Shqipëri-Kosovë, nënshkruhet marrëveshje për dosjet e ish-Sigurimit

Aktuale

Shqipëri-Kosovë, nënshkruhet marrëveshje për dosjet e ish-Sigurimit

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 00:12

TIRANË : Sot, në mjediset e AIDSSH-së, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe z. Gjon Berisha,  Drejtor i Institutit, në prani të historianëve, studiuesve dhe kërkuesve shkencorë.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë, për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit. “Sot konkretizohet një projekt i ri mes AIDSSH-së dhe komunitetit të historianëve në Kosovë e Shqipëri, “Kosova në dokumentet sekrete ‘44-‘90”, bashkëpunim që do të zgjasë në kohë, me kontributin e studiuesve më të përgatitur dhe në kushtet e ruajtjes së të dhënave personale e interesit kombëtar”, u shpreh për të pranishmit kryetarja e Autoritetit,. Sula. “Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve shkencore në materialet arkivore, mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet dhe shoqëri, gjatë periudhës 29 nëntor 1944-2 korrik 1991; do të ndërtojnë bashkërisht projekte studimore e botuese si dhe do të kryejnë hulumtime në arkivat shqiptare e të huaja për këtë periudhë”.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kemi mundësi të hedhim dritë mbi ngjarje dhe personazhe historike, bazuar në dokumentet e panjohura që gjendjen në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, kjo është mundësi shumë e mirë që risitë të integrohen në “Historinë e Kosovës””, theksoi në fjalën e vet z. Gjon Berisha, Drejtor i Institutit të Prishtinës.

Sabit Syla, kërkues shkencor, bartës i projektit “Historia e Kosovës”, vuri në dukje se “marrëveshja do të na ndihmojë shumë në kohën kur po përgatitet edicioni 4-vëllimësh i “Historisë së Kosovës”, si pjesë e historisë kombëtare e më tej, asaj rajonale. Në veçanti, do t’i ndihmojë historianët për zbardhjen e qëndrimeve zyrtare të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë gjatë sistemit komunist”.

Duke vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla të bashkëpunimit, znj. Sonila Boçi, përfaqësuese e Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, nënvizoi se këto nisma e zgjerojnë rrjetin e studiuesve dhe krijojnë premisat për t’i shkuar historisë në thellësi.

Autoriteti dhe Instituti i Historisë së Prishtinës do të bashkëpunojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore të aktiviteteve për edukimin qytetar, konferencave, takimeve të punës, etj. Veprimtaria e përbashkët kërkimore-shkencore do të realizohet në kuadër të nismave rajonale, ballkanike, europiane dhe botërore, ku institucionet vënë në dispozicion të njëri-tjetrit botime, publikime, studime që kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit, në përputhje me kriterin e rëndësisë historike kombëtare.

Ky bashkëpunim synon të konsolidojë njohjen e së shkuarës mbi baza shkencore, në funksion të transparencës dhe komunikimit profesional me opinionin publik./Beqir SINA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat