Edhe Bytyqi e Pacolli kujtojnë Vokrrin

Aktuale

Edhe Bytyqi e Pacolli kujtojnë Vokrrin

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 15:52
Fadil Vokrri

Ministri i punëve të jashtme, Behgjet Pacolli, dhe ai i arsimit Shyqiri Bytyqi kanë kujtuar kryetarin e Federatës së Futbollit Fadil Vokrri.

Pacolli po ashtu tha se ka autorizuar protokollin e shtetit për të organizuar ceremoninë shtetërore të varrimit.

“Në bazë të kompetencave të mija, kam autorizuar Protokollin e shtetit që të organizojë ceremoni shtetërore të varrimit, në shenjë nderimi për legjendën e sportit tonë. Republika e Kosovës e ka për obligim nderimin dhe respektin për figurën e Fadil Vokrrit. Vokrri i dha frymë edhe shtetësisë së Kosovës duke u angazhuar çdo moment për ndërkombëtarizimin e sportit tonë. Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA pa dyshim ishte meritë e angazhimit të tij të madh. Emri i tij i respektuar në futbollin evropian i mundësoi Kosovës qasje më të lehtë aty ku e ka vendin, andaj Vokrri meriton nderimin dhe respektin e të gjithëve”, ka shkruar Pacolli.

Ndërsa Shyqiri Bytyqi, ministër i arsimit, ka thënë se Vokrri i ka bërë krenar të gjithë.

“Fadil Vokrri na ka bërë krenarë vit pas viti me lojën e tij, e me pas edhe me punën e përkushtimin për ta quar përpara futbollin kosovar dhe për të hapur rrugë për të gjithë ata talentë në këtë sport. Ai ishte frymëzim për gjenerata të tëra dhe si i tillë do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar, ku ai la gjurmë të pashlyeshme. Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin e sportistëve dhe mbarë kombin shqiptar. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Bytyqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat