Limaj: Kosova do t’i jetë mirënjohëse SHBA-së dhe NATO-s

Aktuale

Limaj: Kosova do t’i jetë mirënjohëse SHBA-së dhe NATO-s

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 12:39
NATO

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës me rastin e 19 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë ka thënë se qytetarët do t’i jenë përherë mirënjohës botës demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetje të vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.

Sipas Limajt në këto 19 vjet Kosova ka arritur suksese të mëdha por jo të mjaftueshme.

Postimi i Limajt në Facebook:

Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 19 vjet më parë, i dolën në krah forcat e NATO-s, të cilat pas 78 ditë bombardimesh mbi caqet serbe, hynë në Kosovë për t'i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit serb dhe spastrimit etnik që po bëhej mbi qytetarët e Kosovës nga forcat serbe.

Qytetarët e Kosovës do t'i jenë përherë mirënjohës botës demokratike, në krye me SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës nëpër të gjitha fazat që po kalon vendi ynë.

Në ditën e çlirimit të Kosovës, ne sot kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendit, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për ta realizuar këtë ëndërr, e cila erdhi si rezultat i kontribut shekullor të shumë gjeneratave.

Gjenerata jonë është me fat që arriti ta kurorëzojë ëndrrën shekullore për ta pasur shtetin tonë të lirë dhe demokratik.  Në këto 19 vjet të çlirimit, ne kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë fort që ta forcojmë vendin tonë, ta zhvillojmë ekonominë e vendit, ta rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe Kosovën ta bëjmë anëtare të organizatave më të mëdha botërore.  FL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat