Kurti: Thaçi dhe Veseli e bënë Haradinajn kryeministër për ta kaluar Demarkacionin dhe Zajednicën

Aktuale

Kurti: Thaçi dhe Veseli e bënë Haradinajn kryeministër për ta kaluar Demarkacionin dhe Zajednicën

Më: 31 maj 2018 Në ora: 14:03
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj janë përplasur gjatë interpelancës për vendimin e Qeverisë për ndarjen e 1 milion eurove për rrymën në veri.

Kurti akuzoi Qeverinë e Haradinajt se është qeveri e pakicës, pasi ka mbetur me 52 deputetë.

Kurti: Qeveria e Haradinajt është qeveri e pakicës

“Për bindjen time të fuqishme pavarësisht premtimeve të kryeministrit aktual ato nuk do të realizohen për shkak që kryeministri Haradinaj është në një pozitë jashtëzakonisht të dobët, ka një qeveri të pakicës me 52 deputetë ku partia e kryeministrit nuk e ka as çerekun e tyre. Një kryeministër që ka një performancë kaq të dobët nuk mund të na e bashkojë Mitrovicën të na integrojë veriun e ta bëjë faturimin atje. Për të mbetur Haradinaj kryeministër duhet edhe me tutje të vazhdojë të jetë ushtrues detyre i presidentit aktual dhe Avni Arifi që e përmendi kryeministri nuk është dashur të shkojë në Bruksel, çka me lyp në Bruksel ai, duhet vlerësim mbi dialogun 2011-2017, ai vlerësim të vijë në Kuvend. pse duhet të vijë platformë e re që Thaçi të udhëheqë. Jo, jo, njëherë një dokument zyrtar të shohim se prej vitit 2011 se çka ka ndodhur me 33 marrëveshjet e nënshkruara, se ka marrëveshje të kota, zyrat e ndërlidhjeve, fusnota”, tha Kurti.

Liderit të VV-së iu kundërpërgjigj kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj: Deputetët e mi janë të konopit

“Kur i shpjegon këto, KEDS-in e ato parametrat, mu duk vetja sikur unë kur po ulna e deri po i marr vesh prej ekspertëve, boll zor. Por, për partinë, unë i kam veç 10 deputetë, po i kam të konopit që 20 vjet nuk kanë luajt ata janë, edhe 9 qofshin, kam shkuar në burg 8 vjet, jam kthyer e aty i kam gjetur. Mbaj edhe ti tutë se është mirë nëse mundesh t’i mbash, se e kupton atëherë për çfarë po flasim”, theksoi Haradinaj.

Pas kësaj serish replikoi kreu i VV-së, duke i thënë Haradinajt se dallimi mes deputetëve të partisë së tij dhe kryeministrit është se ai nuk i ka familjar.

Kurti: Deputetët e VV nuk i kam familjar

“Kryeministri është dashur të përmendë një dallim mes deputetëve tanë, se deputetët e LVV-së nuk janë familjarë dhe kushëri të mi, ky është një dallim i madh. Nuk është puna që janë të hunit e të konopit, por janë të shtëpisë. Edhe dy valë daljesh të VV-së prapë kemi me mbet më shumë se AAK-ja, a për mbështetjen në popull për atë as mos të flasim ajo dihet”, u shpreh Kurti.

Ndaj Kurtit, reagoi serish  Haradinaj i cili shpjegoj pse është në partneritet me Thaçin e Veselin.

Haradinaj: Brenda shtëpisë nuk bëj lojëra

“Vërtet, unë me Thaçin nuk kam bashkërrugëtuar politikisht gjatë, është herë e parë që jemi në një bashkëpunim qeverisës pas njëzet vjetëve, i kemi marrë përgjegjësitë për të cilat jemi dakorduar, mbesin ato përgjegjësi edhe me Thaçin, edhe me Veselin. Unë brenda shtëpisë nuk bëj lojëra, jam me Veselin dhe jam me PDK-në, të gjithëve kur ua jep dorën jam me ta, ta kam pas jep edhe ty dorën një kohë po nuk mundëm me çuar më tutje, i ndamë rrugët”, tha Haradinaj.

Por, Kurti edhe një herë doli në foltore, duke i thënë Haradinajt se po e keqpërdor opozitarizmin për t’u bërë kryeministër.

Kurti: Keqpërdore opozitarizmin

“Nuk na u ndanë rrugët, ju keni dal prej rrugës, ne kemi qenë bashkë në kundërshtim të demarkacionit Meha edhe të Zajednicës, mirëpo ju siç thotë populli u trashët te ne në opozitë dhe shkuat u thërret Veseli dhe Thaçi, ky është problemi. Ju e keqpërdorët opozitarizmin për të shkuar në Qeveri e për t’u shitur më shtrenjtë tek ata. Po mos të ishte kryeministri Haradinaj dikur në opozitë, nuk do t’i rritej vlera që ta marrin Veseli dhe Thaçi”, tha Kurti.

Haradinaj serish iu kundërpërgjigj Kurtit, duke thënë se edhe ligji për Prishtinën është socio-ekonomi.

Haradinaj: Edhe ligji për Prishtinën është socio-ekonomi

“Vizioni socio-ekonomik, tash shembull Albin, për ty e kam, nëse e marrim ligjin për Prishtinën, është një ligj i cili vendbanimet që akomodon 1/3 e popullit të Kosovës ia mundëson të zhvillohet, është socio-ekonomi edhe kjo ia jep buxhetin, ia jep disa mundësi. Pra, e bën 1/3 e popullit tanë me mundësi me të madhe, është socio-ekonomi kjo besoni, lere që i rrit disa vende të punës se edhe disa policë bëhen”, tha Haradinaj.

Por, lideri i VV-së, Albin Kurti, pati një pyetje për kryeministrin Haradinaj.

Kurti: Kam një pyetje për ty kryeministër

“Sa për atë sa jeni për socio-ekonomi tregoju deputetëve, sa metoda janë për ta llogaritur bruto produktin vendor dhe na thoni njërën nga to. Shumë e thjeshtë, një kryeministër duhet ta dijë sa metoda janë për llogaritjen e bruto produktit vendor dhe na thoni njërën prej tyre, test elementar”, tha Kurti.

Por, kryeministri Haradinaj, pati një përgjigje, mirëpo, jo sa metoda janë për llogaritjen e bruto produktit vendor.

Haradinaj: Jemi në të njëjtën klasë Albin

“Me duket në të njëjtën klasë në ekonomi jemi unë e ti, sepse jemi duke i mësuar në të njëjtën kohë shpenzimet, investimet kapitale edhe çka po ndodh pastaj, qysh i matim tash i kam mësuar si ti”, u përgjigj Haradinaj.

Kurti insistoi me pyetjet e tij për kryeministrin duke u munduar të marrë përgjigje nga ai.

Kurti: Qe, një pyetje me të lehtë

“Thashë, sa metoda janë përgjithësisht në ekonomi për llogaritjen e bruto produktit vendor dhe le të na thotë njërën prej tyre. Tash edhe një më e lehtë, s’ka nevojë të na i thotë sa metoda, por vetëm le të na e thotë sipas metodës me të lehtë që ia merr mendja atij se si llogaritet bruto produkti vendor. E është problem të jesh kryeministër e nuk dinë si llogaritet bruto produkti vendor”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat