Kush është Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit, që u bë u.d. i drejtorit të KEK-ut?

Aktuale

Kush është Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit, që u bë u.d. i drejtorit të KEK-ut?

Nga: P.R Më: 1 qershor 2018 Në ora: 15:13
Njazi Thaçi dhe Hashim Thaçi

Lëvizja Vetëvendosjes, përmes një konference për media, ka zbuluar detajet për Njazi Thaçin, kushëririn e presidentit, Hashim Thaçit, i cili u emërua ushtrues detyre i Drejtorit të KEK-ut.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, foli për kapjen e shtetit nga Thaçi dhe PDK, të cilët kanë kapur çdo institucion përmes familjarëve dhe militantëve të tyre të ngushtë.

“Thaçët dhe PDK-ja kanë ushtruar pushtet në KEK nëpërmjet z. Njazi Thaçit, që për një kohë të gjatë sa ishte drejtor i Prokurimit nënshkroi kontrata që gati e kolapsuan këtë kompani publike. Raportime të shumta hulumtuese nga mediat dhe organizatat e huaja të auditimit kanë treguar për manipulime të rregullta të Njazi Thaçit në KEK. Në kohën kur në këtë zyrë ishte pikërisht z. Thaçi, ndër përfituesit të të mëdhenj ishin kompanitë nga Serbia. Për aq sa është zbuluar deri më sot, në kohën sa Qeverinë e kishte PDK-ja e shef i Prokurimit ishte i sapoemruari u.d i drejtorit në KEK, kompanitë serbe përfituar rreth 400 milionë eurove vetëm deri ën vitin 2013”, tha Albin Kurti.

Sipas tij, që nga mbrëmë është thelluar krimi i organizuar dhe kapja e shtetit e shtetit të Kosovës në epiqendër të së cilit ndodhet pikërisht presidenti aktual.

Kurse, anëtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani zbuloi për orientimin e fondeve drejt kompanive serbe në kohën sa kushëriri i Hashim Thaçit, Njazi Thaçi ishte udhëheqës i Prokurimit.

“Zyra e Auditorit të BE-së, OLAF, pati gjetur lidhje të dyshimta te tenderët e kompanive serbe të importit të energjisë, që kryesisht paraqiten me emrat “Rudnap” me seli në Beograd, “Geni”, po ashtu në Beograd dhe të kompanisë “EFT”, me seli në Londër, por që rrënjët i ka në shtetin serb dhe është në pronësi të biznesmenëve serbë. Të ndërlidhur me këto kompani ishin të ashtuquajturit mafia energjetike në Ballkan, të famshmit Vuk Hamoviq dhe Damir Fazliq, ky i fundit nip i ish-shefit të Sigurimit Shtetëror Serb, UDB, Jovica Stanishiq” tha Avni Zogiani.

“Sipas raporteve hulumtuese, në njërën anë, kompanitë serbe kanë marrë shuma të mëdha për shitjen e energjisë elektrike, e në anën tjetër, si shef i Prokurimit në KEK, z. Njazi Thaçi ka dhënë tender të mëdhenj për kompanitë serbe. Vetëm nga një një kontratë, kompania shtetërore serbe “14. Oktobar”, me nënshkrimin e Njazi Thaçit ka përfituar rreth 49 milionë euro për furnizimin e KEK-ut me pajisje të transportimit të dheut dhe të qymyrit, që kishin dalë nga funksioni për disa javë, sepse sipas zyrtarëve të kësaj kompanie ishin pajisje të amortizuara tërësisht, por të rifarbuara dhe të shitura si të reja”, shtoi Zogiani.

“Njazi Thaçi, gjatë karrierës së tij si zyrtar i KEK-ut ka shpërblyer me tenderë edhe familjarët e deputetëve të PDK-së. Familja e deputetit Shaip Muja nëpërmjet kompanisë “Doni” dhe “Ci-Kos”, pronë e Fatmir Mujës, vëllait të Shaipit, është e kontraktuar për shitjen e skrapit të KEK-ut, ku Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur një sërë parregullsish. Nga Zyra e Prokurimit Publik në KEK, Njazi Thaçi qe ngritur në detyrë si drejtor i TC-së “Kosova B”, ku qëndroi deri më sot kur u emërua drejtor ekzekutiv i KEK-ut. Ky emërim vetëm sa konfirmon se PDK-ja edhe në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vazhdon të vendosë për çështjet më të rëndësishme në sektorin publik”, u tha në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat