Drejtësia në Kosovë dështoi t’i dënojë autorët e vrasjeve të grave

Aktuale

Drejtësia në Kosovë dështoi t’i dënojë autorët e vrasjeve të grave

Më: 29 maj 2018 Në ora: 15:31
Në konferencën e organizuar në kuadër të festivalit FemArt, me temën “Drejtësia për gratë e vrara në aktet e dhunës në familje”

Sistemi i drejtësisë ka dështuar të dënojë kryerësit e dhunës dhe vrasjeve në familje, prandaj kërkohet mobilizim i shoqërisë dhe institucioneve përkatëse që ky fenomen të luftohet.

Kështu u tha në konferencën e organizuar në kuadër të festivalit FemArt,  me temën “Drejtësia për gratë e vrara në aktet e dhunës në familje”.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është shprehur e zhgënjyer se si sistemi i drejtësisë ka dështuar t’i sjell para drejtësisë kryesit e dhunës në familje.

Sipas saj është fatkeqësi që  gruaja në shoqërinë tonë  ende nuk është e sigurt, prandaj ajo kërkon që  ky fenomen të luftohet pa asnjë kusht.

Jahjaga: Jam e zhgënjyer me sistemin e drejtësisë?

“Ndjehem e zhgënjyer me institucionet përgjegjëse që nuk po arrijnë t’i prangosin e t’i dënojnë, e t’i sjellin përpara drejtësisë me kohë kryesit e këtyre veprave dhe jam e pikëlluar kur kujtoj gratë në Kosovë që humbën jetën në muajt e vitet e fundit si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre vetëm për ata që janë gra Është fatkeqësi që ende duhet të diskutojmë tema të tilla që ende duhet të bëhemi bashkë për të kërkuar zgjidhje dhe për të gjetur forma për t’i mbështetur, dhe për t’iu mundësuar këtyre viktimave një jetë të lirë dhe një jetë jashtë frikës. Ato u vranë në pikë të ditës, në lagjet e tyre, në familjet e tyre, ndërsa shoqëria jonë e shihte këtë dhunë por nuk bënte zë. I fjetur ishte edhe sistemi i drejtësisë“, tha ish presidentja e vendit.

Jahjaga e cila ka themeluar edhe Fondacionin”Jahjaga” në kuadër të cilit trajtohet edhe dhuna ndaj grave theksoi se drejtësia duhet të jetë e pa kompromis në dënimin e kryesve të këtyre veprave.

Zëvendëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina u shpreh se sistemi i drejtësisë në vend ka ende mangësi, por që sipas saj legjislacioni në vend ofron mbrojtje të mirë të viktimave të dhunës në familje.

Duke e konsideruar si një fenomen global ajo tha se në Kosovë rastet më të shpeshta të dhunës dhe vrasjeve në familje ndodh nga partnerët.

Morina: Prokuroria është duke e kryer mirë punën e vet?

“Ne  dimë që sistemi i drejtësisë ka shumë mangësi në trajtimin  e drejtë dhe me kohë të këtyre rasteve. Jam e vetëdijshme se ka pasur lëshime dhe nga lëshimet e sistemit të drejtësisë flas në total ka ardhur deri tek pasojat e rënda, kjo del edhe nga një vlerësim që i është bërë programit dhuna në familje, i cili e ka nxjerr si segmentin më të dobët ndjekjen penale. Në programin e ri kemi marr detyra konkrete dhe jemi duke i zbatuar dhe jemi duke i implmentuar. Prokuroria është duke kryer punën e vetë mirë, është duke i siguruar provat,disa hapa konkretë që i kemi ndërmarr si prokurori janë për tu vlerësuar”, ka deklaruar Morina.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar nëna e Donjeta Pajazitajt, vajzës nga Strellci e cila u gjet  e vrarë në bjeshkë.

Për këtë rast ishte akuzuar një kushëri i të ndjerës por që të njëjtit gjykata e kishte liruar si të pafajshëm. Lumnije Pajazitaj  kërkoi që drejtësia të dënojë  të dyshuarin për vrasjen e vajzës.

Pajazitaj:  Si ka mundësi që fajtori të shpallet i pafajshëm??

“Si ka ardhur deri tek përfundimi i gjyqtarëve që të fajshmin, njeriun që e ka kryer veprën edhe është mbajtur  dy vite në burg, pas dy viteve është liruar i pafajshëm?  Prokuroria ka fakte mjaft që ai është fajtori që e ka kryer këtë vepër edhe si erdhi puna me u marr vendimi për me u lirua ai njeri kur e ka bërë këtë vepër edhe vajza ime ka qenë e pafajshme. E kam përcjell për në punë dhe më është kthyer kufomë,  drejtësinë e kisha lutur që edhe këtë rastin të merret me të“, tha nëna e Donjetës.

Annette Fatih-Lihiq nga zyra e BE-së tha se fenomeni i dhunës në familje nuk ndodh vetëm në Kosovë,  por  edhe në shumë vende tjera, prandaj BE është e përkushtuar në luftimin e kësaj dukurie.

Sipas saj Kosova sfidë kryesor në këtë drejtim e ka të pasurit e një fotografie të  qartë për fenomenin e dhunës në familje.

Lihiq: Legjislacioni në Kosovë ka tri ligje për mbrojtje nga dhuna në  familje

 “Ekzistojnë tri ligje specifike për barazinë gjinore, për mbrojtjen nga diskriminimi dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje. Këto përpjekje janë njohur në raportet e Komisionit Evropian, duke përfshirë raportin e vitit 2018 të vendit për Kosovën, i cili vlerëson fillimin e procesit të aplikimit për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit. Kohët e fundit, përfshirja e dhunës në familje si krim në draftin e ri të Kodit Penal është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Lihiq.

 Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se duhet të bashkohen të gjithë për të luftuar këtë dukuri, duke theksuar se sot Kosova ka plane veprimi dhe koordinator nacional për këtë çështje.

Kritika të ashpra Rugova shfaqi për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili  sipas saj po promovon Kanunin dhe po iu lejon burrave kosovar  përdorimin e armës.

Rugova: Parlamenti duhet të monitorojë Qeverinë

“Të nderuar anëtar të parlamentit kam një thirrje shumë të sinqertë  e kemi një punë për të bërë bashkë për këta qytetar. E para aman kërkoni nga kjo Qeveri dhe thoni mos promovoni more Kanun por ligj, kërkoni llogari sepse Parlamenti e ka në dorë Qeverinë e jo Qeveria Parlamentin, siç po e shohim që po sillen si pashallarë, ‘unë e bëj këtë, unë kam bërë atë’ , Parlamenti duhet të  monitorojë edhe të kërkojë llogari nga Qeveria, ju lutem për këtë fushë kemi më shumë nevojë për bashkëpunim”, ka thënë Rugova.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës brenda vitit 2017 janë evidentuar rreth 1196 raste të dhunës në familje, ndërsa në këto raste 5 persona e kanë humbur jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat