Dështon përsëri Kuvendi, mbyll punimet në mungesë kuorumi

Aktuale

Dështon përsëri Kuvendi, mbyll punimet në mungesë kuorumi

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 11:14
Foto nga Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot për tetë orë ka zhvilluar punimet e seancës. Në dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, koha për deklarime jashtë rendit të ditës, shumë deputetë e morën fjalën në emër të grupeve parlamentare dhe ngritën çështje shqetësuese për probleme të ndryshme.

Ndërsa lidhur me Pyetjet parlamentare, përgjigje pyetjeve të deputetëve iu dhanë vetëm ministrat Skender Reçica dhe Uran Ismaili të pranishëm në sallë.

Para se të vijohej më tej u bënë dy deklarime, për të cilat u deklaruan të gjitha grupet parlamentare; – shtyrja e dy interpelancave për shkak të mungesës së kryeministrit si dhe kërkesa e listës serbe për heqjen nga rendi i ditës i pikës 16, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë. Të dyja kërkesat me votim u miratuan.

Më tej Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projekt-kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri paraqiti punën e kryer për këtë projekt-kod dhe ndryshimet që kanë ndodhur. Ai theksoi se do ketë amandamente të shumta për këtë projekt-kod, por nuk duhet ndryshuar struktura e tij. Ai dha sqarime të shpeshta gjatë debateve të deputetëve dhe duke premtuar se do të punojnë bashkërisht me deputetët për ta çuar përpara këtë projekt-kod, kërkoi miratimin në parim të tij.

Lidhur me projektligjin për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo Bankare, arsyetimin e këtij projektligji e bëri ministri i Financave Bedri Hamza. Debatet më të gjata u zhvilluan lidhur me konceptin e fondeve për shoqatat, OJQ-të, të cilat kanë krijuar fonde dhe tashmë si duhet të veprohet me fondet e tyre, pasi bëhet fjalë për një fond prej rreth 30 milion eurosh. Pasi rreshtën debatet drejtuesi i seancës për mungesë kuorumi e mbylli për të vijuar nesër në orën 10.30.

Deputetja e PDK-së i kërkon Halitit të ndërpres seancën për shkak të iftarit

Janë bërë pothuajse tetë orë që kur Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet për seancat plenare të lëna në gjysmë.

Në këtë seancë me shumë pika të rendit të ditës, po marrin pjesë edhe deputetë që janë agjerueshëm.

Deputetja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu është njëra nga to.

Ajo në një moment ka kërkuar fjalën, duke i bërë apel nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti që të përmbyll punimet e Kuvendit për sot.

“I nderuar, ju lutem ta ndërprisni seancën për sot sepse disa jemi agjeruëshëm e duhet me shku”, ka thënë Musliu.

Vazhdon seanca e Kuvendit, Mikullovci kërkon të futet edhe Kanuni në Kodin Penal

Deputetit të Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, nuk i ka pëlqyer projekt-kodi penal, pasi sipas tij, nuk po tingëllon shqip.

Mikullovci si me humor ka pyetur nëse gruaja e padit burrin e burri shkon dy vjet në burg, e kur të kthehet prej burgu a e pret ajo grua në shtëpi?

Mikullovci: Pa e rreh fëmijën, fëmija nuk bëhet ‘terbije’

 “Nuk me pëlqeu fort se nuk po i vjen era këtij projekt-kodi, shqip. Mendoj se ishte dashur të mbështeten ata ekspertët e juaj zotëri Abelard pak edhe në Kanun edhe në traditën e pleqnarëve. Pleqnia jonë ka zgjidhur konflikte që nuk ka ditur asnjë jurist t’i zgjedh. Posaçërisht u ndala në dhunën në familje, të kuptohemi dhuna familjare, ky ligj nuk mund të aplikohet si në Angli, Amerikë e tjera vende. Ne jemi tjetër dhe duhet t’iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marr një shembull sipas këtij ligji nëse gruaja e padit burrin e burri shkon dy vjet në burg, e kur të kthehet prej burgu a e pret ajo gru në shtëpi, tregomëni? Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rreh fëmijën, fëmija nuk bëhet ‘terbije’, kot me tregoni ju mua dhuna në familje. Mendoj që tepër po mundohemi të bëhemi anglez”, tha Mikullovci.

Këto deklarata Mikullovci i ka bërë në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për Kodin e ri Penal.

Sejdiu: Projekt-kodi penal nuk duhet shqyrtuar me urgjencë

Deputeti i LDK-së, Korab Sejdiu, ka kritikuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, për shtrimin me urgjencë për të diskutuar rreth projekt-kodit penal të Kosovës.

Ministri Tahiri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ka prezantuar para deputetëve plotësim ndryshimin e Kodit Penal, duke thënë se miratimi i tij është rruga e fuqizimit të sundimit të ligjit, procesit integrues dhe vulos lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Por, deputeti Sejdiu reagoi ndaj ministrit Tahiri, duke thënë se trajtimi me urgjencë i këtij projekt-kodi është i paarsyeshëm.

Sejdiu: Projekt-kodi penal nuk duhet shqyrtuar me urgjencë siç është kërkuar

“Në parim grupi ynë parlamentar e përkrah këtë projekt-kod. Natyrisht kritikat tona edhe propozimet për përmirësim do t’i japim në komision dhe në grupet punuese me amendamente. Mirëpo duhet theksuar një çështje të rëndësishme sepse ka ardhur një kërkesë për trajtim me urgjencë të këtij projekt-kodi. Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë që ka ky projekt-kod, veçanërisht në ndërlidhjen me të drejtat e njeriut në Kosovë, unë besoj që trajtimi kaq i shpejt, trajtimi i këtij projekt-kodi brenda dy jave siç është propozuar nuk besoj që është i arsyeshëm”, tha Sejdiu.

Tahiri: Projektkodi penal siguron mbrojtje dhe siguri juridike

Kuvendi i Kosovës po e shqyrton në lexim të parë Projekt-kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, teksa ka prezantuar para deputetëve plotësim ndryshimin e Kodit Penal, tha se miratimi i tij është rruga e fuqizimit të sundimit të ligjit, procesit integrues dhe vulosë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Madje, sipas tij, me këtë më e rëndësishmja është se siguron mbrojtje dhe siguri juridike.

Tahiri theksoi se gjatë hartimit të projekt-kodit të ri penal, i kanë udhëhequr tri parime themelore.

Tahiri: Projekt-kodi i ri siguron sundim efikas të ligjit

“E para përcaktimi i qartë për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E dyta fleksibilitet më i madh në punën e organeve të pavarura të zbatimin e ligjit. Dhe e treta, mbrojtje, promovim i të drejtave të njeriut. Kompletimi i këtij kodi paraqet hap të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, që të mundësojnë punë më efikase në zbatimin më rigoroz të standardeve të drejtësisë si dhe intensifikimin e përpjekjeve tona si institucione në dimension të ri që përveç se siguron sundim efikas të ligjit për qytetarë tanë, forcon dhe garanton perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Tahiri.

 Kreu i drejtësisë shtoi se janë plotësuar dhe ndryshuar 19 nene në kapitullin për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Derisa masat e ndërmarra janë në funksion të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

Tahiri: Masat në këtë projekt-kod përkushtim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit    

“Këto masa janë përkushtim i yni konkret në mbrojtje të integritetit të institucioneve tona për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pakompromis. Ashpërsimi i dënimeve për këto vepra është mirëpritur dhe është në funksion të parandalimit të fenomeneve shqetësuese që kanë qenë të përhapura në shoqërinë tonë dhe që padyshim duhet t’iu japim fund”, u shpreh ai.

Tahiri tha se dënimet janë rritur edhe për trafikantët me njerëz.

***

 Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emër të Qeverisë ka parashtruar mocionin për tërheqjen e Platformës për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i jep kohë ndërtimit të konsensusit.

Reçica: Kërkojmë heqjen e platformës për dialogun nga rendi i ditës  

“Në emër të kryeministri Ramush Haradinaj me mirëkuptim të kërkoj të hiqet platforma për finalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e procedurar në Kuvend me 23 prill 2018 në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsenusi më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjshme”, tha Reçica. 

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, theksoi se kjo është e drejt e propozuesit, ani pse kanë pritur të ketë debat sot. 

Haliti: Kemi pritur debat, sidoqoftë propozuezi ka të drejtë ta tërheqë 

“Është çështje e qeverisë ne kemi prit me pas debat, sidoqoftë qeveria ka vendos dhe është e drejtë që propozuesi e kërkon mund ta tërheq kurdo”, theksoi Haliti.

Ndërsa, deputeti i Listës Serbe, Slavko Simic, kërkoi largimin e projektligjit për liritë fetare nga rendi i ditës, pasi kanë nevojë për konsultime shtesë rreth këtij projektligji. Edhe mocioni i deputetit të Listës Serbe, për tërheqjen e projektligjit për liritë fetare nga rendi i ditës, u miratua me shumicë votash./

 Deputeti i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj dhe shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, janë përplasur sërish në Kuvend, por kësaj radhe për zgjedhjet e parakohshme.

Deputeti Molliqaj ka pyetur Vetëvendosjen nëse janë pro rrëzimit të Qeverisë dhe nëse këtë duan ta bëjnë me Listën Serbe. Madje, ai ka cituar edhe disa deklarata publike të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili e kishte quajtur Listën Serbe me përbërje çetnike.

Molliqaj: Pyes VV-në, a jeni pro rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe

“Kam pyetje publike, a e ka ndërruar qëndrimin VV për këtë punë apo janë gati edhe me çetnikët ta rrëzojnë me Qeverinë. Në emër të PSD-së i përgjigjem VV-së se nëse këta janë gati dhe i marrin nënshkrimet e Listës Serbe, PSD qysh sot i jep nënshkrimet për ta rrëzuar qeverinë. Nëse nuk është e vërtetë, është mirë mos të bëhen lojëra. Ose tregoni se e keni ndërruar qëndrimin, ose thoni se kjo qeveri është aq e keqe që edhe me çetnikë e ndërrojmë. Është mirë me treguar e jo të fshihen pas qëndrimeve hipokrite. Ftesa ime për opozitën si përfaqësues i PSD është kjo. Të mblidhemi bashkë dhe të bëjmë një front, një bashkim, një platformë opozitare që e ka përbrenda edhe kërkesën për zgjedhje dhe çështje tjera e aty ta ndërtojmë strategjinë”, tha Molliqaj.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, nuk ka vonuar shumë dhe i është kundërpërgjigjur ish-kolegut të tij, Dardan Molliqaj.

Konjufca: Dardan ti dëshiron ta shkatërrosh VV-në

“Ti nuk mundësh me fol në mënyrë parimore për Lëvizjen Vetëvendosje, ti dëshiron ta shkatërrosh LVV-në, t’i prej këtij pozicioni nuk mund të flasësh në mënyrë objektive, se t’i për çdo ditë nuk po takon aktivistë të PDK-së o Dardan, t’i po takon aktivistë të Vetëvendosjes, a ke takuar ndonjë aktivistë të PDK-së këto ditë për ta bërë PSD-në, ti po takon aktivistë të VV. Qysh mund të flasësh në mënyrë objektive për VV-në. E fundit e kreva Dardan, se a duhet të rrëzohet kjo qeveri me Listën Serbe, a më mirë është ta lëmë këtë qeveri e të bëhet statuti i asociacionit me Listën Serbe, apo nëse do Lista t’i japë votat ta rrëzojmë qeverinë qoftë edhe me votat e tyre. Unë mendoj që nëse e leni këtë qeveri ta bëjnë statutin e Zajednicës dhe me nda veriun, është rreziku më i madh sesa me rrëzuar qeverinë me atë çmim”, tha Konjufca.

Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili përsëriti qëndrimin e kolegut të tij se do t’i japin nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë nëse së pari i marrin nga Lista Serbe.

Krasniqi: Glauku e pranoi se janë të gatshëm me Listën ta rrëzojnë Qeverinë

“Glauku sapo e tha që jemi të gatshëm ta rrezojmë Qeverinë nëse urdhrin e jep Vuçiqi përmes Listës Serbe, dil merrja nënshkrimet Glauk Listës Serbe, i ke edhe nënshkrimet e PSD-së menjëherë. Meqë jeni të gatshëm, pse s’po shkoni t’ia merrni nënshkrimet”, tha Krasniqi.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, teksa ka shpjeguar votën e partisë së tij kundër shkarkimit të Aida Dërgutit, ka porositur opozitën se kur t’i bëjnë votat le ta rrëzojnë qeverinë.

Haradinaj: Kur t’i bëni numrat rrëzojeni qeverinë

“Së pari, dua ta arsyetoj votën kundër shkarkimit të Aida Dërgutit dje. Nëse ju kujtohet në vitin 2013 pikërisht AAK-ja ka kërkuar ndërrimin e nënkryetarit dhe pikërisht Gjykata Kushtetuese ka qenë që deputetët në seancë kanë vullnet individual dhe e japin të drejtën e vet. Vota jonë ka qenë konform atij vendimi, pavarësisht se në vitin 2013 hiq nuk na ka ardhur mirë Glauk pse s’i ka takuar AAK-së edhe pse kemi pasur një deputetë më shumë. Sido që të jetë kur t’i bëni numrat shkarkojeni Qeverinë”, tha Haradinaj.

Në pikën jashtë rendit të ditës, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ngriti shqetësimin e Grupit Parlamentar të LDK-së rreth shpenzimeve të kabinetit të kryetarit të Kuvendit, sipas të cilit janë marramendëse.

Ai tha se ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare për numrin e këshilltarëve të kryetarit, shpenzimet jashtë vendit, shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile, ato të karburantit, si dhe listën e pagave për 2017, por nuk kishte marrë përgjigje. Derisa, informatat tha se është detyruar t’i marrë në mënyra tjera.

Selmanaj: Veç për paga dhe mëditja kabineti i kryetarit harxhoi gjysmë milion euro

“Vetëm për paga dhe mëditje për vitin 2017 shpenzimi arrin shifrën e 508.689.30 eurove. Shpenzimet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit 28.713.08 euro, Shpenzimet telefonike 6.500 euro, shpenzime për derivate 10.670 euro, Numri i kilometrave të veturave që shfrytëzohen nga këshilltarët kapin shifrën e 102.138 km, apo 8511 km për çdo muaj. Kostoja totale për vitin 2017 vetëm për këshilltarët politike të kabinetit të kryetarit, duke përjashtuar edhe stafin tjetër mbështetës, kap shifrën mbi gjysmë milion euro apo saktë 554.572 euro. Ndërkohë që po hulumtoja për këtë temë, kuptova se përveç shefit të kabinetit që ka kohë që nuk del në zyrë, është edhe njëra nga këshilltaret e kryetarit që ka 5 muaj që gjendet në SHBA dhe vazhdon ta merr pagën e rregullt, madje për një kohë ka marrë edhe të ardhurat për shujtën e ngrohtë sa janë në orarin e punës në Kuvendin e Kosovës”, tha Selmanaj.

Ai ka përmendur edhe numrin e këshilltarëve që kishin ish-kryetarët e Kuvendit. Ai tha se Nexhat Daci kishte vetëm dy këshilltarë, Kolë Berisha 4, Jakup Krasniqi 7 këshilltarë, kurse kryetari aktual i ka 15 këshilltarë dhe 8 staf mbështetës.

Sipas Selmanajt, të ardhurat mujore të këtyre këshilltareve ku përfshihet paga bazë, plus 50 për qindëshi i pagës bazë, plus shujta e ngrohte si dhe përvoja e punës, nxjerr përfundimin se asnjë nga këshilltarët nuk e ka pagën mujore nën 1800 euro, duke përjashtuar privilegjet me makinat zyrtare, shpenzimet e telefonave dhe vizitave jashtë vendit.

Ndryshe, në këtë pikë të rendit të ditës në seancën e sotme plenare u shtruan edhe çështje tjera.

Ahmet Isufi kërkon diçka që Ramush Haradinaj e kishte premtuar në fushatë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të bëhet një zgjidhje për banorët e Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë në vendin Kosovë. Ai ka thënë se këta qytetarë janë lënë anash si në pajisje me dokumentacion, si në punë dhe shërbime të tjera.

“Në çdo shtet, nëse një banor jeton për 5 vite i mundësohet shtetësia, i mundësohet të jetë i barabartë në atë vend ndërsa bashkëkombësit tanë gati për 20 vite nuk gëzojnë kurrfarë statusi, në një farë mënyrë jetojnë ilegalisht në Kosovë pa ju dhënë e drejta as në punë dhe as në çështje të tjera që janë jetësore për ta”, tha Isufi.

Ai kërkoi që shteti i Kosovës të ketë lehtësira sidomos për ata qytetarë të Kosovës Lindore të cilët janë të përndjekur nga Serbia.

“Vërtetë është e patolerueshme që këta banorë të terrorizohen në këtë mënyrë duke mos pas të drejtë as në dokumente por as në punë, dhe shërbime tjera që i ka obligim ky shtet”, tha Isufi.

Në maj të vitit të kaluar, gjatë një tubimi parazgjedhor në Gjilan, kryetari i AAK-së, Ramush haradinaj, që tash mban postin e kryeministrit të vendit, kishte premtuar shtetësi për shqiptarët e tri komunave të Kosovës Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Vazhdon humori në Kuvendin e Kosovës

Vazhdimi i seancës parlamentare gjatë ditës së martë, ka sjellë sërish humor mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve opozitarë.

Derisa po diskutohej projekt-rezoluta e dal nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ia dha fjalën deputeti të Vetëvendosjes Adem Mikullovci duke përdorur pak humor.

“Tani deputeti më i ri në Republikën e Kosovës, Adem Mikullovci e ka fjalën”, tha Veseli.

E kur mori fjalën, deputeti Mikullovci tha se është kundër pikës së katërt të rezolutës për rininë, ku thuhet që institucionet e Kosovës duhet të bëjmë më shumë për kthimin e të rinjve shqiptarë nga diaspora për të kontribuar në vend.

“Nuk pajtohem fare me pikën 4 të kësaj rezolute. Kush ka dal jashtë e ka kualifikim fshije që kthehet, as me polici nuk kthehet”, tha Mikullovci.

Një ditë më parë, deputeti Mikullovci kishte imituar kryeparlamentarin duke i thënë se po flet shumë shpejt dhe po e ka vështirë ta kuptojë. Kjo situatë kishte sjellë shumë humor mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Një diskutim tjetër i deputetit të NISAMA-s Socialdemokrate, Zafir Berisha për votimin e projekt rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare, bëri që Kuvendi i Kosovës të kthehet sërish në arenë humorësh.

“Unë mendimin për këtë iniciativë e kam dhënë dje në emër të NISMA-s.  Mes tjerash në rezolutë është një fjalë, me e kthyer trurin. Unë mendoj që po dalim shumë qesharak. Me miratu  një rezolutë ku themi ta kthejmë trurin në Kosovë, fjala ishte për mërgimtarët, atëherë ku mbetet trupi”, tha Berisha.

Gjatë këtij fjalimi, deputeti tjetër i NISMA-s Socialdemokrate, Milaim Zeka reagoi pa marrë fjalën në foltore duke thënë “kjo i bie që ne jemi pa tru në Kosovë”.

Duke u bazuar në deklaratat e deputetëve të NISMA Socialdemokrate,  kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mori një shembull duke etiketuar deputetin Sami Kurteshi.

“Kemi një shembull që tash e merr fjalën, është Sami Kurteshi”, tha Veseli.

Pas këtyre diskutimeve, deputetët e Kuvendit më 78 vota për, 1 kundër, 1 abstenim miratuan rekomandimet nga debati parlamentar në lidhje me kartonin e gjelbër.

Poashtu  si dhe propozim – rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare.

Gjashtë rekomandimet e sugjeruara nga Partia Socialdemokrate për kartonin e gjelbër morën 78 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. Po ashtu më 73 vota për dhe 3 abstenime, deputetët votuan edhe për propozim – rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare.

Glauk Konjufca – Dardan Molliqajt: Kush është Lista Serbe e ke mësuar në Vetëvendosje

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj janë përplasur në seancën e sotme për disa çështje, përfshirë edhe rrëizmin e Qeverisë.

Molliqaj fillimisht ka akuzuar Vetëvendosjen së është bashkuar me PDK-në dhe LDK-në, për të kundërshtuar Shpend Ahmetin në Komunën e Prishtinës dhe ka thënë se nëse partia që drejton Albin Kurti është e gatshme për të nisë iniciativën për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj, edhe ata do t’i japin votat.

Nga kjo ka pasur kundërpërgjigja e Konjufcës, siç nis: “E pashë Dardanin që u nxe fort dhe kam kënaqësinë që t’ia ja disa përgjigje. Vetëvendosje s’i ka dhënë fort për zgjedhje sepse i kupton qysh ndodhin”.

“Mos e merr me pompozitet, për filma edhe për zgjedhje. Ne jemi të gatshëm nuk e di a jeni të gatshëm edhe ju për zgjedhje”, ka thënë Konjufca.

“Lista Serbe është krijesë e Beogradit dhe nuk dallon asgjë nga politika e Aleksandër Vuçiqit. Këtë mësim e ke marrë në Vetëvendosje, këtë doktrinë, këtë koncept se çfarë është Lista Serbe”.

“Për çështjen se kush është kush në koalicion me PDK-në. 30 minuta pasi ke thënë se ka një koalicion, këtu e keni shkel të drejtën e LVV për një nënkryetar bashkë më partitë në pushtet. I bëtë votat me ndihmën e mazhorancës që doli në krah tuajin. Kush më kënd është në koalicion?”.

“A duhet të rrëzohet Qeveria me Listën Serbe, a ta lëmë këtë Qeveri që të bëjë statutin e “Zajednicës”? Mendoj që nëse e lejoni këtë Qeveri ta bëjë statutin e “Zajednciës” dhe ndarjen e veriut, është më i mirë rrëzimi i saj me këtë çmim”, ka shtuar ai duke u ndërlidhur në çështjen e ngritur nga Molliqaj nëse Vetëvendosje do t’i merrte nënshkrimet e Listës Serbe.

Konjufca ka thënë se Shpend Ahmetin, Vetëvendosje tashmë e sheh dhe e monitoron sikur çdo kryetar komune të partive, si PDK dhe LDK.

Krasniqi, Konjufcës: Kur t’ua merrni nënshkrimet Listës Serbe, ua japim edhe ne tonat

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, i ka thënë atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, se kur VV t’ia kërkojë nënshkrimet Listës Serbe për rrëzim të qeverisë, atëherë edhe PSD-ja do të jetë e gatshme që t’ua japë ato.

“Glauku [Konjufca] sapo e tha që jemi të gatshëm me e rrëzu qeverinë nëse urdhrin e jep Vuçiqi. Dil merri nënshkrimet e Listës Srpska, i ke nënshkrimet edhe të PSD-së menjëherë”, ka thënë Krasniqi në foltoren e Kuvendit.

“PSD është e gatshme t’ua japë nënshkriemt për të shkuar vendi në zgjedhje, mirëpo jo për të bërë lojëra politike siç po bëni ju pa e pasur shumicën, dhe pa qenë të gatshëm për të shkuar dhe ia marrë nënshkrimet Listës Serbe”.

“Atë ditë që jeni të gatshëm të shkoni t’i merrni nënshkrimet prje Listës Serbe, jemi të gatshëm t’ua japim [nënshkrimet]”.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore.

Për këtë rezolutë të propozuar nga deputeti Visar Ymeri nga PSD kanë votuar  67 deputetë, një ka qenë kundër dhe një abstenim.

Deputetët kanë votuar edhe për debatin parlamentar në lidhje me Kartonin e Gjelbër për të cilin 78 deputetë kanë votuar për, një kundër dhe një abstenim.

Ndërsa votimi i rekomandimeve nga interpelanca me kryeministrin e Kosovës,  Ramush Haradinaj në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e një milion eurove për veriun është tërhequr për konsultim për ta hedhur më vonë për votim.

Drejtpërdrejt nga seanca e Kuvendit

Mbahet vazhdimi i Seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Seanca është e paraparë të fillojë në orën 11:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat