund të bëhen përmes procesit të rregullt të shpenzimeve, paraqet mundësinë e favorizimit të OE të caktuar, ku sipas ZKA-së kjo mund të ndikojë që buxheti të shpenzohet në mënyrë joefikase dhe jo për qëllimin e duhur.

Mbulimi i pozitave me Ushtrues Detyre jashtë afatit ligjit

ZKA  thotë se gjatë auditimit për vitin 2017, kanë vërejtur se tri pozitat që mbulohen me ushtrues detyre e kishin tejkaluar afatin e lejuar për mbajtjen e pozitës UD.

“Pozita e Drejtorit të Departamentit të Informimit dhe Komunikimit me Publikun mbulohet me UD duke filluar nga 16.06.2016, pozita e Sekretarit të Zyrës së Presidentit nga dt. 04.04.2017, si dhe pozita e Udhëheqësit të Divizionit për Buxhet dhe Financa mbulohet me UD nga dt. 11.04.2017”.

Auditori thotë se praktika e mbulimit të pozitave me UD për periudha të gjata kohore përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur.

Buxheti për një kategori të caktuar, me rrezik të mos shpenzohet sipas qëllimit

Duke ju referuar nenit 12 pika 4 të Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Si rrjedhojë, Auditori thotë se ZP në vitin 2017 kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me gjashtë punonjës.

“Këto marrëveshje ishin për pozita të parapara me rregulloren e brendshme e jo për ekspertë të fushave përkatëse, dhe për të njëjtat nuk është zhvilluar procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”.

Auditori ka gjetur se dy punonjës për pozitat, Mbështetje për Divizionin Buxhet dhe Financa dhe Administratore e Teknologjisë Informative ishin paguar në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj dhe totali i këtyre pagesave ishte 16,272€.

“Mbulimi i pozitave të zakonshme dhe me kohëzgjatje mbi afatin e përcaktuar përmes procedurave jo adekuate paraqet anashkalim të dispozitave të përcaktuara ligjore, kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun që shërbimet të mos jenë reale me nevojat e ZP-së”.

Tutje thuhet se edhe buxheti i planifikuar për këtë kategori ka rrezik të mos shpenzohet sipas qëllimit të caktuar.

Auditori thotë se Presidenca ka bërë progres në zbatimin e rekomandimeve, megjithatë mos zbatimi i plotë i të gjitha rekomandimeve ka ndikuar që disa mangësi të përsëriten nga viti i kaluar.

“Kjo ishte e theksuar kryesisht në: mangësi në procedimin e pagesave; mos funksionalizimi i sistemit e-pasuria; dhe mungesa e raportimit për menaxhimin efektiv të rrezikut”./JNK/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat