Platforma që e bën Thaçin udhëheqës të dialogut, përçan partitë politike

Aktuale

Platforma që e bën Thaçin udhëheqës të dialogut, përçan partitë politike

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 09:27
Kuvendi i Kosovës

Nesër pritet që në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për platformën e dialogut me Serbinë, të cilën në legjislativ e ka proceduar qeveria.

Sipas kësaj platforme udhëheqës i fazës finale të bisedimeve do të jetë presidenti Thaçi.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon që Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinimin me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme”, thuhet në platformën që do të diskutohet nesër në Kuvend.

Por deri më tani partitë politike nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për miratimin e kësaj platform. E problemi kryesor po del të jetë presidenti i vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e saj nëse do t’i jep mbështetje Thaçit. Madje ka pasur raportime se në këtë parti ka pasur edhe dy grupe sa  i përket kësaj çështje.

Por shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën e përjavshme të premten, theksoi se më shumë se individi kush e udhëheq dialogun, ka rëndësi formati dhe temat e diskutimit.

“Tema se kush duhet t’i udhëhe bisedimet nuk është tema më e rëndësishme, duhet të dakordohemi për formatin, temat”, deklaroi Hoti.

Por kundër Thaçit deri më tani kanë dalur “gjenerata e re” e LDK-së që edhe publikisht kanë thënë se janë kundër kësaj platforme.

Në të njëjtën linjë është edhe Vetëvendosja e Albin Kurtit. Ky i fundit dje theksoi se duke parë mënyrën se si ka ecur dialogu, ai për momentin duhet të ndërprehet.

Dy partitë opozitar platformën e qeverisë për dialogun e kanë cilësuar si të cekët dhe pa përmbajtje.

Edhe brenda koalicionit qeverisës ka qëndrime të ndryshme sa  i përket kësaj teme.

PDK-ja në njërën anë që e përkrah udhëheqjen e Thaçit në dialog, kurse në anën tjetër Nisma e Fatmir Limajt që është kategorikisht kundër.

Limaj dje theksoi se temat nacionale të vendit nuk duhet të lidhen me individët.

Ndryshe, zyrtarë nga presidenca vazhdimisht kanë deklaruar se udhëheqja e dialogut nga Thaçi është e drejtë që ia jep edhe Kushtetuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat