Miratohet edhe rezoluta për hapjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

Aktuale

Miratohet edhe rezoluta për hapjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

Më: 30 maj 2018 Në ora: 10:04
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka propozuar themelimin e një task-force, e cila do të merrej me identifikimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Këtë propozim ai e dha në debatin që po mbahet rreth të drejtave të punëtorëve, të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se ngado që shkon has në ankesa të punëtorëve për mos respektim të të drejtave të punëtorëve.

Veseli: Mos të përfundojë kjo seancë vetëm me një rezolutë

“Do të ishte mirë që pas kësaj seance mos të përfundojë me një rezolutë, të ketë një task-forcë, e cila do të jetë tre muaj, gjashtë muaj dhe takohemi prapë kah pjesa e tetorit-nëntorit edhe një herë. Pikërisht rreth të njëjtës temë, do të jetë task forcë shumë partiake, do të jetë me rol edhe investigues. Ta bëjmë një situatë në të cilën duhet të jetë shteti ynë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, u shpreh ai.

***

Me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar Propozim-rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Ky propozim është bërë nga deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj.

Anita Muriqi zgjidhet anëtare e KPM-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë zgjedhur Anita Muriqi në raundin e dytë për anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Ajo mori 51 vota kundrejt kandidatit  Jeton Mehmeti, i cili mori 33 vota.

Paradite deputetët kanë zgjedhur Muja Feratin për anëtar të këtij komisioni.

Vazhdimi i seancës (Drejtpërdrejt)

Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës.

Molliqaj: Hapja e kufirit me Shqipërinë në interes të qytetarëve

Deputetët e Kuvendit shqyrtuar Propozim-rezolutën për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje-daljet e shtetasve të Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Ligjvënësit janë shprehur pro këtij propozimi, të deputetit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, por se kanë pasur druajtje nëse po shkaktojnë probleme para ardhjes së rekomandimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Me këtë rast Molliqaj ka propozuar dy pika të rezolutës, të cilat parashohin, hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje dalje të shtetasve të Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në pikat kufitare Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë dhe nisjen e procedurave të domosdoshme kushtetuese për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për hapjen e kufijve, për qarkullimin e lirë të njerëzve të cilët janë shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.

Molliqaj: Hapja e kufijve është interes jetik për qytetarët e Kosovës

“Është interes jetik për qytetarët e Kosovës, sepse kalojnë diku mbi 800 mijë njerëz nga Kosova në Shqipëri në vit dhe nuk e di për pjesën sa nga Shqipëria në Kosovë. Kjo lehtëson edhe biznesin dhe shkëmbimet tjera, kështu që besojmë që është shumë me rëndësi dhe jemi të bindur se nuk paraqet asnjë pengesë as politike, as gjeostrategjike”, tha Molliqaj.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, u shpreh se ky kufi nuk do duhej fare të ekzistonte, e aq më tepër siç ka ekzistuar deri më tash me pengesa shumë të mëdha. Por, pati edhe rezerva për implementimin e kësaj rezolute.

Selimi: Qeveria nuk do ta implementojë këtë rezolutë

“Por kemi të drejtë ta kemi një lloj rezerve që kjo rezolutë mund të mbetet vetëm një dëshirë e Kuvendit dhe deputetëve gjithsesi edhe një dëshirë e qytetarëve të Kosovës dhe rezervën tonë se Qeveria nuk do ta implementojë këtë rezolutë ose nuk do ta jetësoj vullnetin e qytetarëve dhe deputetëve, është e qëndrueshme duke iu referuar edhe rezolutave tjera që kanë ngelur vetëm në nivel rezolutës”, tha Selimi.

Por, pati edhe deputetë të cilët kërkuan që të ketë kujdes me rezoluta të tilla. Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha në raportin për vizat në vitin e kaluar, një nga pikat ka qenë kthimi i kontrollit kufitar edhe në hyrje edhe në dalje.

Gashi: Mos të ngutemi të bëjë dëme para rekomandimit për vizat

“Ka pasur një kërkesë eksplicite nga ana e BE-së që të rritet kontrolli kufitar për shkak të dyshimit për aktivitete kriminale dhe për një kohë u kthye kontrolli hyrje dalje në dy shtetet, pastaj u arrit një marrëveshje dhe u rregullu kjo çështje. Unë mendoj se me argumentin që u diskutua këtu se duhet të jem të kujdesshëm dhe të mos bëjmë dëm në këtë periudhë ë shkurtër që ka mbetur deri në ditën e rekomandimit pozitiv apo negativ për liberalizim, mos të japim një argument shtesë të panevojshëm, mos të ngutemi në këtë çështje”, theksoi Gashi.

Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, e ka quajtur krejt debatin për hapjen e kufirit me Shqipërinë, diskutim koti.

Zeka: Nuk është punë e jona me hap a me mbyllë kufirin

“Sepse kjo është një ekskluzivitet absolut mes Brukselit, qeverisë Haradinaj dhe qeverisë së Edi Ramës. Nuk është punë e jona të bëjmë rezoluta të hapet a të mbyllet kufiri. Me dashtë me hap ose me mbyll vendosin ministrat e punëve të brendshme, dhe çështja e parë që do duhej të bëhej në këtë rast do të ishte këshillimi me zyrtarët ligjor të Kuvendit të Kosovës. Ne si deputetë të Kuvendit nuk e kemi guximin t’i ndryshojmë rregulloret dhe udhëzimet administrative që na i ka sjellë UNMIK-u në vitin 2001, 2002, 2003 de 2004. Shikoni këtë udhëzim administrativ për udhëtimet zyrtare të vitit 2004 a na jemi në vitin 2018 dhe ky udhëzim është nënshkruar në atë kohë nga ministri i Administratës Jakup Krasniqi, me këtë udhëzim shkojmë në Shqipëri se i marrim nga 209 euro për mëditje”, tha Zeka.

Në fund propozuesi Dardan Molliqaj, tha se nuk janë duke i hequr kufijtë, por heqjen e kontrollit për qytetarët e dyja vendeve. Ai shtoi se po kërkojnë që lëvizja të jetë pa kontroll. Rezoluta pritet të hidhet në votim pasi të harmonizohet me grupet parlamentare.

LIVE: Kuvendi miraton Rezolutën për heqjen e roamingut me Shqipërinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Rezolutës për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë.

Rezoluta e propozuar nga GP i PSD-së, ka marrë 69 vota pro.

Polemika për thirrjet e seancave, Kuvendi voton programin për zbatimin e MSA-së

Deputetët po e shqyrtojnë raportin vjetor financiar të Avokatit të Popullit për vitin 2017. Kryetari i Komisionit për Financa Publike Lumir Abduxhiku, tha se raporti është i mirë dhe shuhet se financat janë menaxhuar mirë dhe nuk ka pasur tejkalime të planifikimeve.

Deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, theksoi se raporti i Avokatit prezanton të gjeturat të cilat vazhdojnë me qenë shqetësuese pasi bartën shumë rekomandime nga viti në vit duke mos pasur përkujdesjen e institucioneve që t’iu përgjigjen atyre qysh e kërkon ligji.    

 Kajtazi: Shqetësuese zvarritja e procedurave gjyqësore

“Vazhdon me qenë shqetësim zvarritja e procedurave në gjykata me një mesatare të theksuar deri në tetë vite e cila flet edhe për nivelin e zbatimit të ligjit në Kosovë dhe po ashtu avokati i popullit evidenton çështje të cilat edhe më herët kemi prezantuar si domosdoshmëri e punës dhe obligimeve edhe të këtij Kuvendi edhe institucioneve”, tha Kajtazi.

Ajo shtoi se edhe mbrojtja e fëmijëve është shqetësues, pasi ka rritje të prekjes së fëmijëve nga narkomanët edhe në moshën 12 vjeçare dhe fatkeqësia është edhe më e thellë se edhe 9 vjeçarët janë prekur nga narkomanët.

Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjeku-Topalli tha se ky raport prezanton problemet që kanë nevojë për përmirësime në të ardhmen.

 Mjeku-Topalli: Raporti vjetor përmban refleksionet tona

“Në rastet e paraqitura në këtë raport është pasqyruar puna e institutit të Avokatit të Popullit sikundër edhe të vëmë gishtin mbi dukuritë abuzive. Përtej  kësaj Avokati synon të qartësoj rrugët që duhet ndjekur për të krijuar kulturën e shërbimit cilësor dhe të ndershëm ndaj qytetarëve. Raporti vjetor përmban refleksionet tona për çështjet më të rëndësishme të prezantuara gjatë vitit si dhe evidenton probleme që kanë nevojë për përmirësime në të ardhmen”, u shpreh ajo.

Në emër të VV-së, deputeti Sami Kurteshi, kritikoi për mos praninë e Avokatit të Popullit për të prezantuar raportin.

Kurteshi: Avokati duhet të jetë në seancë

“Kjo vërejtje duhet të vlej dhe kërkohet nga Avokati i Popullit që të vijë këtu dhe të raportoj sipas obligimit kushtetues të nenit 135, paragrafi 1. Prandaj kërkoj dhe njëherë që kjo seancë t’i mundësoj Avokatit të Popullit të vij këtu dhe të paraqes raportin vjetor sepse ka të bëjë me gjetjet e shkeljes së shtetit te të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë”, tha Kurteshi.

 Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, tha se institucionet e Kosovës nuk marrin parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit, por siç tha ai marrin pjesë aktive në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Krasniqi: Institucionet marrin pjesë në shkeljen e të drejtave të njeriut

“Shembull e kemi detyrimin flagrant për të paguar shpenzimet e energjisë elektrike për veriun e vendit, ose për faturat e ujit përmes buxhetit të paguhen edhe për veriun. Edhe në këtë raport vërehet ajo që është pasqyruar bukur shumë që realizmi i të drejtave të njeriut nuk mund të ketë as respektim të drejtave të njeriut ku sistemi i drejtësisë është pran falimentimit”, theksoi Krasniqi.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka ftuar të gjitha institucionet e Kosovës që t’i zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Haxhiu: Shqetësim mbetet mos zbatimi i rekomandimeve të Avokatit

“Ajo që mbetet shqetësuese është mos zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga cilido institucion. Ky është shqetësimi që duhet të ngritet dhe unë ftoj gjitha institucionet se mbi të gjitha duhet të shohin me seriozitet dhe t’i zbatojnë rekomandimet e këtij institucioni, ngase nëse nuk zbatohen këto rekomandime bëjnë shkelje të dyfishtë te të drejtave të njeriut”, u shpreh Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli propozoi që të shtyhet kjo pikë për më vonë gjatë ditës në mënyrë që të vijë në seancë edhe Avokati i Popullit.

 Veseli: Po e presim Avokatin, por mos shitni moral pastaj

 “Do ta bartim deri këtë pjesë që t’i japim mundësi avokatit të popullit që të vije në seancë. Por në qoftë se e vazhdojmë këtë formë do të jetë secili qysh ta vendos, kush donë vjen pastaj e presim, pastaj e votojmë derisa dëshiron, kush na pëlqen nuk e kritikojmë, kush s’na pëlqen e kritikojmë se s’po na respekton. Keni parasysh nga dita e hënë është ditur, Shkup-Prishtinë është një orë e gjysmë, dy orë punë kanë qenë për të ardhur në Kuvendin e Kosovës për ta paraqitur një raport në Kuvend. Tre ditë konferencë, kjo është çështja e cila le të vazhdoj por mos të mbaj dikush moral brenda kësaj seance se po thyhet rregullorja, s’po respektohet, s’po respektohet Kushtetuta. Kjo pjesë kalon për pikën e radhës”, tha Veseli. Seanca po vazhdon edhe me pikat tjera të rendit të ditës.

Miratohet raporti për ndihmë juridike falas

 Deputetët e Kuvendit kanë shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të Agjencisë për ndihmë Juridike Falas për vitin 2017.

Të gjitha partitë e kanë përkrahur këtë raport duke e vlerësuar punën e kësaj agjencie, derisa kanë kërkuar nga institucionet që ta ndihmojnë edhe me shumë këtë agjenci.

Raporti u votua me 56 vota për, një votë kundër dhe 7 abstenim

***

 Pas debatit mes deputetëve për ngarkesën e seancave të Kuvendit, u votua programi kombëtar për zbatimin e MSA-së.

71 vota ishin për, 1 kundër dhe 4 abstenime.

Po ashtu deputetët miratuan edhe strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036. Strategjia mori 66 vota për, 5 kundër dhe 3 abstenime.

Deputetët po ashtu miratuan edhe raportin vjetor të zyrës së rregullatorit për energji për vitin 2017, e cila mori 47 vota për, 24 kundër dhe 8 abstenime.

Seanca e sotme e Kuvendit është vazhdim i seancave të papërfunduara.

Konjufca ka vërejtje për mënyrën e thirrjes së seancave

Seanca e Kuvendit ka nisur me polemika për mos thirrje të seancave të rregullta dhe grumbullimi i pikave të shumta.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, theksoi se edhe kjo seancë sot është thirrur  në mënyrë të jashtëligjshme, meqë është bërë vetëm me një email, e jo përmes Kryesisë së Kuvendit.

“Unë mendoj që seanca është problemi dhe jo kjo pika e MSA-së në vecanti, pse, sepse kjo seancë më së pari është thirrur në mënyrë të parregullt. Kjo seancë është thirr në mënyrë elektronike. Unë nuk po e di kur emaili e ka zëvendësu Kryesinë e Kuvendit. Ky është suspendim i institucioneve të cilat i kemi krijuar vet. Sa i përket agjendës së ngarkuar të Kuvendit përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë mazhoranca e mbi të gjitha kryeministri dhe Qeveria për shkak që kryeministrit më e rëndësishme i duket me shku me e pa një rrugë si po ndërtohet sesa me ardhë në Kuvend me dhanë përgjegjësi. Si duket ai e ka keqkuptuar përgjegjësinë”, tha Konjufca.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të shkojë në seancë të pandërprerë deri në përfundimin e agjendës.

Janë mbi 75 Pika të Rendit të Ditës të mbledhura për shkak të mungesës së deputetëve, ministrave apo kryeministrit në seanca, të cilat duhen kryer para shkuarjes në pushim veror.

Shumica e shefave të grupeve tjera parlamentare janë pajtuar me propozimin e Sherifit, të cilin kryetari Kadri Veseli e ka cilësuar si “ide brilante”.

***

Mbahet vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të miratohen disa raporte vjetore dhe po ashtu janë paraparë disa pika të rendit të ditës për debate parlamentare.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat