Maxhuni javën e ardhshme raporton para Komisionit për AKI-në

Aktuale

Maxhuni javën e ardhshme raporton para Komisionit për AKI-në

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 11:48
Ramush Haradinaj, Shpend Maxhuni dhe Hashim Thaçi

Drejtori i ri i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, javën e ardhshme do të dal për herë të parë prej se ka marrë këtë detyrë, para deputetëve të Kuvendit, në Komisionin që e mbikëqyr këtë institucion.

Këtë vendim e ka marrë në mbledhjen e sotme Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së. Zëvendëskryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, tha pas mbledhjes së Komisionit se javën e ardhshme do të kenë përballë shefin e ri të AKI-së, me të cilin do të diskutojnë për zhvillimet brenda këtij institucioni vital për vendin.

Musliu: Javën e ardhshme vjen në Komision drejtori i ri

“Po, ne sot veç e kemi marrë vendim që ta ftojmë drejtorin. Faktikisht mbledhja e sotme ishte vazhdim i agjendës sonë. Në këtë takim morën  dhe qëndrim se në ditët e ardhshme, deri në javën e ardhshme ta kemi të ftuar drejtorin. Duke pasur parasysh se ai sapo ka marrë detyrën e kemi pa të arsyeshme që ai të akomodohet dhe të sistemohet në vendin e punës”, tha Musliu.

Deputetja Musliu e pyetur nëse kanë marrë informacione të detajuara për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, tha se kanë marrë raporte me shkrim nga Zyra e Kryeministrit, por që për opinionin nuk mund të thonë me shumë se sa ka dhënë zyra.

Musliu: Jemi të informuar si komision për rastin e gylenistëve

“Vet fakti ardhja e një drejtori të ri na ka pamundësuar që menjëherë të marrim apo ta ftojmë në komision dhe të marrim raporte direkte. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me zyrën e kryeministrit, jemi të njoftuar për çdo detaj, po besoj shumë se çka ka qenë për publik e ka transmetuar zyra e kryeministrit, nuk kisha dashur t’i përsëris gjërat që ata i kanë dhënë për opinionin. Mirëpo ne kemi bashkëpunuar dhe kemi një bashkëpunim të mirë si komision parlamentar edhe me kryeministrin Haradinaj dhe për çdo detaj kemi qenë të njoftuar në formë të shkruar. Mirëpo, për publikun dhe opinionin nuk mund të themi me shumë se çka kanë raportuar vet zyra e kryeministrin”, u shpreh Musliu.

Në këtë mbledhje të Komisionit, deputetët kanë diskutuar për punën e drejtorive rajonale të AKI-së, të cilat i kanë vizituar dhe janë njoftuar për punën që janë duke e bërë.

Musliu: Puna në drejtoritë rajonale po bëhet mirë

“Aq sa kemi parë nga tereni jemi të kënaqur me punën e drejtorive edhe në Pejë edhe në Ferizaj, është duke u bërë një punë e shkëlqyeshme atje pavarësisht kushteve dhe mundësive që i kanë. Puna është duke vazhduar në mënyrën me të mirë”, tha Musliu.  

Zëvendëskryetarja e Komisionit për AKI-në, tha se zhvillimet që kanë ndodhur në AKI dhe çarjet politike ua kanë vështirësuar punën, pasi nuk po ka deputetë të opozitës në Komision.

Musliu  ka njoftuar se nga java e ardhshme roli i saj si udhëheqëse e këtij komisioni do të ndryshojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat