Vetëvendosje do të bëjë padi për kryeministrin dhe ministrat

Aktuale

Vetëvendosje do të bëjë padi për kryeministrin dhe ministrat

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 18:06
Ramush Haradinaj

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, po shihet si precedent i rrezikshëm nga deputetë dhe profesorë të së drejtës kushtetuese.

Kjo për faktin se ua mundëson edhe Qeverive tjera që të marrin vendime të tilla për ngritje të pagave në mënyrë arbitrare kur të duan dhe sa të duan.

Pavarësisht kësaj Lëvizja Vetëvendosje do të ushtrojë kallëzim penal për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Gjykata Kushtetuese dje ka marr vendim me anë të së cilit është konstatuar se Qeveria nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës me vendimin për rritjen e pagave.

“ Vendimi i Qeverisë së Republikës se Kosovës nr. 20/14, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në kundërshtim me nenet 3 (Barazia para Ligjit), 4 (Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit), 7 (Vlerat), 65 [Kompetencat e Kuvendit], 92 (Parimet e Përgjithshme) dhe 93 (Kompetencat e Qeverisë) të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pas vendimit të Kushtetueses, Qeveria ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e vendimit për rritje të pagave dhe që nga sot ata do t’i marrin pagat ashtu siq kishte vendosur kryeministri Haradinaj.

Haradinaj tha sot  se pagat do të nivelizohen me Ligjin e ri për Pagat, ani pse edhe vendimi i Qeverisë për ngritje të pagave është për nivelizimin e pagave.

Derisa, ka thënë se me këtë vendim nuk përfitojnë pushtetarët, por prokurorët dhe gjyqtarët.

Haradinaj: Nga rritja e pagave përfitojnë direkt 600 gjyqtarë dhe prokurorë

“Vendimi i Kushtetueses tani është fuqiplotë atëherë vetëkuptohet vjen shfuqizimi i pezullimit. Sepse ne kemi marrë masë të pezullimit, nuk ka qenë anulim. Tani këto procedurat i zbaton Qeveria. Ajo që dua t’ua kujtoj sot dhe mund ta them përnjëmend. A e dini sa është numri i pushtetarëve që përfitojnë nga rritja, por këtu përfitojnë direkt 600 gjyqtarë dhe prokuror, pra mos harroni sot fitues janë ata dhe ne po flasim për rend dhe ligj, po zbatojmë ligje të mira, po hartojmë, sot iu ka shkuar përkrahja më e fuqishme organeve të ligjit në këtë rast 600 gjyqtarëve dhe prokurorëve sot i marrin pagat me ngritje”, tha Haradinaj.

Këtë vendim të Kushtetueses normalisht nuk e kanë pritur mirë ata që edhe e kanë dërguar këtë rast në Gjykatë.

Vetëvendosje paralajmëron se pas vendimit të Kushtetueses do të bëjnë kallëzim penal për kryeministrin dhe ministrat të cilët e kanë votuar vendimin për rritje pagash.

Haxhiu: Do të bëjmë kallëzime penale për Haradinajn dhe ministrat

“Natyrisht ajo çfarë ne do të bëjmë tani është që do ta vlerësomë situatën aktualisht për shkak se vendimi në Kushtetuese është dërguar në aspektin kushtetues. Por, po them ne kemi opinionin e AKK-së dhe bazuar mbi këtë opinion ne po e shqyrtojmë mundësinë që të përgatisim kallëzime penale për kryeministrin dhe secilin ministër që ka marrë pjesë në votim, për shkak se shikojeni Kodin Penal është vepra penale konflikti i interesit që specifikon se askush nuk mund të marrë vendim në qoftë se preket financiarisht. Pra ne do të bëjmë kallëzime penale edhe për kryeministrin, edhe për ministrat nëse ky vendim mbetet në fuqi”, u shpreh Haxhiu.

Madje deputetja Albulena Haxhiu, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka quajtur absurd dhe të padrejtë.

Haxhiu: I papranueshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese

“Për mua është e papranueshme që me vendime të tilla degradohet secili institucion në Kosovë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë është shndërruar në një gardian i këtij pushteti dhe jo si gardian i Kushtetutës së Kosovës....ky institucion lejoj abuzimin me paranë publike. Sot secila Qeveri që vjen  mund t’ia ngris pagën vetes, 100 përqind, 200 përqind, sa t’i dojë qejfi, ky është abuzim me paranë publike. Mirëpo, me këtë  vendim vet gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë përfshirë në konflikt interesi. Sepse vendimi i Qeverisë implikon rritje edhe të anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu për KosovaPress.

Ajo theksoi se është informuar që ka pasur presione të shumta nga njerëz të kësaj Qeverie mbi Gjykatën Kushtetuese për të marrë vendim në favor të saj.

E profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se vendimi i Kushtetueses lë shumë për të dëshiruar.

Baraliu: Ka shumë për të dëshiruar në këtë vendim të Kushtetueses

“Fillimisht me duhet të theksoj dispozitën e nenit 92 paragrafi 4, të Kushtetutës ku thuhet që Qeveria merr vendime në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit. Po ashtu neni pasus 93 thotë se Qeveria merr vendime në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, ndërkohë që në ligjin në fuqi për pagat është një koeficient dhe një shumë për secilin pozicion që është përfshirë në këtë vendim të Qeverisë tjetër nga ai që është propozuar nga Qeveria. Pra këtu qëndron baza kushtetuese ndoshta, ose do të qëndronte e këtij vendimi eventual. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese është sovrane në atë aspekt të vendimmarrjes, është instanca e vetme e drejtësisë kushtetuese dhe një instanciale, do të thotë është organ një instancial, nuk ka mundësi që dikush të ushtroj të drejtën e ankimit dhe duhet pranuar dhe marrë ashtu siç është. Përndryshe ka shumë për të dëshiruar në këtë vendim ashtu si edhe herave tjera”, theksoi Baraliu.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka paraqitur edhe argumentet mbi të cilat ka nxjerrë këtë vendim.

“Nuk është dëshmuar se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues;  bazuar në argumentet e paraqitura, nuk rezulton se Kuvendit i është cenuar apo pamundësuar ushtrimi i kompetencave të tij kushtetuese për miratimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror; për sa i përket konfliktit të interesit se nuk është brenda funksionit të Gjykatës që të vlerësojë pretendimet për shpërputhjen e vendimit të kontestuar me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sepse ajo çështje bie nën juridiksionin e organeve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe për sa i përket shkeljeve të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, parashtruesit nuk kanë paraqitur fakte bindëse se pagat e parapara në Vendimin e kontestuar trajtojnë ndryshe pozita ose situata të ngjashme dhe nëse ky ndryshim në trajtim nuk ka ndonjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”, ka argumentuar Gjykata.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj konsideroi se parashtruesit e kërkesës nuk kishin paraqitur prova bindëse për të mbështetur pretendimet e tyre se vendimi i kontestuar i Qeverisë ka prodhuar efekte kushtetuese, në kuptim të cenimit të kompetencave kushtetuese të Kuvendit, apo shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, ashtu si pretendonin parashtruesit e kërkesës.

Në mbledhjen e 22 dhjetorit të vitit të kaluar Qeveria mori vendim që t’u rritet paga kabinetit qeveritar.

Paga e kryeministrit 2950 euro

Paga e zëvendëskryeministrit 2500  euro

Ministri 2000 euro

Zëvendësministrit 1150 euro. Përveq këtyre paga u është rritur edhe komplet stafit qeveritar, këshilltarëve, shoferëve, etj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat