Veseli: Do ta vazhdojmë ëndrrën e legjendës Fadil Vokrri

Aktuale

Veseli: Do ta vazhdojmë ëndrrën e legjendës Fadil Vokrri

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 14:23
Kadri Veseli

?Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në seancën komemorative të Kuvendit, të mbajtur me rastin e vdekjes së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ish-futbollistit të njohur, Fadil Vokrrit, ka thënë se ikja para kohe e heroit të futbollit të Kosovës, është një humbje e madhe kombëtare.

Në fjalën e tij para deputetëve, familjarëve të ish-futbollistit dhe të pranishmëve të tjerë, Veseli tha se lajmi për vdekjen e papritur të Fadil Vokrrit ishte tronditës.

“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se jo vetëm familja, por secili që ka pasur rastin ta njoh Fadilin, sot duhet të ndihet krenar se ka një rrëfim për këtë njeri të madh të Kosovës.

“Kemi humbur legjendën e futbollit tonë, në kohën kur më se shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat