Qeveria e Ministria me versione të ndryshme për projektligjin e Ushtrisë

Aktuale

Qeveria e Ministria me versione të ndryshme për projektligjin e Ushtrisë

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 15:47
Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me atë se ku kanë mbetur proceduarat për projektligjin e FSK-së.

Drejtori i zyrës për komunikim në qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi ka thënë se projektligji për ushtri është rikthyer për t’u kompletuar në detaje nga ekspertë për shkak të rëndësisë që ka.

“Projektligji për ushtri është marrë vendim që të rikthehet për ta kompletuar me detaje shtesë sepse është një ligj që nuk bëhet çdo ditë, është  ligj i rëndësisë vitale dhe duhet të shikohet nga ekspertët, por edhe të koordinohet me aleatët tanë strategjikë”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, ligjin e ka ministria. Mirëpo, deklarata e Matoshit bie në kundërshtim me atë të zëvendësministrit të FSK-së, Agim Çeku.

Ky i fundit të premten e kaluar ka thënë se projektligji për FSK-në nuk ndodhet në Ministri.

“Ne zyrtarisht nuk kemi marr, ato ligje nuk janë kthy”, ka thënë Çeku.

Shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Për ta transformuar FSK-në në Ushtri janë të domosdoshme dy të tretat e votave të Kuvendit dhe dy të tretat e votave të dyfishta nga deputetët që përfaqësojnë komitetet pakicë.

Ndërkohë Lista Serbe vazhdimisht është deklaruar se do të votoj kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës pasi sipas tyre një gjë e tillë do të destabilizonte rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat