Flet ambasadori i Kosovës, që midis Beogradit mban në zyrë fotografinë e Thaçit dhe flamurin e Kosovës

Aktuale

Flet ambasadori i Kosovës, që midis Beogradit mban në zyrë fotografinë e Thaçit dhe flamurin e Kosovës

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 23:25
Valdet Sadiku

Valdet Sadiku tash pesë vjet punon  në zyrën e tij në një nga korridoret e selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi. Megjithatë, opinioni pothuajse fare nuk e njeh, pavarësisht faktit se çështja e Kosovës është një nga më të shpeshtat në sferën publike në Serbi.

Në tavolinën e tij është flamuri i Kosovës, kurse në mur janë fotografia e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe në kornizë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

“Emërtimi im zyrtar është oficer ndërlidhës. Ne duam të jemi korrektë – kemi nënshkruar këtë marrëveshje dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës shkruan Zyra Ndërlidhëse. Por, unë jam ambasador”, thotë Sadiku, për BBC, edicionin në gjuhën serbe.

Me një mision të tillë, erdhi në Beograd – në korrik të vitit 2013, kishte shtatë ditë pauzë nga përfundimi i mandatit të ambasadorit në Kroaci deri në fillimin e shërbimit në Beograd.

Ai ishte duke u përgatitur për shkuarje në detyrë në Australi dhe përfundoi në Beograd, sepse paraardhësi i tij, Lulzim Peci, dha dorëheqjen, pas dy ditësh në Serbi.

“Çdo gjë ishte një e panjohur e madhe – nga qyteti, ku unë kurrë nuk kishte qenë më parë. Nuk kishim asgjë më shumë me vendimin për hapjen e zyrës, nuk dinim asgjë më shumë për punën, apo për mandatin”.

Sot ai ka pesë vjet përvojë në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilat ai disa herë gjatë bisedës, i përshkruan si të komplikuara, specifike dhe të ndjeshme.

Në murin e zyrës së Sadikut, qëndron në kornizë Deklarata për pavarësinë e Kosovës nga shkurti i vitit 2008.

Pse u ngadalësua përparimi në negociata?

Gjatë mandatit të tij në Beograd, shpesh ka ndryshuar klima në marrëdhëniet me Prishtinën.

Ai thotë se progresi në vitet 2013 dhe 2014 ishte më i ndjeshmi, pasi kishte entuziazëm, vullnet dhe rezultate, por edhe përpjekje të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare.

“Ndoshta arsyeja për këtë është se atëherë flitej për marrëveshjet e përgjithshme, të cilat nuk flisnin për detaje – dhe kjo ishte një rrethanë lehtësuese, sepse palët mund t’i interpretonin ato në mënyrën e tyre. Tani, kur kërkohen përkufizime më të sakta, nuk ka shumë vend për interpretim “, thotë ai.

Ndërkohë, problemet jo vetëm që u ngritën – shumë prej tyre lindën.

Nga Beogradi largohet, pas ndalimit të lojtarëve të hendbollit dhe karateistëve të përfaqësueseve të Kosovës për të luajtur në Serbi, kurse futbollistëve të Crvena Zvezdës për të zhvilluar lojë miqësore në Graçanicë.

“Është e mundur që përgjigjja të ishte e njëjtë edhe pesë vjet më parë – nuk mund ta paragjykoj këtë. Por realiteti ka ndryshuar ndërkohë dhe tani është koha për formulime të sakta dhe përgjigje të sakta”, thotë ai.

Megjithëse Beogradi dhe Prishtina ankohen për mungesën e komunikimit në lidhje me hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, Sadiku thotë se zyra e tij nuk ishte pjesë e këtij procesi të shkëmbimit të informacioneve – por ai pikërisht këtu e sheh hapësirën për bashkëpunim të ardhshëm.

Dhe nuk ka dilemë që bisedimet e Brukselit do të vazhdojnë.

“Askush nuk e vë në dyshim vazhdimin e dialogut”, thotë Sadiku, duke shtuar se po shqyrtohet vetëm modaliteti se si të vazhdojnë bisedimet.

Çfarë bën zyrtari ndërlidhës

Valadet Sadiku në Beograd dhe Dejan Paviçeviq në Prishtinë kishin për detyrë të lehtësonin zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

“Jam shumë i kënaqur që në këto pesë vite, pavarësisht nga gjërat e vështira që kemi kaluar, nuk kemi ndërprerë komunikimin as edhe për një moment të vetëm”

Kështu thotë ishte edhe me rastin e arrestimit në Mitrovicë të Marko Gjuriqit, Drejtorit të Zyrës për Kosovën.

“Ne kemi qenë në kontakt që nga fillimi – që nga hyrja e tij ilegale, deri në arrestimin dhe kthimin e tij në Beograd”.

Zyrtarët ndërlidhës

Institucioni Zyra e ndërlidhjes u krijua nga një prej marrëveshjeve të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.

Zyrtarët e parë të ndërlidhjes u shkëmbyen në korrik 2013.

Zyrat ndodhen në kuadër të Delegacionit të BE në Beograd, respektivisht të Përfaqësuesit Special të BE-së në Prishtinë.

Zyrtari ndërlidhës ka asistentin e vet dhe një person teknik, përgjegjës për logjistikë.

Të gjitha ndryshimet e ardhshme në mandatet dhe përbërjen e zyrave duhet të dakordohen midis Beogradit dhe Prishtinës.

Zyrtari aktual i ndërlidhjes i Serbisë në Prishtinë është Dejan Paviçeviq, i cili edhe më tej do të qëndrojë në atë pozitë.

Megjithatë, Sadiku thotë se kishte shumë punë për të zgjidhur problemet e njerëzve, që lindin në mënyrë të pashmangshme çdo ditë, kur marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës janë të pazgjidhura.

“Ne kemi zgjidhur problemet e biznesmenëve, të cilët, për shembull, kanë kërkuar certifikata për transportin e materialeve të ndezshme, për aksidentet e trafikut ose çështjen e paraburgimit. Është e rëndësishme për familjet e të ndaluarve që procedurat, në vend të një jave apo dy, zgjidhen për një ose dy orë nga kontaktet tona të drejtpërdrejta”.

Ai beson se pozita që ai ka kryer për pesë vjet ka një potencial të madh i cili duhet të përdoret me marrëveshje të negociatorëve.

“Ne duhet të mendojmë për zgjerimin e mandatit dhe kompetencave, si dhe rritjen e numrit të personelit”, sugjeron Sadiku.

Mesazhi për pasardhësin e tij

Sadiku u lind dhe u rrit në Prishtinë, ku mbaroi shkollën fillore në sistemin zyrtar arsimor të ish-RSFJ, pastaj gjimnazin në sistem paralel arsimor të shqiptarëve në Kosovë.

“U rrita në pjesën e Prishtinës, ku jetonte vetëm një familje serbe. Shkova në shkollë në gjuhën shqipe dhe nuk kishte mundësi të shoqërohesha, prandaj nuk kisha miq serbë në rininë e hershme”.

Ai thotë se për këtë arsye ka krijuar miq gjatë mandatit të tij si zyrtar ndërlidhës në kryeqytetin serb, të cilin ai e përshkruan si një qytet i madh.

“Kjo nuk do të thotë që jam dakord me të gjithë, por mënyra e mosmarrëveshjes, mënyra e komunikimit gjatë mosmarrëveshjeve është gjëja më e mirë që mund të marr nga Beogradi”.

Flet serbisht pothuajse pa gabime, gjë të cilën e shpjegon me studimet në Sarajevë, mandatin e ambasadorit në Zagreb, si dhe origjinën malazeze të nënës.

Sidoqoftë, kjo njohuri gjuhësore pothuajse nuk e ka demonstruar në opinionin serb – dhe kjo ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme.

“Dialogu është një proces delikat dhe ne duhet të vlerësojmë guximin politik të udhëheqësve për të zgjidhur çështjet që grumbullohen çdo ditë. Ju nuk doni të bëni diçka që do të jetë një rrethanë rënduese kur të takohen nesër presidentët ose kryeministrat”.

Ai do t’i lë një mesazh të ngjashëm pasardhësit të tij.

“Ky është një proces delikat dhe ka nevojë për durim dhe mirëkuptim, por edhe vendosmëri”, thotë ai.

Mandati i tij, kur edhe do të kthehet në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ku edhe është vendi i tij i punës, përfundon në pranverë.

“Kjo periudhë, këtë stinë e vitit, prill dhe maj, janë veçanërisht interesante – pranvera është më mbresëlënëse në Beograd”, përfundoi Sadiku.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat