Meta në Gjermani flet për rëndësinë e finalizimit të dialogut Kosovë- Serbi

Aktuale

Meta në Gjermani flet për rëndësinë e finalizimit të dialogut Kosovë- Serbi

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 17:37
Ilir Meta u prit sot nga Presidenti i Bundestagut të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u prit sot nga Presidenti i Bundestagut të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble.

Zyra e informimit e presidentit, njoftoi se me këtë rast presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e gjithanshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, 30 vite bashkëpunim diplomatik dypalësh.

Meta në takim me të ka folur edhe për çështje të Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësinë e finalizimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe angazhimin e Gjermanisë në drejtim të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së presidentit.

“...Gjatë takimit u vlerësua premtuese dhe inkurajuese marrëveshja mes qeverisë greke dhe asaj maqedonase për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë dhe u theksua rëndësia e përfundimit të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi”, thuhet më tej.

Në kumtesë thuhet po ashtu që, Meta dhe Schäuble ndanë shqetësimin për çështjet e sigurisë që kërcënojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe theksuan nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në këtë drejtim, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat