20 vjetori i eksodit nga Kosova, Bashkia Tropojë shpall “Qytetar Nderi” 4 heronjë lufte dhe 3 luftëtarë e komandantë

Aktuale

20 vjetori i eksodit nga Kosova, Bashkia Tropojë shpall “Qytetar Nderi” 4 heronjë lufte dhe 3 luftëtarë e komandantë

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 22:43
Bashkia Tropojë organizoi sot një aktivitet kushtuar 20 vjetorit të eksodit nga Kosova në Tropojë

Bashkia Tropojë organizoi sot një aktivitet kushtuar 20 vjetorit të eksodit nga Kosova në Tropojë, ku u nderuan me titullin Qytetar Nderi (pas vdekjes) heronjtë e luftës së Kosovës, Tahir Sinani, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Bylbyl Breçani, si dhe luftëtarët e komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj, Rrustem Berisha, Hisen Berisha.

Gjithashtu për kontributin e dhënë në pritjen e vëllezërve nga Kosova gjatë viteve 1998-1999 u nderuan me Mirënjohje nga bashkia e Tropojës, z.Sadri Isufaj, ish-kryetar i bashkisë B.Curri, z.Isa Memia, ish-kryetar i komunës Tropojë dhe Zenel Kuçana ish-komandant i brigadës së këmbësorisë.

Pas këtij aktiviteti në sheshin qëndror të qytetit u bë hapja e sezonit turistik, që u shoqërua me këngë, valle, lojëra popullore, si dhe një panair ushqimor me prodhime tradicionale të Tropojës.

Shkimi i plotë:

Të dashur miq, sot, bashkia Tropojë organizoi një aktivitet kushtuar 20 vjetorit të eksodit kosovar në Tropojë, ku u nderuan me titullin Qytetar Nderi (pas vdekjes) heronjtë e luftës së Kosovës, Tahir Sinani, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Bylbyl Breçani, si dhe luftëtarët e komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj, Rrustem Berisha, Hisen Berisha.

Gjithashtu për kontributin e dhënë në pritjen e vëllezërve nga Kosova gjatë viteve 1998-1999 u nderuan me Mirënjohje nga bashkia e Tropojës, z.Sadri Isufaj, ish-kryetar i bashkisë B.Curri, z.Isa Memia, ish-kryetar i komunës Tropojë dhe Zenel Kuçana ish-komandant i brigadës së këmbësorisë.

Pas këtij aktiviteti në sheshin qëndror të qytetit u bë hapja e sezonit turistik, që u shoqërua me këngë, valle, lojëra popullore, si dhe një panair ushqimor me prodhime tradicionale të Tropojës.

FJALA NE 20 VJETORIN E EKSODIT TE VELLEZERVE KOSOVARE NE TROPOJE

Të dashur vëllezër e motra që keni ardhur nga Kosova!

Të respektuara familje të dëshmorëve!

I nderuar deputet i Tropojës!

I nderuar ambasador i Shqipërisë në Kosovë!

Të nderuar drejtues vendor nga Kosova e Shqipëria!

Të nderuar pjesmarrës!

Jemi mbledhur sot, për të kujtuar e nderuar një ngjarje historike, siç është mikpritja e mijëra vëllezërve nga Kosova këtu në Tropojë, që në atë fillim qershori të vitit 1998, kaluan në kushte të jashtëzakonshme kufirin dhe erdhën këtu për të shpëtuar jetën e fëmijëve, grave e të moshuarëve nga barbaria serbe.

Seç pritje u bëri Tropoja vëllezërve te vet nuk e kemi zakon ta diskutojmë, sepse atë që bën vëllai për vëllanë nuk komentohet. Por ato ditë fati e solli që në qytetin tonë të ishte një nga heronjtë e luftës së Kosovës, Sali Çekaj, i cili në një intervistë për "Bota Sot", me 8 qershor 1998 u shpreh:

"Para se gjithash, në këto situata është e vështirë me gjetë fjalë të mençme e fjalë miradije, fjalë që kishin me shprehë gjithë atë që njeriu deshiron me shprehë.
E them këtë sepse gjenerata jonë nuk është mësuar të ballafaqohet me situata të këtilla, gjeneratat e mëparshme e kanë përjetue edhe këtë gjë, por ne jo, prandaj për ne ka qënë më e vështirë ta përjetojmë një eksod, një tërheqje në masë të madhe të popullsisë shqiptare nga Kosova, nëpër një rrugë aq të vështirë për tu vendosë në Tropojë.

Mirëpo është kënaqësi e veçantë që të shohësh gadishmërinë e vëllezërve, motrave dhe gjithë bashkëkombasve tanë nga Tropoja e vise të tjera shqiptare.

Një gadishmëri për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës, edhe pse të vetëdishëm se ndoshta pas tri ditëve nuk do të kenë çka të hanë më. Por sot po e ndajnë kafshatën përgjysmë. Kjo tregon se shqiptarët e Kosovës kanë se ku të mbështetën. Dhe sot e nesër do të kenë mbështetjen e popullit shqiptar të Shqipërisë e të viseve shqiptare rreth kufirit. Kjo do të thotë që populli i Kosovës, pavarësisht situatave që do të krijohen, do të ketë një mbështetje reale."

Pas një viti, Sali Çeku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarët e tyre, pas gati 100 vite ndarje, bashkuan tokën shqiptare, pikërisht në kufijtë e Tropojës, dhe vet ranë si drangojë në betejën e Koshares.

Vëllezër e motra! Është momenti për të nderuar luftën legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qindra martirët e rënë në këtë luftë.

Për ne Kosova ishte vazhdim i kombit tonë, ishte dhe është pjesë e gjakut dhe historisë sonë.

Ndarjen e kombit 100 vjet mëparë e përjetoi me dhimbje çdo shqiptar në të dyja anët e kufirit, por jam i sigurt se asnjë krahinë tjetër nuk e vuajti më shumë, nuk e perjetoi më me dhimbje se Malësia e Gjakovës, e kjo ndodhi jo vetëm se gjeografikisht ishim ngjitur, por nga lidhjet e forta vëllazërore që ekzistonin dhe ekzistojnë mes Malësisë së Gjakovës me Gjakovën, por dhe me krejt Kosovën.

Për lirinë e Kosovës dhe të Malësisë së Gjakovës me mijëra burra e gra kanë dhënë jetën në breza, janë djegë e shkatërrue, kanë provuar tmerre, por edhe gëzimin e fitoreve dhe të lirisë.

Në ditët e vështira të qershorit 1998 dhe në vazhdim, populli i Tropojës dhe gjithë drejtuesit e njësive vendore, duke filluar nga Bashkia e Bajram Currit, komunat e Tropojës, Bujanit, Bytyçit, Llugajt, Margegajt deri në Fierzë e Lekbibaj, u angazhuan ditën e natën për sigurimin e kushteve sa më të mira për të ardhurit nga Kosova.

Siç shkruan gazeta Illyria e Amerikës e asaj kohe, kujdesi arriti deri aty sa të nesërmen e mbërritjes fëmijët kosovarë kishin mundësinë të ulen të gjithë në bankat e shkollave bashkë me fëmijët tropojanë.

Mikpritja nëpër shtëpija ka qënë shumë e ngrohtë, malësorët me të gjitha mundësitë e tyre bënë çdo gjë për t’i shlodhë e qetësuar shpirtërat e trazuar e të tronditur të grave, fëmijëvë e të moshuarëve, që kishin lënë pas shtëpitë e tyre në flakë dhe burrat në një përleshje për jetë a vdekje për lirinë e Kosovës

Vëllezër e motra!

Ata që e kujtojnë atë kohë, pra pranverën e verën e vitit 1998, e dinë mirë se Tropoja përveç varfërisë e skamjes kalonte momentet më të vështira në historinë e saj, e kjo prej bandave të përgjakshme të asaj kohe, që e bënin të vështirë jetesën dhe mikpritjen e vëllezërve nga Kosova.

Megjithatë populli i Tropojës triumfoi, dhe djemtë e tij, ajka e rinisë mori pjesë direkt në luftën për lirinë e Kosovës dhe disa prej tyre dhanë edhe jetën.

Historia do të kujtojë e do të shkruajë me gërma të arta emrat e luftëtarëve dhe martirëve të lirisë Tahir Sinani, Bylbyl Breçani, Fatmir Hasandoçi, e shumë dëshmorë të tjerë tropojanë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.

Nder përjetë për dëshmorët e Tropojës, Kosovës dhe të kombit!

Faleminderit

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat